Ana tjetër…

0

IMER TOPANICA

Le ta kujtojmë metaforën e ‘Shpellës’ së Platonit, sa për ta ndërgjegjësuar vetveten së pari rreth asaj se, botëkuptimi ynë rreth realitetit (ose segmenteve specifike të tij), me të cilin përballemi, mund të mos jetë më i drejti i mundshëm duke qenë që sipas logjikës së metaforës, gjithnjë mund të ekzistojnë anë më të mira, e më të mira, të panjohura për ne… ‘Idetë në vetvete janë të përkryera, por jo edhe jetësimi i tyre në realitet’ – thotë ndër të tjera, një premisë filozofike, prej së cilës marrim kurajë ta nisim këtë dialog të shkurtër, si përpjekje për reflektim mbi situatën politike në vend.

  1. (Pa) barazia e dhunës

Thyerja e gishtit të dorës është lëndim që dhemb dhe më e pakta, nëse është i atillë lëndimi, i parigjenerueshëm, mund të rezultojë me një pamje jo të hijshme të dorës, por që nuk e pengon funksionimin e gjymtyrës në aspektin fiziologjik. Natyrisht, ky lëndim, nuk mund të barazohet me lëndimin e boshtit të kurrizit pasojat e të cilit të shumtën e herëve janë fatale. Pra logjika e barazimit të lëndimeve është pa dyshim, absurde dhe e pa pranueshme, sidomos nga ata që dinë të numërojnë deri në dhjetë! Shembulli i protestave të dhunshme të këtyre ditëve në Sheshet e Prishtinës në raport me një keqqeverisje gati gjashtëmbëdhjetë vjeçare, i ngjanë shembullit të mësipërm të lëndimeve të gishtit, respektivisht të boshtit kurrizor. Keqqeverisjet e viteve të kaluara, janë faktori kryesor që mund ta lë Kosovën përgjithmonë në paralizë! ANA TJETËR, po të mos kishin ekzistuar keqqeverisjet sistematike me pasuritë e shtetit, protestat si këto të fundit ndoshta, nuk do të ndodhnin. ANA TJETËR, meqenëse ne jemi viktima të politikave jo efektive qeverisëse, këtu e pasluftës, protestat si këto janë simptome të para që shoqëria është ‘ndër ethe’ dhe po lufton me antitrupat dhe kjo rezulton me rritjen e ‘imunitetit të organizmit’!

  1. Qytetaria

Protesta është mjet demokratik. E mira e së mirës është që me mjete paqësore të arrihen efektet e dëshiruara nga palët e interesit. Dhe kanë të drejtë të gjithë ata që i dënojnë protestat e dhunshme, rrjedhimisht ne duhet t’i mbështesim idetë e organizimit të protestave paqësore, përderisa nuk na kujtohet një pyetje kaq problematike: Ç’efekt arritën ish punëtorët e Fabrikës së Gypave, tashmë të privatizuar, nga Ferizaji? Ata njerëz përveç “privilegjit” të pranimit të vizitave nga disa politikanë, fotografimit me ta, në kohën e fushatës zgjedhore, nuk korrën ndonjë sukses më të madh! Sidoqoftë…

Nëse një organizator thërret për protestë paqësore, më e pakta nga çfarë (vet) obligohet ai moralisht është: Të mos e nxis masën në dhunë, siç qe rasti me Dardan Molliqajn  në protestën e fundit. Mirëpo ANA TJETËR na thotë që: Ai nuk e nxiti masën në dhunë, por i dha ultimatum policisë që t’i tërhiqte barrikadat deri tek ‘Skëndërbeu i shqiptarëve’. Por një gjegje alternative të cilën e gjejmë ne është – policia i nënshtrohet ligjit; megjithatë ANA TJETËR thotë, ai që e bëri ultimatumin është vet ‘bërës i ligjit’! Atëherë ne e shtojmë pyetjen tjetër, por ligjet që ky i ka bërë, a e bëjnë këtë ‘ligjbërës’ pjesë të zinxhirit komandues të cilit duhet t’i nënshtrohet policia? Sigurisht që përgjigja e ANËS TJETËR do të ishte ‘JO’  duke vazhduar, ata nuk kanë të drejtë t’i sulmojnë e t’i rrahin ligjbërësit, gjë që kanë të drejtë plotësisht. Këtu është e pashmangshme një pyetje tjetër, çka është më fort e pritshme nga këto të dyja: Që një ligjbërës të mos e njeh ligjin? Të mos e dijë se kujt i nënshtrohet ‘aparatura shtetërore’, sipas ligjit që e ka bërë vet? Apo, që një polic (aparaturë e shtetit), t’i dijë t’i prekë kufijtë e interpretimit të ligjit, se deri ku shtrihet harta e lirisë së lëvizjes, në një kontekst specifik si ajo e protestës? Ne mendojmë se prej një aparature, vegle shtetërore, nuk mund të kërkojmë më shumë se sa zbatimin e përpiktë të urdhrave që vijnë përmes zinxhirit komandues. Konsiderojmë se llogaria kërkohet jo nga mjeti, aparatura, por nga ai subjekt që e komandon atë. Njëmend, shumë prej të rinjve që i ka zënë gjumi si të diplomuar në juridik, janë zgjuar me uniformë polici të nesërmen, por duke e rikujtuar cilësinë e mësim-nxënies në Universitetin publik, mund të justifikojmë çdo paqartësi të tyre rreth fenomenit ligj, apo e drejtë qytetare e lëvizjes!

  1. Dilema kush e filloi i pari, në sensin dilemës pula apo veza dhe ekstremet e tjera fatale!

Këtu na bie ndërmend vetëm kjo pyetje: Në qoftë e justifikueshme dhuna e protestuesve karshi policëve pse kjo tendencë e theksuar e palës organizative, për t’u distancuar nga ajo? Rrjedhimisht me këtë biem pre e ekstremeve fatalitare sepse, në Kosovë mundesh me qenë musliman, por jo edhe perëndimor, vendor, patriot, a kombëtar. Në Kosovë mund të jesh pro gegnishtes, por jo edhe modifikimit, integrimit dhe përmirësimit të standardit të 72-tës. Në Kosovë mundesh me qenë pro PDK-së, LDK-së, AAK-së etj, por nuk mund t’i kritikosh segmente veprimesh, segmente nga programi, vizioni politik e aq më pak liderët e këtyre subjekteve. Në Kosovë mund ta ngritësh në nivel sakral një figurë (si po e zëmë Demaçin apo të njderin Rugovën), po kurrë t’i shohësh a t’i pranosh të metat e asaj figure… Pra në Kosovë mund të jesh pro protestës (kundër faljes së Trepçës dhe pro thirrjes për shkarkimin e një ministri shovinist), por nuk mund ta kritikosh, qoftë edhe një veprim krejt periferik (fatit të keq të xhamave të godinës qeveritare ose sulmit ndaj ekipit të RTK2-shit). Pra nëse në zgjedhjet e kaluara e ke votuar dhe mbështetur Shpend Ahmetin për kryetar të Prishtinës, mos guxo ta kritikosh qeverisjen e tij në ndonjë mënyrë sepse edhe në qofsh anëtar i kësaj lëvizjeje, do të kryqëzojnë si heretik . Në Kosovë pra, në këtë vend ekstremizmash fatal.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here