Arrestimi që ndau më dysh opinionin në Kroaci

0

Një 66-vjeçare është arrestuar nga policia në Kroaci pasi kishte kaluar rrugën ndërsa semafori ishte i kuq. Gruaja ka kaluar vijat e bardha në një kryqëzim të qytetit Osijek dhe policia e ka arrestuar duke përdorur forcën.

Pamjet e arrestimit janë transmetuar nga televizionet lokale dhe kanë shkaktuar zemërim në opinion për shkak të forcës së përdorur nga policia mbi një të moshuar.

Fillimisht një punonjës policie e pyet nëse është në dijeni të rregullit që ka shkelur. Por kur gruaja e injoron duke iu përgjigjur: “Më lër rehat”, atëherë ai e kap nga shpatullat. Gruaja i përgjigjet “turp të kesh për këtë që po bën” dhe kërkon ndihmën e kalimtarëve.

Mes ulërimash dhe sharjesh, ajo merret nga policia dhe dërgohet në komisariat, ku ndëshkohet me gjobë e më pas lirohet. Këto pamje e kanë ndarë opinionin kroat në dy grupe: ata që mbrojnë veprimin e policisë dhe të tjerë që e quajnë arrestimin të pavend.

Vetë shefi i policisë së qytetit dhe punonjësi që kreu arrestimin e kanë vizituar zonjën pas ngjarjes dhe i kanë shpjeguar se nuk kanë shkelur asnjë të drejtë të saj. Ndërsa ministri i Brendshëm e ka komentuar këtë ngjarje duke thënë se një sjellje e tillë dëmton reputacionin e policisë. Ai është shprehur i gatshëm ta paguajë vetë gjobën që i është vënë të moshuarës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here