Aleanca pro pavarësisë i fiton zgjedhjet lokale në Katalonjë

0

Separatistët në rajonin e Katalonjës në verilindje të Spanjës shpallën dje fitore në zgjedhjet për organin legjislativ të rajonit. Kjo fitore e elementit separatist shton mundësinë për një ballafaqim me qeverinë qendrore për shkëputjen e rajonit nga Spanja. Artur Mas është president i Katalonias.

“Kemi shumë punë për të bërë dhe nuk do të pushojmë. Kemi marrë një mandat demokratik dhe e dimë çfarë nënkupton ky mandat. E dimë si e arritëm fitoren, kur asgjë nuk ishte në favorin tonë. Por tani që fituam kemi një fleksibilitet dhe legjitimitet të mrekullueshëm për të përmbushur këtë projekt. Ne do ta realizojmë dhe do të përmbushim mandatin tonë”.

Një anketë e rëndësishme me zgjedhësit pas hedhjes së votës tregon se Aleanca pro-pavarësisë e Presidentit Artur Mas “Së Bashku për Po” ishte vetëm pesë vota larg sigurimit të shumicës absolute në parlamentin me 135 vende, që i nevojiteshin për të përmbushur synimin për pavarësi brenda vitit 2017. Por një parti më e vogël me prirje separatiste mund të sigurojë 11-13 vende nga këto zgjedhje.

Para votimeve, dy partitë thanë se me arritjen e këtij rezultati, do të mund të shpallnin pavarësinë brenda 18 muajsh.

Në bazë të planit autoritetet në Katalonjë parashikojnë miratimin e një kushtetute rajonale, krijimin e një banke të Katalonjës dhe të një sistemi gjyqësor.

Qeveria qendrore e Kryeministrit Mariano Rajoy ka thënë se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të parandaluar shkëputjen. Bashkimi Evropian ka thënë se shkëputja mund të sjellë përjashtimin e Katalonjës nga BE-ja.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here