Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit nuk ka pse t’u qeshet

0

URAN KRASNIQI

Dy liderët e partive më të mëdh shqiptare në Maqedoni, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi ,u shfaqën duke qeshur bashkë te enjten pas një takimi që e patën me presidentin e vendit. Gjendja e tyre e relaksuar u shprehë pak ditë pasi në Kumanovë u shënua një konflikt i armatosur mes Policisë së shtetit dhe një grupi të armatosur, ku të vrarë mbetën disa policë, disa pjestarë të grupit të armatosur, ndërsa nuk është shumë e qartë për numrin e civilëve.

Që Kumonova u mbulua nga tymi të shtunën u pa, por çka mbetet e paqartë është se a bëhet fjalë për një zjarr të inskenuar nga pushteti me qëllim të evitimit të protestës së paralajmëruar për datën shtatëmbëdhjetë të këtij muaji a për të mbuluar skandalet e deritashme qeveritare, se bëhet  fjalë për një zjarr të vërtetë të shkaktuar nga gazi rus apo se bëhet fjalë për një zjarr real nga pushkët e ish-ushtarëve të UÇK-së për ta realizuar shkëputjen e vendbanimeve shqiptare nga Maqedonia?

Nëse dikush provon që të japë interpretime nga një prizëm i tillë, atëherë e pagjasë duket mundësia për të dhënë përgjigje të qëndrushme për një situatë të paqartë dhe i mundëshm rasti për shtimin  e një reje më tepër  në mjegullën që edhe ashtu është shumë e madhe. Krejt kjo është si rezultat i zhvillimeve shumë dinamike kohëve të fundit në këtë shtet si dhe i mungesës së transparencës së shtetit maqedonas dhe i të mospaturit përgjigjje për shumë pyetje, duke krijuar një ambient të përshtatshëm për spekulime, ku gjithkush jep versionin e tij për të njëjtën ngjarje.

Po meqenëse shqiptarët u bënë pjesë e konfliktit të armatosur megjithkëtë çështje e dukshme dhe e kapshme e problemit është provimi i aksesit në trajtim nga këndi i tyre pra për ta sqaruar shtysën që mund të ketë dikush nga ta për të qenë pjesë e konflikit. Përkatësisht gjendja e shqiptarëve të Maqedonisë pas luftës së vitit 2001 dhe sjellja e subjekteve politike shqiptare atje.

Zëra të ndryshëm e të shumtë kanë thënë kaherë se Maqedonia nuk është duke e implementuar Marrëveshjen e Ohrit,  se gjendja e shqiptarëve paslufte nuk ka ndryshuar shumë me atë që shqiptarët e kishin paralufte, se Nikolla Gruevski po investon në një identitet maqedonas që nuk e pranon tjetrin dhe konfrontohet me të, se ai është një diktator për aq sa e lejon sistemi aktual dominant në shumicën e vendeve të botës e të tjera e të tjera.  Si kanë reaguar subjektet shqiptare politike shqiptare përballë krijimit të një mjedisi të tillë? Ali Ahmeti me partinë e tij asnjëherë nuk kanë ngritur të tilla probleme, porse gjithmonë kanë lënë përshtypjen se janë vetëm përfaqësues të Gruevskit për të sunduar shqiptarët dhe asnjëherë si përfaqësues të shqiptarëve për të bashkëqeverisur me Maqedoninë. Ky subjekt politik ka krijuar përshtypjen se fitorja më e madhe e komunitetit të shqiptarëve në Maqedoni është ajo e BDI-së ndaj PDSH-së dhe se vendi ka zgjidhje për të gjitha problemet e tjera që domosdoshmërisht janë më të vogla se sa kjo. PDSH-ja e Menduh Thaçit shumë më shumë e ka akuzuar BDI-në këto vite se sa Qeverinë e Gruevskit të shtuar edhe me pjesën e subjektit maqedonas.  Kjo parti ka lënë të kuptohet se fitoorja më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni do të ishte në rast se ajo do ta zëvendësojë BDI-në në pushtet dhe se çdo gjë tjetër është preokupim çasti i pamenduar mirë. Çka ka ndodhur kësisoji, dy subjektet më të mëdha shqiptare, duke e braktisur fushën ku luante Gruevski me të gjithë dhe duke zgjedhur konfrontimin mes vete,  është se kupa e shqiptarëve të zakonshëm është mbushur dhe se ajo mund të eksplodojë një ditë.

Pra mund të mos jetë e qartë që tymi i të shtunës në Kumanovë, ishte inskenim nga pushteti, ishte zjarr nga gazi rus, ishte zjarr nga pushkët e ish-ushtarëve të UÇK-së, por është shumë e qartë që  dy subjektet politike kryesore shqiptare nuk e kanë shuar pakënaqësinë  e shqiptarëve me të jetuarit në Maqedoni, i cili do të mund të reflektonte në formë të flakës, ashtu edhe siç ndodhi . Kjo edhe flet se Ahmeti dhe Thaçi mund të qeshen mes vete kur të takohen, por arsye që lidhen me përfaqësimin që u kanë bërë shqiptarëve gjatë këtyre viteve nuk kanë.

BDI dhe PDSH mund të mos e ndërrojnë qasjen përballë të zgjedhurve të tyre, por shqiptarët e Maqedonisë mund ta ndërrojnë atë. Nuk janë vetëm këto dy subjekte politike shqiptarë që domosdo duhet të përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoni dhe nuk vuajnë shqiptarët e Maqedonisë nga të rinjë të dijshëm të denjë për të përfaqësuar popullin e tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here