Aleksandër Vuçiç sot në Preshevë përuron maternitetin për të cilin ndanë mjete Kosovë e Shqipëri

0

Liderët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë paralajmëruar Kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç, që të mos e përdorë vizitën e në Luginë si një shans për të hedhur tone nacionaliste apo për marketing politik, njofton agjencia e lajmeve “Persheva jone”.

Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi ka deklaruar se në Bujanoc dhe Preshevë nuk ka tensione ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe se kryeministri serb është i “mirë se ardhur” që të vizitoj këtë rajon dhe të kontriboj për zhvillimin e saj.

Vizita e kryeministrit Vuçiq në këto komuna të banuara me shqiptarë, duke i “injoruar” ata, ka nxitur reagimin e deputeti popullor nga Lugina, Shaip Kamberi, i cili me këtë rast ka thënë se “Kuzhina popullore e Kryqit të kuq në Bujanoc nuk është vendi ku kryeministri i Serbisë do të diskutojë për problemet e shqiptarëve në Bujanoc”.

“Aq më tepër injorimi i institucioneve tjera lokale nga ana e tij dëshmon qartë mosgatishmërinë e kryeministrit për tu përballur me problemet e shqiptarëve. Ndërkohë që gjen kohë për takim të veçantë me krerët lokal serb në Banjën e Bujanocit”, shruan Kamberi në profilin e tij në Facebook.

Jonuz Musliu, kryetari i Këshillit Kordinues Shqiptar, përdor një metaforë, duke e lidhur me vizitën e para pak kohëve në Preshevë të presidentit serb Nikoliç, i cili u vesh me uniformë ushtarake.

Musliu, deklaroi për “Presheva Jonë” se “nëse ai do të vijë me uniformë ushtarake në trup, apo në kokë, nuk është i mirëpritur dhe ne do ta quajmë vizitë private. E njëjta është edhe nëse do ta përdorë këtë vizitë për marketing që t’i shërbejë integrimit në BE”.

Ndërkaq, nënkryetari i komunës së Preshevës, Skënder Destani, ka deklaruar se Vuçiç do të injorojë sot faktorin shqiptar pasi deri tani nuk ka një protokoll të qartë për takimet me drejtuesit politik të shqiptarëve. Është thënë vetëm se mund të takohet me kreun e komunës Ragmi Mustafa në përurimin e maternitetit të ri por nuk ka ndonjë përcaktim të qartë.

“Nëse sërish i injoron shqiptarët, atëherë Vuçiç do të rëndojë pozitat e veta pasi ai duhet të vijë të flasë me ne dhe jo të bëjë karshillëk”, ka thënë Destani.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të vizitojë sot Luginën e Preshevës. Ai kishte thënë muaj më parë se do të vizitonte këtë zonë për të biseduar edhe me shqiptarët.

Në bazë të axhendës së tij, Vuçiç do të përurojë hapjen e maternitetit të Preshevës, një problem që është diskutuar gjatë dhe për të cilin kanë ndarë buxhet edhe Shqipëria dhe Kosova, pas takimit të dy qeverive në Prizren.

Vuçiç do të vizitojë edhe refugjatët nga Siria dhe më pas, në qytetin e Bujanocit do të ketë një takim me liderët serbë të kësaj zone.

Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë serb viziton shqiptarët e kësaj zone. Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç ka qenë dy herë në këtë zonë, por është takuar me përfaqësues të ushtrisë dhe me serbët, por asnjëherë me shqiptarët.

Qeveria serbe i kishte nisur bisedimet me shqiptarët për të drejtat e tyre, por ato ishin ndërprerë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here