Arrestimet në Serbi dhe kalemxhinjtë në Kosovë

0

BARDHYL MAHMUTI

Publiciteti që iu bë arrestimeve të ish zyrtarëve serbë për korrupsion gjeti një vend të rëndësishëm në mediet që problemet e Serbisë i paraqesin si të ishin probleme që në mënyrë të pashmangshme lidhen edhe me Kosovën. “Analistë” dhe “kolumnist? ?” tëndryshëm, të pjellës së proveniencës së ish nomenklaturës komuniste në Kosovës, nuk ngurruan të duartrokasin dhe të tërheqin paralele me Kosovën. Madje ta cilësojnë si fitore “indirekte” të Serbisë ndaj Kosovës!

Në të njëjtën mënyrë si baballarët e tyre më parë, të cilët përçonin propagandën e zyrtarëve të Beogradit në Kosovë (politikën e zyrtarëve që ishin në pushtet e jo të atyre që largoheshin nga pushteti në qërimin e hesapeve ndërpartiake), sot “analistë”, “kolumnistë” dhe “drejtorë” të ndryshëm përçojnë në mediet shqipe të Kosovës propagandën e zyrtarëve të Beogradit. Jo të zyrtarëve të djeshëm por të Vuçiqit me kompani.

Në të njëjtën mënyrë si baballarët e tyre kur shanin Rankoviqin e larguar nga partia dhe lavdëronin komunistët tjerë të Serbisë sot pjella e tyre lavdëron Vuçiqin për arrestimin e ish ministrave dhe ish funksionarëve për “kriminalitet të organizuar”
Arrestimi i 76 ish zyrtarëve brenda një dite dhe akuza për krim të organizuar merret si fakt se gjoja “Serbia është duke ecur drejtë Evropës” e Kosova po mbetet mbrapa sepse për 16 vjet Kosova nuk ka bërë sa Serbia brenda një dite”!

Më hidhet t’u them këtyre “analistëve”, “kolumnistëve” dhe “drejtorëve” se janë faqja e zezë që përçojnë në mediet shqipe propagandën zyrtarëve të Beogradit. Rruga për integrimin në institucionet e Bashkimit Evropian është rrugë gjatë të cilës duhet të përmbushen normat dhe standardet mbi të cilat bazohet funksionimi i këtyre institucioneve.

Qërimi i hesapeve që grupi i interesave kriminale të Aleksandar Vuçiqit bën me grupet tjera kriminale në Serbi nuk janë kriter që mund ta përafronin Serbinë dhe Bashkimin Evropian.Për askënd në strukturat e Bashkimit Evropian nuk është e panjohur se grupi kriminal që kontrollon energjetikën, telekomunikacionin dhe infrastrukturën në Serbi është grupi që udhëhiqet nga Andrej Vuçiqi, vëllai i Kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit. Arrestimet në Serbi janë për t’i hedhur hi syve të gjithë atyre që dëshirojnë të verbohen. Kriminaliteti i organizuar në Serbi dhe lufta kundër saj është problem i Serbisë dhe strukturave regjionale që janë të interesuara t’i përcjellin zhvillimet rreth kësaj çështje. Por, kjo luftë dhe plotësimi i kritereve që lidhen me vlerat dhe standardet euroatlantike janë dy gjëra që në rastin e Serbisë duhet të shihen të ndara.

Në krye të shtetit serb janë ish komunistë të edukuar dhe ngritur në funksione të larta pikërisht nga Sllobodan Millosheviqi. Mjafton të shihen shtyllat kryesore të shtetit dhe secili që njeh zhvillimet politike në Serbi e sheh qartë se kuadrot janë ricikluar: Si Kryetar shteti kemi Tomisllav Nikoliqin, krahu i djathtë i Vojisllav Sheshelit, i cili personalisht ka qenë i implikuar në krime monstruoze në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë; si Kryeministër të Qeverisë dhe ministër të Punëve të Jashtme kemi të përkëdhelurit e Millosheviqit: Aleksandar Vuçiqin dhe Ivica Tadiqi, nxitës tëkrimeve serbe në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë; Në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbë është Lubisha Dikoviqi, i cili u shpall hero nga ana e Millosheviqit për të gjitha krimet e kryera në Kosovë. Në polici dhe në Shërbimet Sekretet njerëzit e Millosheviqit, që kanë kryer krime monstruoze… Në gjykata dhe në prokurori e njëjta gjë…

Rruga e Serbisë për integrimet në Bashkimin Evropian duhet të kalojë në mënyrë të pashmangshme me procesin e ndarjes së këtij shteti nga e kaluara e saj. Kjo mund të bëhet vetëm duke pranuar se në Kosovë është kryer gjenocid, të ndëshkohen të gjithë të implikuari në këtë krim të rëndë dhe të bartin përgjegjësinë për riparimin e dëmeve të shkaktuara. Ndërsa, fshehja e gjurmëve të gjenocidit, pritja e kriminelëve të liruar nga burgu për krimet e kryera gjatë luftës si të ishin heronj kombëtar dhe diskriminimi racial që aplikojnë kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës Serbinë e mbajnë në logjikën e funksionimit që është në kundërshtim të plotë me vlerat, normat dhe standardet që qëndrojnë në themelet e institucioneve evropiane.

Gjenocidi është krim që nuk harrohet! Heshtja e këtij krimi i bën bashkëpërgjegjës të gjithë ata që për interesa që nuk lidhen me vlerat dhe standardet euroatlantike e imagjinojnë integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë, si dukuri që rëndojnë jashtëzakonisht shumë jetën në vend tonë, janë probleme që u takojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe vetëm mobilizimi i gjithanshëm mund t’i ulë përmasat e çfarëdo forme të kriminalitetit. Por, lufta kun dër këtyre fenomeneve nuk duhet të krahasohet me të njëjtat fenomene në vendet tjera e aq më pak me shtetin e kriminalizuar serb. Ata që me arrestimet e fundit në Serbi shohin fitore të Serbisë ndaj Kosovës dhe lavdërojnë zyrtarët e Beogradit në rrugëtimin drejt integrimeve evropiane fryjnë rëndë ndjenjat e popullit shqiptar të Kosovës, që përjetoi gjenocidin serb dhe në këtë fundviti, 16 vjet pas përfundimit të luftës, mbi një mijë familje shqiptare ende nuk dinë për fatin e të afërmve të cilët u zhdukën në funksion të humbjes së gjurmëve të këtij gjenocidi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here