Ambasadori britanik i premton ndihmë kryeprokurorit Lumezi në luftimin e krimit të organizuar

0

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim, ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairí O’Connell, me të cilin kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy sistemeve prokuroriale të këtyre vendeve, si dhe e ka falënderuar për mbështetjen që ka dhënë dhe vazhdon të japë Britania deri më tani, në sistemin prokurorial të Kosovës.
Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi e ka njoftuar ambasadorin Britanik për sfidat me të cilat po ballafaqohet Prokurori i Shtetit si dhe sistemi prokurorial i Kosovës, për një kohë të gjatë. Lumezi po ashtu, ka theksuar se sfidë kryesore e Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe sigurimi i kushteve adekuate për funksionimin sa më të mirë të këtij sistemi.
Në anën tjetër, ambasadori Ruairí O’Connell e ka vlerësuar punën që është duke e bërë Prokurori i Shtetit, si dhe ka mirëpritur vendimin për krijimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, duke theksuar që prokurorët duhet të tregojnë rezultate dhe profesionalizëm të lartë në këtë drejtim.
Po ashtu, ambasadori O’Connell, ka thënë se krimi i organizuar duhet të luftohet, si dhe i ka premtuar Kryeprokurorit Lumezi, se do të ndihmojë Kosovën në këtë drejtim. Ambasadori britanik u interesua edhe për buxhetin e Prokurorit të Shtetit. Ai u shpreh shumë i hapur për bashkëpunim me Kryeprokurorin Lumezi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here