Alda Bardhyli: Revista “Saras”, një përpjekje për të rikthyer besimin në letrat shqipe

0

Intervistë e MAPO AL me Alda Bardhylin, kryeredaktore e revistës letrare “Saras”, e cila sapo ka hedhur në qarkullim numrin e parë:

 

MAPO AL: Në një kohë kur duket se revistat letrare kanë humbur magjinë e dikurshme, ju vendosni të nxirrni në treg një revistë të re. Ka vetëm një muaj nga dalja e numrit të parë të revistës letrare “Saras”…Çfarë është kjo revistë, çfarë synon?

 

Alda Bardhyli: Pavarësisht tablosë së trishtë që është sot me revistat letrare, ku përgjatë dy dekadave ne kemi parë si kanë humbur revista dhe tribuna letrare që për vite me radhë kanë qenë një ushqim i fortë shpirtëror, gjithnjë kam besuar se numri i njerëzve që duan rikthimin e tyre është po aq i madh. Shqipëria është një vend me një traditë të mirë në këtë gjini. Revistat letrare si “Nëntori”, “Drita”, “Hylli i Dritës”, “Shejzat” etj., kanë qenë strehëza të mendimit përparimtar të kohës, edhe pse nën komunizëm. Çdo kontakt me to ishte si një takim me një pjesë tjetër të botës, pavarësisht sa larg ndodhej. Është i padiskutueshëm roli që këto ente letrare kanë pasur në zhvillimin e një kaste intelektuale, e cila më vonë do të bëhej promotore e ndryshimeve politike në vend. Gjithçka ka nisur nga letrat. Fuqia e një libri nuk mbetet asnjëherë vetëm tek emocioni që të përcjell, por te mendimi që vazhdon të ecë me ty edhe kur ke kohë që je ndarë prej tij. Revista “Saras” ka lindur si një përpjekje për të rikthyer besimin në letrat shqipe. Një revistë e hapur për të krijuar një mendim të ri estetik, dhe një strehë që do të bëjë bashkë të gjithë ata që besojnë ende te letërsia. “Saras” do të jetë një hapësirë jo vetëm për krijuesit, kritikët, studiuesit e letërsisë, përkthyesit, por dhe një hapësirë ku do të shihet mendimi i ri bashkëkohor shqip, dhe do të kemi mundësi të shohim një tablo të asaj çfarë ndodh me letrat shqipe. Këto dy dekadat e fundit është e pamundur të kemi një pasqyrë të asaj çfarë ndodh me letërsinë në vend. Nuk dimë kush janë autorët e rinj, librat më të lexuar, apo tendencat e reja të një letërsie të dalë nga gati gjysmëshekulli censurë. Nuk dimë as se çfarë ka ndodhur me letërsinë e shkrimtarëve që karrierën e tyre e patën para viteve ‘90. “Saras” do përpiqet të krijojë një tablo të kësaj situate, për ta njohur më mirë veten, dhe një produkt tonin kulturor, i cili për shkak të problemeve të tjera të një tranzicioni të gjatë ka qenë inekzistent.
MAPO AL: Numrin e parë ia keni kushtuar recensioneve. Pse?

 

Alda Bardhyli: Ka qenë një zgjedhje e menduar hapja e numrit të parë të revistës me recensionet. Nga një vend me një traditë të mirë me recensionet (nëse shohim revistat letrare para ‘90-s, ato janë të mbushura me recensione), tashmë duket se nuk recensionohet më askush. Dhe nga biseda që pata me shumë shkrimtarë, studiues, apo përkthyes, mungesa e tyre ishte një nga trishtimet më të mëdha. Humbja e recensioneve është një moment që tregon një rënie të mendimit estetik dhe një krizë të kulturës së të prodhuarit debat, apo të formave nxitëse jo vetëm për letërsinë por edhe për studimet letrare. Sot recensionet janë kthyer në “qoka”, nëse mund të quhen kështu, që autorë të ndryshëm i bëjnë ndaj librave të miqve…etj. “Saras” e ngriti këtë shqetësim që në numrin e saj të parë, duke vënë theksin te rëndësia e rikthimit të tyre, jo vetëm për letërsinë, por edhe për krijimin e një ajri, që do të nxiste debatin publik si forma më e lartë e standardit të mendimit të një vendi. Shkenca, letërsia, por dhe shoqëria nuk mund të ecin përpara pa recensionet. “Saras” do ta bëjë këtë çdo numër, duke ofruar modelin e saj, dhe duke ngjallur një model të harruar, por tepër të rëndësishëm për përsosjen e identitetit tonë kulturor.
MAPO AL: “Saras” do të mbetet elektronike?

 

Alda Bardhyli: Besoj se letra, dhe marrja në dorë e një reviste i ngjason takimit me gjërat e dashura për çdo lexues të revistave letrare. Vetë më pëlqen të shfletoj gjatë një revistë, e t’i rikthehem sërish kohë më pas. Një nga sfidat e njerëzimit në kushtet e përsosjes së teknologjisë është ruajtja e letrës jo vetëm si një akt i lartë dashurie, por dhe si formë, e cila duhet të mbajë gjallë një traditë me të cilën është rritur bota. Por duhet ta pranojmë që numri i lexuesve online po rritet çdo ditë e më tepër, ashtu siç po rritet dhe kjo sfidë për botuesit. Jam befasuar nga klikimet që ka pasur numri i parë i kësaj reviste, po ashtu nga emailet që kanë mbërritur në postën elektronike. Kjo tregon se jeta e “Saras-it” online do të jetë e gjatë, për aq kohë sa lexuesit e kësaj bote do duan të enden në të. Por, misioni ynë si njerëz që duam ende letrën, është që “Saras” së shpejti të vijë dhe në formatin e saj në letër, të bindur se kjo prekje do jetë po aq e bukur për lexuesit sa edhe leximi online. Deri atëherë i ftoj të gjithë të na lexojnë në ëëë.revistasaras.al, ku mund të doënload-ojnë revistën në pdf.
MAPO AL: Çfarë do të ketë numri i dytë i “Saras”?

 

Alda Bardhyli: Numri i dytë i revistës “Saras” do të dalë më 1 qershor. Në fakt jemi duke i mbyllur 50 faqet e kësaj reviste, që në këtë numër do t’i kushtohet procesit të të shkruarit. Do jenë shkrimtarë, studiues, apo kritikë që do të flasin për këtë moment kaq domethënës të krijimit…Nuk do të mungojë as përzgjedhja e prozës së radhës, apo ciklet me poezi nga autorë të rinj, si dhe recensionet. Në rubrikën “Nostalgji”, ku në numrin e parë ishte një shkrim i Drago Siliqit, një prej kritikëve të njohur të pas viteve ‘60, me një fat fatal, pasi humbi jetën shumë i ri në një aksident ajror, në këtë numër do të jetë një grua. Ajo është Selfixhe Broja (Ciu), një nga penat më interesante në Shqipërinë e pas viteve ‘30, një grua frymëzuese për forcën dhe mënyrën sesi e deshi jo vetëm jetën por dhe atdheun, sot në shekullin XXI.

revista-saras-pdf-download1

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here