Ambasadorët e Quint-it e përgëzojnë Kadri Veselin për lidershipin

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kishte sot një takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë: SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë. Ambasadorët e këtyre vendeve sipas një njoftimi nga Kuvendi i Kosovës shfaqën shqetësimin e vendeve të tyre përkitazi me gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës nga veprimet e partive opozitare.
“Ambasadorët i dhanë mbështetje të plotë kryekuvendarit Veseli dhe e përgëzuan për lidershipin e vendosur demokratik të treguar në drejtimin e Kuvendit në situatën aktuale. Ata theksuan se për vendet e tyre janë të papranueshme veprimet që cenojnë parimet dhe vlerat e demokracisë, mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë institucionet e Kosovës. Ata theksuan se veprime të këtilla antidemokratike rrezikojnë të dëmtojnë përpjekjet e Kosovës për të ecur më shpejt në rrugën e saj evropiane.” ka njoftuar zyra e kryeparlamentarit në faqen e kuvendit në internet.
“Kryekuvendari Veseli falënderoi ambasadorët për përkrahjen e tyre duke theksuar se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë një storie e partneritetit me vendet mike perëndimore. Në vazhdim ai tha se është i nevojshëm një angazhim më proaktiv i të gjithëve, brenda këtij partneriteti, në mënyrë që vendi të ecë përpara, që skenarët e destabilizimit e të kthimit pas të mos kenë rast të jetësohen.Kryetari Veseli premtoi se do të vazhdojë kursin e përpjekjeve për të gjetur një rrugë komunikimi e dialogu me opozitën, në mënyrë që demokracia parlamentare të mos cenohet dhe vendi të ecë përpara. Në këtë frymë, ai tha se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që të shtyhen drejt konfrontimit të rrugës për shkak të mospajtimeve brenda klasës politike.”, është vënë në pah në njoftim ku është theksuar se “kryekuvendari Veseli theksoi se është koha e fundit që Bashkimi Evropian të japë shenja konkrete të shpresës dhe hapa konkret në afrimin e Kosovës me BE-në, sepse nuk janë serbët apo pakicat tjera rreziku i Kosovës, por varfëria dhe izolimi.”