Abdixhiku njofton: Kandidat i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, mjeku i Koshares, Armend Agolli

0
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar në orët e mbrëmjes se kandidat i kësaj partie për kryetar të Mitrovicës do të jetë mjeku Armend Agolli.
Ja noftimi i plotë i z. Abdixhiku:
“Dr. Armend Agolli, do të jetë kandidati ynë për Mitrovicë!
Një ndër neurokirurgët më me nam të Kosovës, doktori ynë i luftës, doktori ynë i paqes, do t’i prijë garës sonë në ‘Qytetin e Minatorëve’.
I lindur në Mitrovicë, pjesë e një familje të respektuar e patriotike, bashkëshort i Fatmires, baba i Diellzës e Dionisit, Armendi ka kaluar një jetë të tërë në shërbim të vendit. Doktori i Koshares kishte shërbyer me dinjitet e përkushtim në orët tona më të vështira. Ishte kujdestar i trimave e trimëreshave tona. Pas luftës, në liri, pasi kreu shërbimin për atdhe, i ishte kthyer specializimit të tij në Suedi, ku bëri emër ndërkombëtarisht. Atje, në Suedi, ju besuan detyra udhëheqëse si pak të tjerëve në Evropë. Këtë arritje gjithmonë e kishte ndarë me vendin e tij, me Kosovë, duke u bërë një ndër doktorët më të kërkuar në vend. Armendi flet pesë gjuhë; përveç shërbimit në Suedi e Kosovë ka shërbyer edhe në Turqi e Shqipëri.
Në Kosovë e Mitrovicë, të gjithë e njohin si një njeri jo vetëm profesionist, por dhe të dashur e me përplot respekt; një udhëheqës modern në secili angazhim të tij. Është koha që përvojën e madhe të tij ta kthejmë në shërbim të qytetarëve në Mitrovicë; qyteti që ka nevojë për transformim rrënjësisht.
Sot Dega e LDK-së në Mitrovicë ka dërguar si propozim emrin e tij. Me kënaqësi shumë e pranoj dhe do t’ia propozojë Kryesisë sonë për aprovim. Jam jashtëzakonisht i lumtur që profile të tilla – emra me nam botërorë / na bashkohen e bashkëudhëtojnë në rrugëtimin e madh për kthimin e LDK-së.
Armend, të priftë e mbara mik!”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here