Adelinë Selmani: “Numri më i madh i poezive të mia ngjizen e gjallojnë në tru, jo në zemër”

0

Erotika është motivi i poezisë së saj. Nuk bëhet fjalë për një autore të lindur e zhvilluar diku në Evropë a Amerikë, por për një në Kosovë, ku poezi gjen me bollëk…  të epopejave  të luftrave të ndryshme si dhe dashurish të treguara sipërfaqësisht.

Adelinë Selmani, ka nxjerrë përmbledhjen e re me poezi, të titulluar: “Oksimoron”.

Në një intervistë për portalin Online, gjuhëtarja nga Vushtrria, thotë se numri më i madh i poezive të saj ngjizen e gjallojnë në tru dhe jo në zemër. Ajo tregon ndikim të madh në gjuhën e saj ka ushtuar edhe shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare. Selmani, letërsinë që lexohet në Kosovë e quan të masës. Ajo thotë se për vete më shumë lexon prozë se sa poezi, një taktizim ky për t’iu shmangur edhe ndikimeve të mundshme.

Selmani vëllimin e parë poetik e kishte botuar si filloriste dhe e kishte titulluar “Marsi i bukur”. Ajo veç Gjuhës studion edhe për Psikologji.

 

Online: Sapo ka dalë libri juaj me poezi “Oksimoron”. Cilat janë motivet e poezisë suaj?

Selmani: Ky është libri im i dytë me poezi, por që dallon shumë nga i pari, përveç largesisë kohore të madhe ndërmjet këtyre dy përmbledhjeve, dallimet edhe më madhore janë në strukturën e poezive dhe në motivet e tyre.  Si bërthamë organizuese e poezive të mia është erotika, e te një numër goxha i madh poezish edhe ndjesitë që ngjizen e gjallojnë në tru, jo në zemër. Edhe, ashtu lindin ato, s’janë rrjedhim i dashurisë që buron nga zemra,po siç thotë edhe Niçja janë dofarë lindjesh Minerve.

Online: Pse ia keni lënë këtë titull?

Selmani:  Kam pasë më shumë se një arsye për t’ia lënë një titull të tillë. Arsyeja themelore është se personazhet kryesore të poezive janë oksimorone, këtë e kam paraqitur edhe në kopertinën e librit. Përveç kësaj, duke qene se më pëlqen loja me fjalët shpeshherë kam nxjerrë kuptime të reja përmes oksimoronit. Si dhe vargjet e fundit, në krahasim me vargjet paraprake janë të shumtën e herave në raporte antitezë.

Meqë jeni gjuhëtare dhe edhe thuhet se poeti banon në gjuhë, çfarë mund të thuhet për gjuhën dhe shprehjet në poezinë tuaj?

Selmani: Kur flasin për gjuhën, laramaninë e shprehjes dhe neologjizmat, gjithsesi më duhet ta përmend Kadarenë. Ai ka ushtruar ndikim të madh në formimin tim gjuhesor, në pasurimin e fjalorit tim mental, si dhe më ka dhënë një model për të tërhequr analogji në krijimin e neologjizmave. Ndërsa për të kaluar në orgjinalitet, ndikim kanë ushtruar studimet e mia gjuhësore. Njohja e gjuhës është shumë e rëndësishme për krijuesin, jo më kot thuhet se kufijtë e gjuhës sime janë edhe kufijtë e botës sime.

Online: Cili është raporti juaj me zhanret e tjera të Letërsisë dhe kush janë autorët qoftë vendorë apo edhe ndërkombëtarë që kanë ndikuar tek ju?

Selmani: Lexoj shumë më shumë prozë. Kur lexojme ne patjetër ndikohemi, e ndikimi mund të jetë aq i madh sa të ndikojë edhe në mënyrën si shkruajmë, si i përdorim fjalët etj., për t’iu shmangur një ndikimi të tillë jam orientuar kah proza.

Online: Si e vlerësoni gjendjen e leximit sot?

Selmani: Nëse flasim për leximin në vendin tonë, s’mund të flas pa një dozë shqetësimi. Ne jemi çfarë lexojmë, dhe nëse veç i marrim dhe i shohim librat që janë shitur më së shumti gjatë një viti mund të konkludojmë se cfarë lexohet, një letërsi mase, hiç orgjinale dhe krejt pavlera, si dhe ca “librushka” pseudopsikologjike. E sa pak lexohet veç është thënë e rithënë.

Online: A mund të jetohet nga krjimtaria letrare?

Selmani:  Po flas subjektivisht, as që mendoj të jetoj nga krijimtaria, për të jetuar nga një gjë e tille duhet të botosh libra të masës si dhe ta konsiderosh si diçka komerciale, librat s’duhet të jenë të tillë.

Online: Cilat janë planet e tua në të ardhmen?

Selmani: Poezia është pasioni im. Diçkaja që e bëj me shumë qejf, që është e qëndrueshme dhe që do të më shoqërojë gjithherë, por primare e kam gjuhësinë, dhe planet e mia janë të orientuara andej.

Adelina1

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here