Anxhela Bruçi: Letërsia është shpëtim

0

Shkrimtarja Anxhela Bruçi thotë se sot kur globalizmi ka pushtuar botën është e veshtirë t’ia dalësh të jetosh vetëm përmes të shkruarit, por pëlqimi i lexuesve është ai që e frymëzon dhe që i jep shpresë për të shkruar.

Tiranasja që ka botuar romanin “E humbur në rrugicat e jetës”, në intervistë ka shpjeguar raportin e saj me shkrimin, motivin e prozës së saj, ndikimin nga autorët e tjerë etj.

 

Pse shkruani?

Shkruaj sepse vetëm në ato momente ndihem totalisht e lirë. Tingëllon ironike por unë gjithmonë e gjej veten në disa copëza letrash, aty jam vetvetja, mjafton vetëm një letër dhe gjithçka që unë nuk them dot me fjalë i shpreh me shkronja. Sot është shumë e veshtirë të degjohet zëri yt, në veçanti kur zëri yt është kundër asaj që njerëzimi është mësuar të dëgjojë.
Çfarë motivi ka proza juaj?

Proza ime ka motive realizmi, jam lodhur nga romanet romantik dhe nga ato që gjithçka në fund ka një zgjidhje të lumtur. Motivi im është i qartë dhe realist, dëshiroj përmes shkrimeve të mia t’u tregoj njerëzve se perveç luksit, romancës dhe pushtetit ka gjëra shumë më të rëndësishme të cilat shumica e njerëzve sot i neglizhojnë.
Çfarë ndikimi mendoni se mund të ketë letërsia te njerëzit?

Letersia është shpëtimi i njerëzimit, ne shohim se dita-ditës libri po humbet vlerën e tij të artë. Shohim libra të cilat shiten në rrugë të mbuluara nga pluhuri dhe tymi i qytetit. Letërsia përveç kulturës që transmeton është dije, frymëzim për ide të reja dhe optimizëm për shpirtërat e njerëzve që sot po i shuajnë shpresat e tyre.
Cilët autorë ju pëlqejnë, ndërkombëtarë po edhe shqiptarë?

Pëlqej së tepërmi Jean-Paul Sartre pasi edhe rryma e filozofisë që unë përfaqësoj është i filozofisë ekzistencialiste, më pas vjen  Albert Kamy i cili me vepren e tij “I huaj” më bëri të dashuroja filozofinë ekzistencialiste, Lev Tolstoy (Lev Tolstoi)  dhe Fyodor Dostoyevsky (Fjodor Dostojevski) do mbetën një ndër shkrimtarët që asnjëherë nuk do mërzitem së lexuari  shkrimet e tyre. Por shqipja ka plot shkrimtarë të talentuar, është mëkat mos të përmend Rexhep Qosen, Ismail Kadaren, Dritëro Agollin , Kim Mehmetin dhe shumë të tjerë që me shumë vullnet dhe talent nderuan dhe nderojnë kombin tonë.
A mund të jetohet sot nga letërsia?

Përgjigja e kësaj pyetje është tepër subjektive pasi kjo varet nga shitjet që një shkrimtar ka. Unë përsonalisht nuk mund të jetoj nga letërsia, kjo përgjigje nuk vjen vetëm nga arsyeja ekonomike por edhe nga idealizmi që unë kam rreth shkrimit. Nëse librat do botoheshin falas unë nuk do të kisha aspak problem t’i dhuroja shkrimet e mia falas, pasi dija duhet të jetë e lirë nga çdo aspekt. Pikërisht sot qe globalizmi ka pushtuar botën është e veshtirë t’ia dalësh vetëm përmes të shkruarit, pëlqimi i lexuesve është ai që më frymëzon dhe më jep shpresë për të shkruar sa më shumë.
A shkruani vetëm prozë apo edhe zhanre të tjera?

Preferoj  prozën sepse aty e ndiej veten më mirë, rrallë herë shkruaj poezi, vetëm në ato momente ku jam përballur me diçka tepër dramatike filloj dhe shprehem nëpërmjet poezisë.
Cilat janë synimet tuaja si krijuese?

Synimi im si krijuese është ti bëj njerëzit të mendojnë në një mënyrë më realiste për jeten. Besoj se nga mungesa e pranimit të realitetit vuan shoqëria jonë sot. Kemi makina luksoze, shtëpi gjigande por nuk kemi me çfarë t’i mbushim, jemi bërë hija e kapitalizmit dhe globalizmit. Kemi humbur çdo lloj sensi ndjesie dhe përgjegjshmërie. Ky fakt është tepër i trishtë prandaj synimi im është ta fuqizoj filozofinë dhe t’i bind lexuesit se ka edhe të rinj që mendojnë ndryshe nga pjesa tjetër e rinisë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here