Ana tjetër

0

SALAJDIN SALIHU

Në skenën politike është edhe “ana tjetër”. Aty janë dosjet, paratë, kurvëritë. Aty janë makineritë e përgjimit dhe mashtrimit. Të dredhisë dhe krimit. Të propagandës e të dirigjimit. Aty përpunohen informacionet. Aty projektohen të robëruarit e nëntokës politike. Aty janë formësuar e formësohen projektet ogurzeza. Aty sajohen e zbatohen të gjitha prapaskenat.

Të papushtetshmit e imagjinojnë dhe e ëndërrojnë “anën tjetër”, por janë të privuar që ta shohin apo të ndikojnë aty. Prandaj janë vetëm spektatorë që merren me teori konspiracioni.

Në “anën tjetër” janë menaxhuar e menaxhohen projekte kundër shqiptarëve të Maqedonisë, sepse janë konsideruar e konsiderohen si “element i rrezikshëm” për shtetin. Kjo është logjika e pandryshueshme në mendjen politike të këtushme.

Autoritetet politike shqiptare nuk e dinë se çfarë bëhet në “anën tjetër”, sepse nuk kanë pushtet. Shiten si të pushtetshëm, por kanë aq pushtet sa u lejon padroni. Kanë pushtet sa ta sundojnë vetveten. Nëpërmjet tyre është menaxhuar pakënaqësia e qytetarëve shqiptarë…

(Pu)shteti funksionon sipas rregullit të padronit, i cili urdhëron dhe i jep të drejta robit. Të drejta të kontrolluara. Atë që duhet ta japësh sot, jepe nesër, sepse çdo vonesë është e leverdishme. Nëse detyrohesh të firmosësh marrëveshje, atëherë mos e respekto ose krijo probleme dhe shtyje afatin e realizimit, sepse sa më vonë aq më mirë.

Me këtë logjikë funksionon “ana tjetër”, ku prodhohet edhe mosdurimi kombëtar, kulturor, krahinor, rajonal; ku formatohen projekte për demonizimin e të ndershmëve dhe himnizimin e të pandershmëve; ku projektohen konfliktet e kontrolluara, që vëmendja të zhvendoset diku tjetër, përtej botës reale, vetëm që gjendja të mbahet “nën kontroll”…

Autoritetet shqiptare, jo rastësisht, në lojërat me bomba e përgjime, janë spektatorë. Nuk e dinë çka do të ndodhë, sepse nuk kanë informacion. Nuk kanë informacion sepse nuk kanë pushtet.

Ky është njëri prej shkaqeve se përse gjithmonë rrezikojmë të bëhemi viktima kauzash të huaja në periudha kur keqbërësit duan të shpëtojnë kokën e tyre.

Tani sërish jemi në një situatë delikate. Si në çdo situatë të këtillë lypset përgjegjësi dhe jo eufori. Duhet demaskuar çdo rimohues që synon ta na fus në aventura për të përligjur jeniçerizmin para “anës tjetër”.

I njoh logot partiake dhe e di çfarë marrëzish janë bërë nën udhëheqjen e tyre. E di se kur zihen të fortët, e pësojnë të papushtetshmit. Duke qenë të papushtetshëm, rrezikojmë më shumë…

Padronët gjithnjë i kanë konsideruar partitë shqiptare si prej plastelini – që mund t’u japësh çfarëdo forme, prandaj duket aktual dialogu ndërmjet Skënderbeut dhe Djallit te vepra “Nën hajat të Parizit”, e Gjergj Fishtës, pëlqyer edhe prej Kadaresë:

“Skanderbegu: – Si janë pra shqyptarët e Shqypnija?

Djalli: – Si janë? Si i don anmiku!”

(Portalb.mk.)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here