Arrest për vrasësit me pagesë, shefi i tyre nga burgu urdhëronte vrasje

0

Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë u ka komunikuar tre anëtarëve të grupit të ashtuquajtur si vrasës me pagesë, masën e sigurisë “arrest me burg”.

Kështu, Admir Tafilit, Alfred Qefalisë dhe Elson Merdanit u është komunikuar masa dhe akuzat, ku dyshohet se të pandehurit, në bashkëpunim të qëndrueshëm midis tyre për një periudhë prej disa muajsh, kanë kryer disa vepra penale, kundrejt pagesës, pra me qëllim përfitimet materiale, duke konsumuar në këtë mënyrë veprat penale të “krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas prokurorisë, Admir Tafili, ka urdhëruar për të paktën tri vrasje nga burgu. Dy të tjerë në pranga, një në Itali e tjetri në Shqipëri. Porositë për vrasjet dhe dyshimet për disa shpërthime me tritol.

Sipas burimeve, Tafili i ka mohuar akuzat e prokurorisë: “Nuk jam kreu i grupit kriminal, nuk kam lidhje me akuzat, jam në burg përjetë”.

Grupi i Admir Tafilit, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm, ka organizuar të paktën katër atentate. Urdhrat jepeshin nga kapobanda e arrestuar. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë se, në bashkëpunim me policinë, kanë dyshime se disa persona, të drejtuar nga Admir Tafili, janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Akuza i është drejtuar gjykatës duke i kërkuar caktimin e masës së sigurisë, ku është vendosur arrest me burg për disa persona. Admir Tafili është i dënuar me burgim të përjetshëm. Alfred Qefalia është i dënuar nga Gjykata e Korçës për ndihmesën që i dha Tafilit për arratisje nga burgu në nëntor 2013, ndërsa Elson Merdani është arrestuar dje. Ndërkohë, policia thotë se një pjesëtar i kësaj bande, pikërisht Ardian Ozuni, gjendet i arrestuar në Itali, si i dyshuar për trafik lëndësh kokaine. Në kërkim është shpallur Dritan Peksani. Akuza thotë se, për këtë procedim, prej disa muajsh gjenden nën masën e sigurisë “arrest me burg” edhe shtetasit Kristi Pine dhe Aleksandër Gora.

Prokuroria thotë se të gjithë të proceduarit kanë organizuar dhe ekzekutuar vrasjen ose vrasje të mbetur në tentativë në të paktën tri raste. Në një rast, qëllimi i grupit kriminal është finalizuar me vrasjen e shtetasit Ibrahim Mani, ngjarje e ndodhur në Shkodër. Po ashtu, ky grup ka tentuar, por nuk ka mundur ta vrasë shtetasin Edmond Çakmashi në Elbasan, i cili u plagos. Rasti i tretë lidhet me sigurimin e mjeteve dhe masave për vrasjen e Leonard Muratajt në Durrës. Ky atentat nuk është kryer. Shtetasi Murataj është vrarë disa kohë më vonë, por deri në këtë fazë të hetimit nuk është provuar që vrasja është kryer nga ky grup personash. “Fillimisht këta shtetas dyshoheshin se mund të ishin organizatorë të disa shpërthimeve me tritol ose të mbetura në tentativë, të ndodhura në datë 10 shkurt 2015 në Tiranë. Por, nga hetimi i deritanishëm, nuk është arritur të provohej se këta shtetas kanë lidhje me këto shpërthime dhe për dy prej atyre episodeve aktualisht Prokuroria për Krime të Rënda po heton në gjendje ‘arresti me burg’ disa shtetas të tjerë”, thotë akuza. Gjithsesi, hetuesit saktësojnë se ende nuk ka përfunduar hetimi dhe mund të gjendet ndonjë lidhje mes Tafilit dhe Gjutajt, pasi ata kanë kontrolluar kryesisht territorin në Veri të vendit, njëri në Shkodër e tjetri në Kukës. Akuza ka zbuluar se ky grup merrte porosi dhe kryente vrasje kundrejt pagesave.

Akuza thotë se po i heton anëtarët e kësaj bande për vrasje. “Në kuadrin e hetimit të procedimit penal për shpërthimet me tritol në Tiranë, policia ka pasur dyshime se autorë të dyshuar të këtyre veprave penale janë Alfred Qefalia dhe Kristi Pine, persona me precedentë. Në datë 16 shkurt 2015 është kryer arrestimi në flagrancë i Kristi Pines, pasi është person me precedent të mëparshëm penal, dyshohet si autor i disa ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër dhe se gjatë kontrollit të banesës dhe një ambienti në pronësi të tij i janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri dhe disa fishekë luftarakë. Disa nga këto krime i ka kryer dhe në bashkëpunim me shtetasin nën hetim Alfred Qefalia”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Sipas saj, nga hetimet e mëvonshme u zbulua se Kristi Pine ka kryer disa vrasje kundrejt pagesës, të porositura nga Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm, me të cilin është njohur gjatë kohës që ka vuajtur dënimin me burg në Bradashesh, Elbasan. Gjithashtu, hetimi ka arritur të krijojë mekanizmin e kryerjes së këtyre krimeve, si dhe vendin e fshehjes së armëve të krimit, lidhjet kriminale, personat që kanë dijeni në lidhje me këto krime. “Nga hetimi janë krijuar dyshime të forta se vepra penale e ‘vrasjes me paramendim’ kundër shtetasit Ibrahim Mani, është kryer nga Admir Tafilaj, Kristi Pine, Elson Merdani dhe Dritan Peksani. Po ashtu, janë krijuar dyshime se vrasja me paramendim e mbetur në tentativë ndaj Edmond Cakmashit është kryer nga Ardian Ozuni, Alfred Qefalia, Ardian Tafilaj dhe Kristi Pine. Gjithashtu, sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje ndaj Leonard Muratajt, është kryer nga Admir Tafilaj, Kristi Pine, Aleksandër Gora, Elson Merdani”, thuhet në dosjen e akuzës.

Sipas saj, deri në këtë fazë të hetimit, ka dyshime se të pandehurit, në bashkëpunim të qëndrueshëm midis tyre për një periudhë prej disa muajsh, kanë kryer disa vepra penale, kundrejt pagesës, pra me qëllim përfitimet materiale, duke konsumuar në këtë mënyrë veprat penale të “krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”./Gazeta Shqip/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here