AKP: “Falimentimi i blerësit të Llamkosit, me vendim të Gjykatës Themelorë të Prishtinës”

0

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e ka sqaruar sot opinionin se situata e krijuar në ndërmarrjen “Llamkos” ka ardhur si pasojë e inicimit të procesit të falimentimit të blerësit të kësaj ndërmarrje, kompanisë “Coresteel”, dhe se ky veprim nuk ka ndodhur me kërkesë të AKP-së. “Kompania “Coresteel’’ Shpk, si blerës i aseteve të ndërmarrjes së Re “Llamkos Steel”’ Sh,p.k., me aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë numër 1/2015, datë 23.01.2015, është futur në procedurë të falimentimit dhe Gjykata ka caktuar administrator të ndërmarrjes në falimentim. Falimentimi i ndërmarrjes është bërë me kërkesë të Kreditorit “Standard Bank” PLC, me seli në Mbretërinë e Bashkuar për borxhin që “Coresteel” Sh.p.k. ka ndaj kësaj banke”, ka sqaruar Zyra për Informim e AKP-së. “Llamkos” është shitur përmes shitjeve të aseteve me likuidim në muajin gusht 2011 dhe ka qenë nën monitorim për periudhë pesë vjeçare, deri në datën e njejtë të vitit 2016. Blerësi kishte marrë obligim për të investuar një shumë prej 100 milionë eurosh brenda pesë vitesh (25 milionë euro në fazën e parë, 45 milionë në fazën e dytë dhe në fazën e tretë 30 milionë euro), si dhe për punësimin e numrit të përgjithshëm prej 1861 punëtorëve (437 punëtorë në fazën e parë, 637 punëtorë në fazën e dytë dhe në fazën e tretë 787 punëtorë). Mirëpo, blerësi sipas sqarimit të AKP-së që i refereohet raporteve të monitorimit dhe të Auditorëve të jashtëm, nuk i ka përmbushur zotimet. “AKP në përputhje me kontratën e shitblerjes ka aplikuar ndëshkimet financiare për çdo muaj, pas shkeljeve të kushteve të kontratës që janë bërë nga ana e tij. Për fazën e parë janë shqiptuar dhe u janë dërguar blerësit gjoba në shumë 1 milionë e 715 mijë e 485 euro. Për këtë shumë të gjobave të shqiptuara si dhe për dëmet e shkaktuara të llogaritura për fazën e dytë dhe të tretë AKP do të dorëzojë kërkesë kreditore tek Administratori i caktuar nga ana e Gjykatës. Gjithashtu, AKP do të bëjë kërkesë tek Administratori i Ndërmarrjes që të jetë e përfaqësuar në Bordin e Kreditorëve, i cili pritet të themelohet pasi të përfundojë periudha e paraqitjes së kërkesave kreditore që është caktuar deri 23 mars 2015”, ka sqaruar më tej AKP duke shtuar se nuk ka qenë në dijeni për vendosjen e pronave të ndërmarrjes “Llamkos” në hipotekë nga ana e blerësit. “Kontrata e shitblerjes nuk ia ka ndaluar blerësit këtë veprim dhe nuk ka pasur ndonjë kufizim për blerësin mbi vendosjen e pronave të “Llamkos” në hipotekë. Për këtë arsye AKP nuk ka mundësi të bëjë shkarkimin e pronave nga hipoteka, sepse shitja e këtij aseti është realizuar përmes likuidimit”, është përmbyllur sqarimi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here