AAB nderoi me Çmimin “Ali Podrimja”, shkrimtarin malazez Jevrem Bërkoviq

0

Në një ceremoni solemne, ku morën pjesë krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të shumtë të korit diplomatik në Kosovë si dhe figura me rëndësi të jetës publike të Malit të Zi, Universiteti AAB ka nderuar sot me Çmimin më të lartë për letërsishkrimtarin malazez, mikun e madh të shqiptarëve dhe të Kosovës, Jevrem Bërkoviq.
Duke u përkulur para fotografisë së poetit më të shquar kosovar, Ali Podrimjes, emrin e të cilit e mban Çmimi më i lartë për letërsi i Universitetit AAB, shkrimtari malazez Jevrem Bërkoviq, ka emocionuar të gjithë të pranishmit deri sa e ka pranuar këtë çmim nga rektori i AAB-së, Lulzim Tafa.
“Jevrem Bërkoviqin, mikun e madh të shqiptarëve dhe të Kosovës, e njoh përmes poezive të tij, por edhe për zërin e tij kritik për çështjet e rajonit. Jam i bindur se edhe vet Ali Podrimja do të ishte i lumtur në amshim pasi që me çmimin që mban emrin e tij, po nderohet sot shkrimtari i madh nga Mali i Zi, Jevrem Bërkoviq”, tha me këtë rast rektori Lulzim Tafa.
Ndërsa, kryetari i jurisë për ndarjen e Çmimit “Ali Podrimja”, prof. dr. Agim Vinca, tha se Bërkoviq e meriton këtë çmim pasi që është njëri nga krijuesit më të mëdhenj të kohës së ish-Jugosllavisë dhe i gjithë rajonit. “Një arsye tjetër pse iu nda ky çmim këtij poeti është se Jevrem Bërkoviq me Ali Podrimjen ishin shokë të vjetër dhe kishin marrëdhënie shumë të mira miqësore në mes vete”, theksoi Vinca.
Në solemnitetin e organizuar me këtë rast, ku u shënua edhe Dita e Pavarësisë së Malit të Zi, nga komuniteti malazez në Kosovë, një fjalë rasti e mbajti edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se çmon lartë veprimtarinë dhe kontributin e shkrimtarit malazez, Jevrem Bërkoviq, për zërin e tij kritik për çështjet rajonale.
Laureati i Çmimit “Ali Podrimja” 2015, Jeverem Bërkoviq, në fjalimin e tij tha se kjo ditë është madhështore për të, por, njëkohësisht edhe e dhimbshme që nuk e ka pranë mikun e tij të ngushtë, Ali Podrimjen. Ai thuajse tërë fjalimin e tij ia kushtoi Ali Podrimjes, duke treguar për miqësinë dhe lidhjen që kishin së bashku, duke e përmendur edhe ëndrrën që e kishin për pavarësinë e këtyre dy shteteve: “Me vëllamin Ali Podrimja, kemi ëndërruar dhe ëndërronim me verë e pa verë se do të vinte dita kur Mali i Zi dhe Kosova të ishin të pavarura.- Më në fund edhe Kosova jote e fitoie shtetësinë dhe njihet ndërkombëtarisht”, iu drejtua Podrimjes. “Atëherë unë premtoja se ne malazezët do të ishim të parët që do e pranonim Kosovën e pavarur, dhe qemë ndër të parët”, theksoi Bërkoviq.
Ai përmendi edhe dy rastet e atentateve të pasuksesshme ndaj tij, pikërisht për shkak të qëndrimit të tij ndaj shqiptarëve dhe Kosovës.

Organizimin e sotëm e ka përshëndetur edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili tha se rrënjët e miqësisë në mes malazezëve dhe popullit të Kosovës janë shumë të thella.
Organizatorët e kësaj ceremonie ishin: Universiteti AAB, Shoqata e Malazezëve të Kosovës, Ambasada Norvegjeze në Kosovë dhe Instituti Ndërkombëtarë Malazez për Shtyp në Nikshiq.
Berkoviq2

Berkoviq 3

Berkoviq4

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here