AAK: Paralajmërimi se nuk do të ketë fond të sigurimeve shëndetësore, tragjik

0

Departamenti për Shëndetësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë sot se është përpjekur t’i bëjë analizë punës së Qeverisë Mustafa dhe Ministrisë së saj të shëndetësisë në 100 ditët e kaluara, por nuk e ka bërë, “meqë ministria as nuk bënte punë, as nuk lëshonte zë”. “Në këto rrethana kemi mundur vetëm të konkludojmë se Kosovës, kur është shëndetësia në pyetje, nuk po i vijnë ditë të mira. Programi i Qeverisë për Shëndetësi, i bërë publik këto ditë, nuk na ka luhatur në këtë konkluzion, përkundrazi.”
“Dy gjëra mund të kuptohen nga programi qeverisës për shëndetësi: Qeveria Mustafa, lëre që nuk i ka zgjidhjet e veta për problemet në shëndetësi, por as që i ka kuptuar ato të nisura nga qeveria e mëparshme. Rrjedhimisht, programi është përplot zgjidhje të këqija, ndërkohë që nuk adreson shumë probleme me rëndësi. Vende-vende është në kundërshtim edhe me ligjet që e rregullojnë këtë fushë. Ndërsa, për ato pak veprime që mund të bëjnë ndryshimin në shëndetësi, nuk cakton as kush, as kur dhe as si do t’i realizojë, duke u bërë jo program i aksioneve, por listë e dëshirave.” është theksuar në një komunikatë të AAK-së të lëshuar sot.
Për AAK-në, paralajmërimi se nuk do të ketë fond publik të sigurimeve shëndetësore, të paktën deri në vitin 2016, është tragjik, ndërsa arsyetimi se kjo për arsye se qeveria nuk do që ky fond të dalë i keq, është komik. Tragjik, për shkak se Kosova ka pasur nevojë që të ketë fond të sigurimeve shëndetësore publike jo sivjet, por që 15 vjet, kurse komik, sepse arsyetimit se fondi nuk po bëhet për të mos dalë i keq, nuk i beson askush.
Për AAK-në, pretendimi i qeverisë që në mungesë të fondit të ndajë mjete nga buxheti, në mënyrë që brenda dy viteve të arrijnë mesataren e regjionit, është joreal.
“Nëse këtyre zgjidhjeve për financimin iu shtohet edhe mungesa e ideve për përmirësimin e qasjes në shërbime shëndetësore dhe rritjen e cilësisë së tyre, konkludimi është logjik: kjo qeveri nuk ka zgjidhje për problemet e shëndetësisë,” është thënë në konferencën e sotme për media të Departamentit për Shëndetësi të AAK-së, të kryesuar nga Dr. Talat Gjinolli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here