Arben Frroku i arratisur, dënohet me burg të përjetshëm

0

Dënohet me burgim të përjetshëm biznesmeni Arben Frroku, duke u shpallur fajtor për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Gjykata e Apelit pranoi kërkesën e Prokurorisë duke ndryshuar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila e shpalli të pafajshëm.

I pandehur Frroku u përfaqësua nga dy avokatët mbrojtës, Genc Gjokutaj dhe Tonin Prendi, ndërkohë që vendndodhja e tij nuk dihet momentalisht, pas largimit të fundit nga Shqipëria.

Vendimi i formës së prerë dhënë nga Gjykata e Apelit ishte “Burg përjetë” për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj dhe 5 vite burg për “Armëmbajtje pa leje”. Arben Frroku akuzohet për vrasjen e kryekomisarit të Kombinatit, Dritan Lamaj, më 24 shkurt të 2013-s.

Prokuroria kërkoi pas dëshmive të mbledhura lidhur me çështjen që, ndaj të pandehurit Frroku të caktohej “burg i përjetshëm”, por Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli të pafajshëm më 3 prill të këtij viti. Ndërkohë që, pala e të akuzuarit pritet të bëjë rekursin e vendimit në Gjykatën e Lartë.

Avokati i Frrokut: Vendimi nën presionin e politikës

Ndërkohë që Arben Frroku ndodhet jashtë vendit prej një jave, ai u përfaqësua sot nga dy avokatët e tij mbrojtës. Avokati Genci Gjokutaj në një prononcim për mediat e quajti të padrejtë vendimin e formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Apelit, duke e justifikuar me faktin që gjyqësori është i ndikuar nga politika.

“Do ndjekim rrugën ligjore, se nuk kemi mënyrë tjetër për të kundërshtuar vendimin”, deklaroi avokati Gjokutaj.

Ku ndodhet Arben Frroku?

Nuk e di ku ndodhet, ka dy javë që është larguar. Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka dhënë një vendim në kundërshtim me aktet që përmban dosja. Problemi është kur nuk gjykon gjykata, shoqëria duhet të ndalet.

Nga kush po bëhet presion?

Nuk flitet më për gjykata të pavarura, por për gjykata nën presion. Trysnia nga politika, në gjyqësorin dhe dekriminalizimin. Një vendim i tillë s’mund të arrihet pa respektuar procedurat. Është një eksperiment i vështirë dhe i pamundur. Do ndjekim rrugën ligjore, do bëjmë rekusesin në Gjykatën e Lartë.

Vendimi është i formës së prerë, do ekzekutohet?

Nga Apeli vendimi bëhet i ekzekutueshëm. Do ndjekim rrugën procedurale./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here