A ka të drejtë Kosova që të kërkojë ekstradimin e të arrestuarve në konfliktin e Kumanovës?

0

Gjendja e të arrestuarve në Maqedoni raportohet të jetë e rëndë. Disa prej tyre kanë plagë të ndryshme në trup dhe nuk po marrin trajtim të nevojshëm mjekësor, raporton KTV.

Ndërkohë që shumica prej të arrestuarve janë kosovarë, Kosova edhe në këtë fazë mund të bëjë kërkesë për ekstradim, pasi ka një marrëveshje me shtetin e Maqedonisë.

Nga Kosova, po ashtu kërkohet rritje e presionit tek Maqedonia që shtetasit kosovarë të burgosur atje të marrin trajtimin të nevojshëm mjekësor e ligjor.

Derisa shtetasit e Kosovës të arrestuar në Kumanovë mbeten në gjendje të rëndë në Maqedoni, Institucionet e Kosovës mund të bëjnë kërkesë për ekstradim.
Një kërkesë të tillë Kosovës ia mundëson marrëveshja e arritur vite më parë me këtë shtet.

Ligjëruesi i së drejtës penale, Avni Puka, konsideron se kërkesa për Maqedoninë mund të bëhet edhe në këtë fazë.

Sipas profesor Pukës, Kosova duhet të shtojë aktivitetin diplomatik për të kërkuar trajtim të drejtë për shtetasit e saj, pavarësisht veprës që mund të kenë kryer ata. Kosova mund të insistojë edhe në kërkesën për ekzekutim të dënimit eventual të shtetaseve të saj brenda territorit të Kosovës.

Ndërkohë, Burim Ramadani kërkon nga qeveria që të kërkojë nga organizatat ndërkombëtare të merren me kosovarët e arrestuar.

Ramadani thotë se qeveria ka për obligim të kujdeset në çdo rast për shtetasit e saj.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka thënë se është formuar një grup ndërministror ekskluzivisht për rastin e kosovarëve të përfshirë në incidentin e Kumanovës.
Ata kanë thënë se ende nuk kanë asgjë zyrtare dhe se ende nuk është vendosur se si do të veprohet në këtë rast.

Mediet në Maqedoni kanë raportuar se të arrestuarit janë në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi atyre nuk iu është ofruar ndihma adekuate mjekësore.

Edhe familjarët, të cilët kanë realizuar vizita ditë më parë, kanë thënë se bijtë e tyre janë të torturuar dhe kanë plagë të ndryshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here