Aktivistët e Vetëvendosjes e gjuajnë me vezë Memli Krasniqin, truprojat e tij rrahin një aktivist

0

Aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje kanë gjuajtur me vezë ministrin e Bujqësisë, Memli Krasniqin, por truprojat e tij kanë reaguar. Sipas, lëvizjes Vetëvendosje ata e kanë rrahur një aktivist të saj, ndërkaq i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës. Vetëvendosje kërkon lirimin e tij.

“Të hënën, në datën 28 dhjetor 2015, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë gjuajtur me vezë zëvendëskryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin.

Memli Krasniqi, aktualisht Ministër i Bujqësisë në qeverinë e Isa Mustafës, është një prej mbrojtësve më të zellshëm të veprimeve kundër-kushtetuese të qeverisë. Ai ka mbrojtur marrëveshjet kriminale të nënshkruara nga qeveria, dhe ka justifikuar veprimet e dhunshme të cilat pushteti i ka ndërmarrë ndaj aktivistëve dhe deputetëve të opozitës.

Përndryshe, Memli Krasniqi si Ministër ka dështuar në çdo politikë të ndihmës ekonomike, të subvencionimit, apo të planifikimit zhvillimor për sektorin e bujqësisë, i cili është një prej sektorët e lënë pas dore edhe pse potencialin zhvillimor e ka të madh.

Për arsye të servilizmit të tij ndaj “shefave të mëdhenj”, për arsye të korrupsionit e të klientelizmit që e shoqërojnë këtë ministër kudo që shkon, si në Ministrinë e Kulturës ashtu edhe në Ministrinë e Bujqësisë, ai e meriton protestën e aktivistëve, dhe i meriton tërësisht vezët. Asnjë zyrtar i lartë i kësaj qeverie kriminale nuk do të mund të qëndrojë rehat, larg protestës së opozitës.

Gjatë zhvillimit të këtij aksioni gjashtë ose shtatë truproja të Memli Krasniqit kanë rrahur në mënyrën më brutale e më çnjerëzore, pa asnjë të drejtë, aktivistin Egzon Azemi. Dëshmitarë të kësaj rrahje u bënë shumë qytetarë, që kanë qenë duke kaluar në atë kohë në Rrugën “Rexhep Luci”. Më pas Egzon Azemi është dërguar në polici.

Egzon Azemi ka ushtruar një të drejtë themelore si qytetar, atë të protestës, dhe për këtë arsye askush nuk ka të drejtë ta privojë nga liria apo ta arrestojë. Kërkojmë menjëherë lirimin e aktivistit Egzon Azemi, dhe respektimin e të drejtave të tij.

Po ashtu, kërkojmë nga policia evidentimin dhe arrestimin e menjëhershëm të personave që e kanë rrahur aktivistin Egzon Azemi, të cilët janë truproja të Memli Krasniqit. Nuk guxojmë kurrë të lejojmë që truprojat “të bëjnë ligjin” në vendin tonë”, ka shkruar ky subjekt.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here