Arrestimi i Frrokut për vrasjen në Belgjikë, Kuvendi vendos të martën

0

Këshilli i Mandateve do të vendosë në mbledhjen e së martës në orën 12:00 për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e Mark Frrokut pas kërkesës së bërë nga autoritetet belge, të cilat e akuzojnë për një vrasje të ndodhur në vitin 1999.

Mbledhja e djeshme, e cila drejtohej nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka zgjatur pak minuta, ku është shqyrtuar kërkesa e bërë nga dy avokatët e deputetit Mark Frroku, që i pranishëm në këtë mbledhje të jetë dhe Frroku, i cili është në arrest shtëpie pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Në përfundim të mbledhjes, dy avokatët mbrojtës të Frrokut kanë shpjeguar arsyet e shtyrjes së saj. “Mbledhja drejtohej nga zoti Meta, i cili pranoi kërkesën e mbrojtjes për të marrë pjesë deputeti Frroku ditën e martë. Mbledhja e ardhshme do të zhvillohet të martën, në orën 12:00, në prani të deputetit”, tha avokati Saimir Vishaj. Ndërkohë që avokati tjetër i Frrokut, Genc Gjokutaj, u shpreh se “të gjitha palët ishin dakord për të bërë të mundur prezencën e deputetit në seancën e dëgjimit në Komisionin e Mandateve. Në këto kushte, kur deputeti i Shkodrës gjendet në ‘arrest shtëpie’ për shkak të çështjes tjetër, të njohur tashmë si çështja ‘Doshi’, Kuvendi pritet t’i kërkojë Prokurorisë lejimin e tij për të qenë i pranishëm në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të martën”. Pas mbledhjes së dytë tashmë vetëm për çështjen ‘Frroku’, Këshilli për Mandatet do të hartojë një raport, i cili do t’i paraqitet seancës plenare, nga ku do të vendoset më pas në seancë parlamentare për arrestim ose jo të kreut të Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku. Më herët ky Këshill ka vendosur që t’i paraqesë Kuvendit një raport ku të pranohej kërkesa e Prokurorisë për arrestim e dy deputetëve. Nëse kërkesa për arrestimin e Frrokut do të pranohet, deputeti i Partisë Kristian Demokrate do të duhet të arrestohet sërish.

Kërkesa

Kërkesa zyrtare për arrestimin e deputetit Frroku, e dyta pas së parës për çështjen “Doshi” mbërriti mbrëmjen e së premtes pranë Interpol Tirana, që i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të zbatojë urdhër-arrestin. Nëse edhe këtë herë do të jepet aprovimi, atëherë ndaj Mark Frrokut do të nisë një tjetër seancë gjyqësore për akuzat e shtetit belg, ku ka shumë gjasa që dosja e tij të shqyrtohet pranë shtetit belg. Por Republika e Shqipërisë nuk ka asnjë marrëveshje ekstradimi me Belgjikën dhe gjykatat rrjedhimisht nuk mund të njohin asnjë procedurë ekstradimi drejt Belgjikës apo anasjelltas por mund të bëhet transferimi i dosjes së plotë për të dyshuarit për vrasje, nga Gjykata e Belgjikës në atë të Shqipërisë, ose të bëhet transferimi i vendimit pasi ai të jepet e më tej të aplikohet për njohje po me vendim gjykate sipas ligjeve shqiptare. Sipas mediave belge, Besnik Morina, i njohur si Mark Frroku, ishte dënuar nga gjykata belge me 10 vjet burg për vrasjen e Aleksandër Kurtit, për të cilën pritet që të përballet në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda të Brukselit në muajin tetor 2015. Për vrasjen e ndodhur në datën 5 mars 1999 autoritetet belge akuzojnë katër shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe shtetasin Mark Frroku, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i njohur në Belgjikë me identitetin e rremë Besnik Morina.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here