AAK: “Në vend të shtetit të dijes kemi sistem arsimor të politizuar skajshmërisht”

0

Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës e ka zgjedhur 7 Marsin-Ditën e Mësuesit që të nxjerrë në shesh të gjitha të metat që ajo i sheh në sistemin arsimor të Kosovës. Në një kumtesë të nënshkruar nga përgjegjësi i sektorit të arsimit në AAK Jonuz Salihaj është tërhequr vëmendja se “Qeveria e Kosovës në këto 7 vitet e fundit vazhdimisht e ka proklamuar Kosovën ‘si shtet të dijes’, por të gjithë indikatorët flasin për një sistem të politizuar skajshmërisht”. “Nga ‘shteti i dijes’, i cili proklamohet edhe me programin e qeverisë Mustafa, tanimë kanë ikur më shumë se 6000 nxënës dhe mijëra studentë të diplomuar, duke shënuar një braktisje të përmasave të mëdha”, ka tërhequr vëmendjen AAK.

Më posht mund të lexoni kumtesën e plotë të AAK-së:

 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Alliance for the Future of Kosova

Prishtinë, 7 mars 2015

KUMTESË PËR MEDIA

AAK: Sistemi arsimor në Kosovë, i kapur nga partitë që qeverisën që nga 2008-ta

(Sistemi Arsimor i Kosovës në 128-vjetorin e Shkollës Shqipe të Korçës. Kumtesë e Departamentit të AAK-së për Arsimin)

Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Departamenti për Arsim i AAK-së ua përcjellë urimet më të përzemërta mësimdhënësve të të gjitha niveleve, pa kontributin e të cilëve Kosova nuk do të arrinte këtu ku është sot.
Shumë arsimdashës dhe veprimtarë, u persekutuan dhe u vranë, në mbrojtje të shkollës shqipe, e cila i ka rrënjët shumë më të thella se sa shkolla e Korçës e vitit 1887.
Për shtetin e Kosovës më të freskëta janë persekutimet që ndodhën në vitet 1989-1999, kohë kjo kur duke iu falënderuar organizimit gjithëpopullor, arsimi shqip mbijetoi duke ruajtur substancën dhe kontinuitetin.
Mirëpo, ata që dhanë çdo gjë nga vetja për mbijetesën shkollës shqipe, sot me të drejtë ndihen të zhgënjyer dhe të lënë pas dore, pasi që shteti i Kosovës nuk e ka njohur me ligj të posaçëm këtë kontribut, pa të cilin Kosova nuk do të arrinte këtu ku gjendet sot.
Për fat të keq edhe në programin qeveritar 2015-2018 nuk parashihet një hap i tillë, që paraqet një mosmirënjohje për një kontribut të pazëvendësueshëm të mësimdhënësve tanë.
Përvjetorët e tillë, në çdo shtet normal shfrytëzohen për të reflektuar në çfarë rruge jemi duke ecur, çfarë është sistemi ynë arsimor, sa është ai unik, si zbatohen risitë dhe sa të thella janë ato, çka duhet bërë si shoqëri, për një sistem më gjithëpërfshirës dhe më efektiv, çfarë është siguria e fëmijëve tanë etj.
Nëse analizohen me vëmendje të gjithë indikatorët, mund të konstatohet se sistemi arsimor në shtetin e pavarur të Kosovës, është i kapur nga partitë më të mëdha, që e kanë qeverisur vendin nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë.
Qeveria e Kosovës në këto 7 vitet e fundit vazhdimisht e ka proklamuar Kosovën “si shtet të dijes”, por të gjithë indikatorët flasin për një sistem të politizuar skajshmërisht.
Nga “shteti i dijes”, i cili proklamohet edhe me programin e qeverisë Mustafa, tanimë kanë ikur më shumë se 6000 nxënës dhe mijëra studentë të diplomuar, duke shënuar një braktisje të përmasave të mëdha.
Të rinjtë tanë, të pashpresë në qeveritarët e korruptuar, kanë zgjedhur shtetet e BE-së për të mbijetuar, të vetëdijshëm se diplomat që i kanë marrë janë të pavlera, sepse Kosova udhëhiqet që nga 2008 pa strategji dhe pa program ekonomik, që do të garantonte një treg efikas të punës me aftësi absorbuese për punësim.
Qeveria e Kosovës, në vend që të trajtojë arsimin si prioritet kombëtar, si çdo shtet normal, e ka shndërruar atë në një makinë votuese për partitë në pushtet.
Në programin e ri qeveritar, përkundër premtimeve elektorale arsimi nuk trajtohet si prioritet financiar. Madje, autorët e këtij programi dhe as ministri aktual, nuk kanë informacione as për organogramin e organizimit të MASHT-it.
Si të shpjegohet fakti i formimit të një agjencionin për teste, siç shprehet ministri, kur në organogramin e MASHT-it figuron Agjencioni për Kurrikula Standarde dhe vlerësim?
Madje, ministri në një konferencë shtypi paralajmëroi devalvimin e vlerësimit të jashtëm të maturës shtetërore, duke e shndërruar atë në një provim fakultativ, duke eliminuar pragun minimal të kalueshmërisë që është i paraparë me legjislacionin në fuqi.
Nuk mund të shkohet në BE me një përfshirje kaq të vogël të fëmijëve në arsimin parashkollor, me një sistem arsimor jounik, me një braktisje të vazhdueshme të shkollimit të obliguar, me një rrjet kaq të fragmentuar të shkollave të mesme, me një arsim profesional që nuk i shërben tregut të punës, me shkolla private dhe kolegje që kanë fituar licenca dhe janë akredituar pa i përmbushur kriteret bazë, me një Agjencion të Akreditimit në të cilin hetohen njerëzit kyç për korrupsion, me universitete publike të politizuara, të cilat në rangimin botëror vazhdimisht rrëshqasin në pjesën e poshtme të tabelës.
Po ju përkujtojmë se institucioni më prestigjioz i arsimit të lartë, Universiteti “Hasan Prishtina” tanimë është renditur në vendin e 4987.
Kjo rrëshqitje do të vazhdojë, për arsye se rektorati i këtij universiteti, vazhdimisht po ballafaqohet me presione joparimore të pushtetarëve dhe të një grupi të studentëve, të cilët tanimë janë mësuar të konsiderojnë universitetin si pronë private të tyre.
Përvjetorin e 128-të të Ditës së Mësuesit duhet ta shfrytëzojmë që të reflektojmë si shoqëri, sepse është momenti i fundit që të këndellemi para një katastrofe që e pret arsimin në të gjitha nivelet, nëse vazhdon zbatimi i këtyre politikave kolonizuese në sferën e arsimit.
Angazhimi i mësueseve patriotë të Shkollë së Korçës, duhet të na shërbejë si motiv shtesë, për ta shpëtuar arsimin nga klika e qeveritarëve të paditur dhe të korruptuar, të cilët nuk kursejnë asgjë për realizimin e interesave personale.

Jonuz Salihaj,
Kryesues i Departamentit të AAK-së për Arsim

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here