Amerikani Mayweather e mposht me vështirësi filipinasin Pacquiao në “duelin e shekullit”(video)

0

Boksieri amerikan, Floyd Mayweather, ka mbetur i pamposhtur. Ai është kampioni i unifikuar i boksit botëror në kategorinë welter, pasi ka mposhtur me poena në “duelin e shekullit” boksierin filipinas, Manny Pacquiao.

Vendimi i 3 gjyqtarëve ishte unanim në favor të Mayweather. Njëri nga ata ia ka dhënë fitoren boksierit amerikan me rezultat 118-110, ndërkaq dy të tjerët me 116-112. Dy raundet e para kanë kaluar në shenjë dominimi nga boksieri amerikan, ndërkaq në atë të tretin boksieri Filipinas e mori iniciativën pas disa goditjeve të rrufeshme e të fuqishme. Mandej tërë meqi ka kaluar në përpjekjet e filipinasit për të marrë kurorën, duke e bërë atë dominant në ring. Megjithatë Mayweather ia ka dalë të mbrojë veten dhe titujtë që i kishte fituar. Ngritja e dorës së Mayweather në shenjë fitoreje është përcjellë me vërshëllima të shumta. Sidoqoftë Mayweather ka thënë se e ka meritur fitoren.
“Pac dominoi, ishte më aktiv, por boksi nuk është i tillë. Unë luftova mençur, plasova goditjet në momentin e duhur dhe zhvillova strategjinë time për të cilën e falënderoj babain tim”, ka thënë Mayweather. “Unë e meritoj fitoren. Më duhet të them se edhe Pacquiao është një luftëtar i madh të cilin e respektoj. Por, unë jam më i madhi, jam i pamposhtur. Kthehem në ring në shtator”, është shprehur ai.

Por boksieri filipinas, Manny Pacquiao, ka shfaqur bindjen se ka qenë ai që e ka merituar fitoren. “Mendova se fitova. Po, po, mendova se fitova. Unë bëra gjithçka. Unë dominova, unë godita. jam i befasuar me vendimin e referëve, unë e rraha atë më shumë se sa ai mua, por dikush tjetër vendosi ndryshe, s’ka problem”, është shprehur ai. “Unë nuk kisha problem me forcën e tij, kam luftuar me boksierë më të fortë”, ka vënë në pah Pacquiao.

Dueli u zhvillua sot në orët e hershme të mëngjesit në MGM Grand Garden Arena ku ishin të pranishëm 18 mijë shikuesë që paguan mijëra dollarë bileta për të shikuar “duelin e shekullit”.
Për vlefshmërinë financiare të duelit janë dhënë shifra të ndryshme të cilat kanë shkuar nga 300 milionë dollarë deri në 500 milionë dollarë. Sidoqoftë ky meq vlerësohet ndër më të kushtueshmit në historinë e boksit.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here