A ka një shkencë letrare?

0

BEHAR GJOKA

Humnera verifikuese e mosverifikimit të letërsisë, e ka sjellë situatën deri në shtrimin e çështjes se a ka një shkencë për letërsinë? Ndaj kësaj pyetje, në thelbin e vetë në kërkim të rrënjëve, të verifikimit të teksteve letrare, evidentohen qëndrime të ndryshme: A – Ka një shkencë të letërsisë, që përbëhet nga teoria letrare, kritika dhe historia e letërsisë. Pra, kemi një shkencë që përbëhet nga tri disiplina, që kanë si objekt letërsinë. B – Letërsia është e para, pra nëse do të pranohej konceptimi si shkencë, përfundimet e saj, janë të varuara nga leximi dhe rileximi i fakteve letrare. Midis tyre, teoria letrare merret me aspektet teorike të gjinive, llojeve, zhanreve, të stilistikës etj. A është shkencë kritika letrare? Në të gjitha rastet kritika letrare është reagim ndaj botimeve bashkëkohore, ose rivlerësim i teksteve të mëparshme. Vështirë të arrihet në përfundimin se është shkencë, së paku me kritere të logjikës formale. Po historia e letërsisë a është shkencë? Niçe, vetë historinë e ka emërtuar “interpetim faktesh”. Për analogji historia e letërsisë, i bie që të jetë “interpretim veprash ose tekstesh”. Përfundimet e historisë së letërsisë shqipe, shpien ujë në shikimin si një interpretim se sa si përfundime shkencore: Së pari: Varësisht rrethanave dhe nevojave, realizmi socialist, realizon historinë e përjashtimeve, sepse u përjashtuan Fishta, Konica, Skiroi, Koliqi, etj Së dyti: Historia e letërsisë shqipe, vështruar si eseistikë, ka bërë që në Prishtinë, koncepti shkollë letrare dhe avangradë, të shtrihet në të gjithë zhvillimin letrar, duke krijuar një keqkuptim konceptual dhe shkencor, sa edhe Fishta të përfshihet në modernitet. Së treti: Britmat për nevojë të shkencës letrare, madje duke synuar që shkencërimi me të gjithë titujt e mundshëm, të zëvendësojë letërsinë, si dhe mendimin verifikues për të, përmes kumtesash dhe parathëniesh, zakonisht pa libra, një tipar i dëshmuar me krenari, nga mësimdhënësit e universiteteve shqiptare. Letërsia është e para, madje ajo që rrekemi, që ta paraqesim si shkencën e madhe, është thelbësisht e ndërvarur nga letërsia, nga vepra apo teksti letrar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here