VV: “Në vend të popullit le të ikin qeveritarët”

0

PRISHTINË, 7 SHKURT – Kriza ekonomike dhe humbja e besimit tek qeveria e krijuar me 9 dhjetor sipas Lëvizjes Vetvendosje janë arsyet kryesore të largimit të qytetarëve nga Kosova.
“Është interesant të përmendet fakti që derisa qytetarët prisnin ndryshimin përmes krijimit të një qeverie pa PDK-në numri i të larguarve nga Kosova ishte shumë i vogël.”, ka thënë pas një aksioni simbolik të kësaj partie, Faton Topalli duke dhën edhe shifra konkrete mbi kërkesat për azil të qytetarëve të Kosovës në Austri e Gjermani. “Mosveprimi i Qeverisë përballë kësaj situate lë të nënkuptohet se pushtetarët përmes ikjes së qytetarëve po tentojnë ta sigurojnë paqen sociale në Kosovë”, ka shtuar ai. “Qeveria po harron se në Kosovë janë të gjithë të varfër, pra, jo vetëm 121.000 qytetarët që jetojnë me nga 63 cent ne ditë, jo vetëm 90% e rinisë që janë të papunë, jo vetëm 90% e grave të papuna, jo vetëm pensionistët me nga 75 euro, por edhe ata 300.000 të punësuar që nuk arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet e veta pa u zhytur në kredi. Këta 300.000 të punësuar, i kanë 450.000 kredi. Pra, mesatarisht secili nga ata e ka nga një kredi e gjysmë”, ka theksuar Topalli. Ai ka përkujtuar se VV kishte propozuar në kuvend dyfishimin e buxhetit për ndihma sociale por nuk kishte gjetur mbështetje. Një ndër masat që do të duhej të ndërmerrte Qeveria e Kosovës për të ndalur eksodin Topalli ka sugjeruar se “do duhej të ndaheshin të paktën 30 milionë euro për punësimin e mbi 10 mijë qytetarëve”. “Meqë këta qeveritarë nuk kanë plan ekonomik, më e mira që do të mund të bënin është t’i hipin autobusit e të dalin jashtë vendit të kërkojën azil”, ka qenë sugjerimi kryesor i Topallit të VV-së. “Këta janë të vetmit që i plotësojnë kushtet për azil, sepse kur dalin jashtë vendit mund të thonë se për 15 vite me radhë i kemi bërë keq popullit tonë, e kemi vjedhur, ia kemi shitur pasuritë dhe në fund edhe po e rrahim. Sa më gjatë që të rrijë kjo qeveri, aq më vështirë do të jetë për qytetarët e Kosovës. Andaj, këta duhet të ikin, që populli të mbetet”, ka përmbyllur Topalli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here