AAK kritikon qasjen e Ministrisë së Brendshme dhe jep rekomandime

0

Në një konferencë për shtyp të Departamentit të AAK-së për Sundimin e Ligjit sot është kritikuar mënyra e menagjimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sipas liderit të AAK-së Ramush Haradinajt dhe sekretarit të kësaj partie, Burim Ramadanit, në këtë ministri mungon qasja profesionale, idetë konkrete, programi i mirëfilltë dhe politikat e qarta. Veq kritikave AAK në këtë konferencë ka dhënë edhe disa rekomandime.

 

Më poshtë mund ta lexoni kumtesën e plotë të AAK-së nga Konferenca për Shtyp:

 

“Dobësitë në menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) përcillen me mungesë të qasjes profesionale, ideve konkrete, programit të mirëfilltë dhe politikave të qarta.
Për më shumë se katër muaj të Qeverisë së re, MPB-ja vazhdon pa asnjë ndryshim, as përmbajtësor, madje as simbolik. Ende nuk është kompletuar. Pra, ende nuk ka as zëvendësministër, edhe pse përgjegjësitë e mëdha të MPB-së e kërkojnë urgjentisht kompletimin.
Thjesht, ka dobësi në menaxhimin e MPB-së, përkatësisht tërë aktivitetet janë të natyrës administrative-procedurale.
Pavarësisht se çfarë deklarata dalin nga Qeveria dhe MPB-ja, dëshmitë janë të kundërta.
Po ju japim vetëm katër argumente:
Argumenti i parë: Strategjitë në fushëveprimin e MPB-së
MPB-ja është përgjegjëse për udhëheqjen e disa Strategjive të rëndësishme. Por, për më shumë se katër muaj, nuk janë emëruar as koordinatorët e Grupeve Drejtuese për zbatimin e këtyre strategjive, si: Krimi i Organizuar, Drogat, Anti-trafikimi me Qenie Njerëzore, Terrorizmi, Menaxhimi i Integruar i Kufirit etj.
Për më shumë se katër muaj, nuk është mbajtur asnjë takim i Grupeve Drejtuese për Implementimin e Strategjive në fushëveprimin e MPB-së.
Argumenti i dytë: Luftimi i Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit
Qeveria aktuale tashmë po thotë se luftimi i Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë “top-prioritete” të saj.
E si mund të jetë prioritet i Qeverisë luftimi i Krimit dhe Korrupsionit, kur askush nga niveli qeveritar madje as nuk takohen për këto Strategji?
Për më tepër, në Programin Qeveritar, janë vetëm 6 paragrafe, saktësisht me vetëm 12 fjali, apo rrafsh 1 faqe prej 89 faqeve të Programit që Qeveria i kushton luftimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Madje, të dyjave bashkë. Dhe, atë vetëm formulime të përgjithshme.
Sikurse fjalia: “Sfida kryesore në luftimin e korrupsionit është mungesa e rezultateve të shumta në hetimet e korrupsionit…” (fq. 40).
Jo, jo, mungesën e rezultateve mund ta shkaktojnë sfidat tjera e jo e kundërta!
Dhe, nëse bazohemi në parimin se “një Qeveri punon në bazë të Programit të saj”, atëherë na del se Qeveria e Kosovës, pikërisht në bazë të Programit, nuk ka synim fare të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
I bie që me numër faqesh, vetëm 1.1 për qind e Programit Qeveritar merret me Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.
A po ju duket se Qeveria e ka prioritet Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit?
Ndoshta po, ama vetëm 1.1 për qind!
Argumenti i tretë: Gjendja e rëndë tek zjarrëfikësit
Një argument tjetër është situata tepër e rëndë tek zjarrëfikësit.
As nuk ka qartësi në sistem, as nuk kanë kushte pune, as nuk kanë paga të dinjitetshme dhe as nuk kanë sigurime shëndetësore.
Madje, 24 kamionët për zjarrëfikësit ka disa muaj (dhjetor 2014 – prill 2015) që janë mbajtur në parking të MPB-së, përkatësisht IPK-së, dhe vetëm dje i janë dorëzuar zjarrëfikësve. Kjo është vërtetë e habitshme!
Argumenti i katërt: Asnjë iniciativë për kushtet e punës për Policinë dhe emergjencat
Është i domosdoshëm Sigurimi Shëndetësor për policët dhe emergjencat. Nuk po ndodh!
Vazhdon shkelja e Ligjit për Policinë e Kosovës, Nenet 47 dhe 48, ku qartësohet shprehimisht kompensimet e obligueshme ligjore për personelin policor.
MPB-ja ka përgjegjësi të madhe për mirëqenien e policëve. E ka obligim. Madje, Policia duhet t’ia kërkojë tërë kohës këtë përgjegjësi MPB-së.
Rekomandimet e AAK-së për Qeverinë dhe MPB-në:
Duke parë dobësitë menaxhuese të MPB-së, AAK ka rekomandime krejt minimale dhe të domosdoshme për këtë fushë, edhe për Qeverinë, edhe për MPB-në:
1.Të emërojë urgjentisht koordinatorët e Grupeve Drejtuese për Implementimin e Strategjive në fushëveprimin e MPB-së dhe të kompletojë Ministrinë;
2. Të mblidhen Grupet Drejtuese dhe të rishikohen shumica e Strategjive, të cilat nuk kanë dhënë efekte;
3. MPB-ja të ndërtojë Programin për Pakon Sociale për Policinë e Kosovës;
4. MPB-ja të fillojë zbatimin e Sigurimit Shëndetësor për policët dhe zjarrëfikësit në mënyrë urgjente, të paktën që nga qershori 2015;
5. Qeveria të rishkruajë Programin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.”

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here