Ambasadori i Kosovës në Slloveni, rrëfen historinë e ndalimit dhe lirimit të Haradinajt

0

Nexhmi Rexhepi, ambasador i Kosovës në Slloveni, rrëfen për lajmi.net të gjithë historinë e ndalimit policor të kryetari të AAK-së, Ramush Haradinaj në këtë vend, bazuar në fletë-arrestin e Interpol Serbisë.
Rexhepi në një intervistë të shkurtër ka treguar për përpjekjet që ai si ambasador i ka bërë për t’iu gjetur Haradinajt gjatë kohës së ndaljes policore.
Ndërsa, ka kërkuar nga populli i Kosovës dhe nga përfaqësues të skenës politike, që mos të ndikohen nga ky rast, për të ndryshuar opinion për Slloveninë në raport me Kosovën.

Lajmi.net: Me çfarë vendimi u lirua z. Haradinaj?

Nexhmi Rexhepi: z. Haradinaj është liruar me vendim të gjykatës themelore në Kranj, si gjykatë e kompetencës territoriale, e cila edhe kishte shqiptuar masën e marrjes së pasaportës dhe po ashtu edhe masën e moslejimit të z. Haradinaj për t’a lëshuar territorin e Sllovenisë, deri në shqyrtimin dhe sqarimin e rrethanave të ndërlidhura me ndalimin.

Lajmi.net: A ka dhënë sqarim gjykata se përse vendimi nuk u mor shpejtë, por z.Haradinaj u desh të qëndronte deri me sot në Slloveni?

Nexhmi Rexhepi: Sigurisht që gjykata nuk ka dhënë sqarime. Por, nga përvoja e MPJ-së me rastet e tjera të ngjashme në të kaluarën, mund të themi se ky ka qenë ndër rastet që është zgjidhur më së shpejti dhe më së lehti për palën e ndaluar.

Lajmi.net: Cili ka qene roli i Ambasadës së Kosovës gjatë këtyre ditëve për rastin Haradinaj?

Nexhmi Rexhepi: Pas njoftimit se z. Haradinaj është ndaluar nga autoritetet sllovene gjatë kalimit transit përmes aeroportit të Lubjanës, ambasada ka marrë gjithë veprimet e nevojshme, duke vënë kontaktet me autoritetet përgjegjëse vendore për sqarimin e situatës së krijuar. Gjatë gjithë kohës, ambasada ka qenë e koordinuar me qendrën, respektivisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, për ofrimin e gjithë mbështetjes institucionale deri në sqarimin e plotë të situatës. Fatmirësisht, pavarësisht asaj që ka ndodhur, situata tashmë është qartësuar plotësisht dhe z. Haradinaj i është kthyer pasaporta e tij dhe i është mundësuar vazhdimi i udhëtimit për në Kosovë.

Lajmi.net: Cilat kanë qenë arsyetimet e shtetit slloven për këtë që mund të cilësohet incident në raportet mes dy shteteve mike?

Nexhmi Rexhepi: Mund të themi se, pas asaj që ndodhi në aeroportin e Lubjanës, autoritetet sllovene përgjithësisht kanë qenë korrekte në veprimet e tyre. Arsyeja e vetme, që siç tanimë është publikisht e ditur, ka qenë një fletarresti i vlefshëm ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet serbe, dhe sipas obligimeve ndërkombëtare, autoritetet e këtushme kanë qenë të detyruara t’a zbatojnë.
Ne besojmë se marrëdhëniet e mira ndërshtetërore, si dhe lidhjet trandicionale historike mes popujve tanë, duhet parë përtej kësaj çfarë ka ndodhur, pavarësisht sa e padrejtë dhe e pakëndshme të ketë qenë kjo situatë. Edhe opinioni publik slloven nuk e ka përjetuar mirë këtë situatë, por ne tani duhet të shohim përpara, t’i fuqizojmë edhe më tej marrëdhëniet ndërshtetërore me interes reciprok në të gjitha fushat.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here