Alban Nuredini: Edhe kur lumturohem apo tmerrohem së tepërmi, shkrimi mbetet ngushëllimi im që më pranon

0

Poeti Alban Nuredini thotë se edhe kur lumturohet apo tmerrohet së tepërmi, shkrimi mbetet ngushëllimi i tij, që e pranon atë. Duke folur për përmbledhjen e fundit me poezi “ Aorta e jetës”, Nuredini shprehet se Poezia nuk e duron kokëfortësinë, nuk e duron shpirtin që nuk njeh universin përbrenda, ajo jetësohet me dhimbjen- duke e kërkuar lexuesin e veçantë.  Nuredini, i cili ka mbaruar studimet post-diplomike në Universitet të Prishtinës, për Letërsi dhe Gjuhë,( drejtimi shkencor), në intervistë ka sqaruar raportin e tij me shkrimin, ndikimin e autorëve tjerë, planet për të ardhmen… 

Çfarë mund të thoni për përmbledhjen e re poetike “ Aorta e jetës”?                                             “ Aorta” ka historinë e saj, ka unitetin e saj, ka rrugën që ia dëshiron gjithsecilit, është zemër e ndjeshme, që bart mëkatet , ajo është e hapur për ta pranuar çdo herë pendimin, por në vete dhe në ambiguitetin e saj, ka krenarinë që nuk e thyen, dhe beson se rrugëtimi i saj është parajsa e dytë për njeriun, në jetë dhe pas saj! 

Pse shkruani?
E vërteta është se, kur shkrova librin tim të parë, “ Onjegin i vonuar”, unë ndjeva një lirim shpirtëror, të njëjtën kohë ndjeva dhe një shqetësim, sesi do të pritet libri, mirëpo nga disa miq- studiues kuptova se libri po fliste me ta, po fliste me lexuesin, andaj për një kohë heshta, sepse besova dhe besoj ende se kjo është prova e shkrimit, nuk ke pse te flasësh nëse libri nuk flet vet.
Ndërsa, arsyeja pse shkruaj nuk është vetëm dëshirë e rëndomtë, nuk është as frikë ndaj harrimit, ndaj njerëzve, nuk është as për t’u mbajtur mend si ekzistencë e gjallë apo e kundërta e saj, arsyeja pse shkruaj është forcë , sepse vetëm duke shkruar kujtoj se mund ta ndryshojë një realitet, qoftë ai edhe më i hidhuri. Edhe kur lumturohem apo tmerrohem së tepërmi, shkrimi mbetet ngushëllimi im, që më pranon të flas dhe të vazhdojë me heshtje tutje.

Në krijimtarinë tënde sa është e pranishme jeta e juaj?                                                                    Në shkrimet e mia, jam unë, një unë i hijezuar, jam një dilemë hamletiane, do të thoja. Por mendimet e mia nuk perëndojnë me hijen time, ndoshta, e pranojnë vetëm flijimin e teorisë bartiane “Death of the Author”. Por jo diçka më shumë, vetëm kaq.

Çfarë ndikimi mendoni se mund të ketë poezia te njerëzit?                                                       Poezia nuk e duron kokëfortësinë, nuk e duron shpirtin që nuk njeh universin përbrenda, ajo jetësohet me dhimbjen- duke e kërkuar lexuesin e veçantë. Andaj, mbetet permanente fuqia e saj sublime, domosdo mbetet nevojë për t’u jetësuar me njerëzit. Por, jo çdoherë mund ta ketë ndikimin e njëjtë te gjithsecili, sepse fuqia e saj emocionale është njohje ontologjike e paskajshme me provën e jetës.

Cilët autorë ju pëlqejnë, ndërkombëtarë po edhe shqiptarë?                                                       Letërsinë botërore dhe shqipe e kam lexuar e rilexuar, dhe akoma vazhdoj që ta lexoj, duke njohur veprat e autorëve binom që i kanë dhënë frymë letërsisë nëpër kohë. Vështirësia më e madhe është gjithmonë te ndarja, te autorët. Por t’i do përmendi disa ; Sharl Bodler e kam lexuar me rrjedhshmërinë e poezisë, veçanërisht sistemit poetik që ka ndërtuar, ndërsa Pablo Neruden, e kam lexuar siç lexohet poezia e shkruar më e bukur, ndërsa Zhak Prever-in e kam lexuar duke kujtuar gjitha rrugët e mia jetësore, duke i ndje ashtu përgjithmonë brenda meje.
Ndërsa po të kësaj udhe poetët shqiptarë më të veçuar si ; Lasgush Poradeci, Sabri Hamiti, Azem Shkreli, Rrahman Deda etj.

A mund të jetohet sot nga arti i poezisë?                                                                                               Nga poezia sot nuk mund të jetohet, ajo është e kuptuar. Vullneti i gjithë atyre që duan poezinë është ta mbajmë atë gjallë duke shkruar, duke i dhënë vendin më meritor që ka dhe që duhet ta ketë. Ka edhe nga ata që nuk ia duan të mirën asaj, e ata janë, ata të cilët vazhdojnë të flasin për të me bindje.

A shkruani vetëm poezi apo edhe zhanre të tjera?                                                                                   Kam shkruar recensione ( studime), për vepra të ndryshime. Së fundi kam një studim për Lasgush Poradecin dhe Sabri Hamitin. Por, nga një e ardhme e afërt pritet, dhe një roman që e kam nisur si të parin libër, por nuk e kam përfunduar ende.

Cilat janë planet për të ardhmen?                                                                                                               Këto ditë, kam përfunduar librin tim studimor , “ Sistemi poetik i Lasgush Poradecit dhe Sabri Hamitit”, që nuk më mori edhe aq shumë kohë, numëroj afërsisht gjashtë vite. Por jam i lumtur që kam arritur për ta finalizuar. Planet e mia nuk ndalen, deri në frymën e fundit, kujtoj aq janë të shumta, se që nuk përfundojnë me një mendim apo fjalë të vetme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here