“Arrestoni vrasësit e gjyqtarit, ose do të hesht përgjithmonë”

0

Julian Sinanaj, nën hetim si i akuzuar për vrasje me pagesë në “bandën e tritolit” në Vlorë akuzoi sot Prokurorinë, duke kërkuar arrestimin e personave të denoncuar prej tij për zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit  të Vlorës, Skerdilajd Konomi.  “Nëse ju nuk arrestoni ata që kam denoncuar, kjo tregon që ju nuk doni të zbardhni vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi”, – ka thënë Sinanaj në gjyq.

Sinanaj ka shkuar më tej duke akuzuar prokurorët se kanë kaluar pushime luksoze në bregdetin e jugut të Shqipërisë me paratë e kriminelëve që nuk arrestohen.

Procesi ndaj Sinanajt ndodhet në seancën e 34-t, ndërsa me një vendim të pabërë publik, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur ta zhvillojë seancën me dyer të mbyllura, duke lënë jashtë kamerat televizive dhe gazetarët. Gjykatësja Flora Hajredinaj rrëzoi edhe kërkesën e bërë nga avokatët e të pandehurve të tjerë në këtë proces për një ekspertizë psikike të Julian Sinanajt.

Burime nga seanca bënë me dije për “Shqiptarja.com”, se në tension e sipër Sinanaj ka këmbëngulur duke i kërkuar gjykatës se ai do të heshtë përgjithmonë nëse nuk arrestohen personat e denoncuar prej tij, e veçanërisht Genis Mëhillaj i cili sipas Sinajt po i kërcënon familjen nga arratia.

Banda e tritolit u arrestua një vit më parë dhe nën akuzë për një sërë vrasjesh mafioze, vendosje tritoli dhe kërcënimi janë Julian Sinanj, Ndriçim Gjokonaj, Andon Mëhillaj, Genis Mëhillaj ky ende i pa arrestuar, Marjon Mitro, Albin Mexhaj si dhe biznesmeni Ilir Karçini.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here