Ambasadorët perëndimorë vënë në dyshim përkushtimin e Maqedonisë për integrim në BE

0

Ambasadorët e SHBA-së, Francës, Italisë, Britanisë, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian i kanë shprehur ngushëllime Kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski dhe popullit të Maqedonisë për vdekjet tragjike të, siç thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët, “policëve trima që u vranë dje në dhe përreth Kumanovës”, si dhe kanë shprehur dhimbjen për “vuajtjet e qytetarëve të Kumanovës që ishin zënë rastësisht në aksion”.

Ambasadorët i kanë ofruar kryeministri maqedonas asistencën e tyre në çfarëdo forme të nevojshme.

“Bashkohemi me të gjithë qytetarët e vendit dhe me liderët politikë për të dënuar dhunën. Mirëpresim iniciativën e Presidentit për t’i takuar të gjitha partitë politike, dhe u bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të jenë të përmbajtur ndaj tragjedisë së fundjavës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre ambasadorëve, ku kërkohet gjithashtu nga qytetarët që edhe në tubimet grupore të javëve të ardhshme “të jenë të qetë”.

Ambasadorët e SHBA-ve dhe ata evropianë, në takimin që kanë zhvilluar me Gruevskin, përveç ngjarjeve në Kumanovë, kanë rikonfirmuar edhe miqësinë e shteteve dhe organizatave që ata përfaqësojnë me popullin e Maqedonisë.

“Tash e një kohë të gjatë i kemi mbështetur përpjekjet e Maqedonisë për t’iu bashkuar BE-së dhe NATO-s, dhe si miq e partnerë, kemi shprehur edhe brengat tona për krizën e vazhdueshme politike”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

Por, Ambasadorët patën edhe kritika për Gruevskin, duke thënë se ekzekutivi nuk bëri progres në kontekst të shumë akuzave ndaj Qeverisë të cilat dolën nga përgjimet.

“Specifikisht ia kemi përsëritur brengat tona kryeministrit se qeveria e tij nuk ka bërë progres në llogaridhënien për pretendimet e shumta për keqbërje të qeverisë që kanë dalë nga përgjimet. Kjo mosndërmarrje e vazhdueshmëve e veprimeve hedh dyshim serioz ndaj përkushtimit të Qeverisë së Maqedonisë për parimet dhe vlerat demokratike të komunitetit euroatlantik. Dështimi i vazhdueshëm për të demonstruar këtë përkushtim me veprime konkrete do ta cenojë përparimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO”, potencojnë ambasadorët perëndimorë.

“Në takim kemi shprehur edhe pritjet tona sa i përket përgjimeve të cilat zbardhin sjellje të papranueshme dhe janë të nevojshme masa adekuate politike dhe juridike ndaj përgjegjësve. Në mënyrë që të veprohet ndaj dobësive të institucioneve të cilat janë të përfolura në përgjime, i bëjmë thirrje qeverisë të merr në konsideratë reforma specifike, përfshi ato për integritetin e sistemit zgjedhor, për lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e informatorëve”, theksohet më tej në deklaratën e përbashkët të Ambasadorëve.

“Në fund, ne vazhdojmë të mbështetim plotësisht të drejtën themelore demokratike të qytetarëve për t’u tubuar dhe për të protestuar qetë, dhe përsërisim apelin tonë që të gjitha palët të përmbahen nga dhuna. Ushtrimi paqësor i të drejtave demokratike dhe refuzimi i veprimeve agresive ndaj bashkëqytetarëve – qofshin ata policë apo demonstrues – është gjëja e duhur për të falënderuar guximin dhe sakrificën e atyre personave që gjanë jeton në shërbim të popullit të Maqedonisë”, ka përfunduar deklarata e përbashkët e Ambasadorëve të SHBA-ve, Francës, Italisë, Britanisë, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here