Aktakuzë kundër deputetit Naser Osmani dhe 7 zyrtarëve të tjerë të AKP-së

0

Privatizimi i Fabrikës së Armaturave të Ndërtimtarisë në Podujevë në vitin 2006 me spin-off special dhe përfundimi i mbikëqyrjes ndaj kësaj ndërmarrjeje nga Agjencia Kosovare e Privatizmit, ka ngjallur shumë mosmarrëveshje ndër vite.

Sipas burimeve të Kohës Ditore, mu për këtë çështje të fabrikës, thuhet se Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Naser Osmanit, në cilësinë e nënkryetarit të Bordit të AKP-së në atë kohë, transmeton Koha.net. Bashkë me Osmanin, aktakuza përfshin edhe shtatë zyrtarë tjerë të AKP-së.

Në ndërkohë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar ngritjen e aktakuzës kundër tetë të pandehurve: për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Mashtrimi” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nëpërmes një kumtese thotë se ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve: N.O, B.SH, Sh.LL, N.A, M.Y, A.K, A.K, A.D, për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Mashtrimi” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Sipas aktakuzës me datë 20.01.2012, në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtar, përkatësisht i pandehuri N.O në cilësinë e nënkryetarit të Bordit të Drejtorëve (BD) të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), ndërsa i pandehuri B.SH në cilësinë e drejtorit të BD të AKP-së, në bashkëkryerje dhe bashkëpunim me personat tjerë zyrtar në cilësinë e anëtarëve ndërkombëtar të BD të AKP-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete apo personin tjetër, përkatësisht blerësin e Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, sh.p.k, në vlerë rreth 5,400,000.00 € dhe shkeljes serioze të të drejtave të personit tjetër, përkatësisht punëtorëve të Ndërmarrjes së Re “FAN “, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN”, e përfaqësuar nga AKP-ja dhe buxhetit të shtetit, kështu duke vepruar në kundërshtim me konstatimet e auditorëve të jashtëm, Marrëveshjen e Zotimit të dt. 23.03.2006, Strategjinë e Ndërmarrjeve Shoqërore të privatizuara me Spin Off Special të muajit Maj 2009 dhe rregullat ligjore të AKP-së, me datë 20.01.2012, në mbledhjen e 42-të të BD të AKP-së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre si anëtar të BD të AKP-së kanë vendosur duke votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime dhe kanë liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Gjithashtu, sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore Qershor 2008 deri 20.01.2012, në Prishtinë, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtar, përkatësisht i pandehuri Sh.LL në cilësinë e drejtorit menaxhues të AKP-së, N.A në cilësinë e zv/drejtorit menaxhues të AKP-së, ndërsa M.Y, A.K dhe A.K, në cilësinë e kryesuesit të Njësisë së Monitorimit në AKP, në bashkëpunim dhe marrëveshje në mes vete, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, përkatësisht nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim, lidhur me obligimet kontraktuale, nuk kanë ndërmarr asnjë masë ligjore parandaluese në lidhje me ruajtjen e pronës së AKP-së, sa i përket çështjes së vendosjes në hipotekë apo kolateral të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë” gjatë periudhës së zotimit, etj.

Me këto veprime të pandehurit N.O, B.SH, Sh.LL, N.A, M.Y, A.K, A.K, kanë kryer veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 422, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 23.03.2006 deri 20.01.2012, në mënyrë të vazhdueshme, i pandehuri A.D, në cilësinë e blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, me qëllim për t’i sjellë vetes ndonjë dobi pasurore, në mënyrë të vazhdueshme ka prezantuar rrejshëm, përkatësisht ka paraqitur në AKM/AKP si investime në Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” investime të rrejshme fiktive, ka paraqitur investime kapitale me dokumentacion me përmbajtje të pavërtetë duke prezantuar fatura fiktive, të fryra dhe mashtrime në shitblerje apo kryerje të punëve të ndryshme, të cilat janë regjistruar në data bazën e AKM/AKP-së dhe kanë shërbyer si dëshmi lidhur me përmbushjen e zotimeve nga ana e blerësit sipas Marrëveshjes së Zotimeve, si dhe i pandehuri në kundërshtim me kushtet e kontratës ka futur në kolateral-hipotekë ndërmarrjen “FAN- Podujevë”, lidhur me përmbushjen e borxhit ndaj Kreditorit në shumën prej 2,607,000.00 euro në bankën Raiffeisen Bank në periudhën 2008-2011 duke siguruar kështu përfitim të kundërligjshëm edhe pse për një veprim të tillë ka pasur për obligim që të kërkoj pëlqim paraprak nga AKM/AKP-ja, si dhe me qëllim të shmangies të pagimit të tatimit dhe kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj nuk i ka përfshirë informatat lidhur me veprimtarinë dhe të ardhurat e tij, për vlerësimin e detyrimeve, ashtu që nuk ka paraqit para Administratë Tatimore të Kosovës, qarkullimin real që e ka pasur në kuadër të aktivitetit të tij afarist, me ç’rast të dëmtuarës Administratës Tatimore të Kosovës, i shkakton dëm material në shumë prej 53,807.46 €.

Me këto veprime i pandehurit A.D ka kryer veprat penale, Mashtrim, nga neni 261, par. 2, lidhur me par. 1, të KPK-së, Legalizimi i përmbajtjes së rreme, në vazhdimësi, nga neni 403, paragrafi 2, lidhur me paragrafi 1, të KPRK-së dhe shmangia nga tatimi, nga neni 249, paragrafi 2, të KPK-së.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të dënohen sipas ligjit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here