A e di kush çka a ka bahet

0

(Kosova dhe Serbia në nga pesë pika dhe në nga një projeksion për 2016-en)

MILAZIM KRASNIQI

NË KOSOVË:

1.Kuvendi i Kosovës tash tre muaj mbetet i mbuluar nga tymi i gazit lotsjellës. Si pasojë, gati gjysma e deputetëve të opozitës janë në burg.

  1. Gjenerali i armatës serbe, Dikoviq, i cili është i akuzuar për krime lufte pikërisht në Kosovë, ishte gjatë dhjetorit në Prishtinë, pa dijen e autoriteteve të Kosovës.
  2. Lajmi kryesor që përsëritet për Kosovën është që Kosova për kokë të banorëve, ka numrin më të madh të vullnetarëve në radhët e ISIS-it.
  3. Sot, më 15 dhjetor 2015 u mor vesh se nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën.
  4. Nuk e di a është ky lajm, por ambasadori i SHBA-ve përsëritë deklarata plot indinjatë për gjendjen në Kosovë.

Çka më tutje?  Gjasat janë që gjatë vitit 2016 të ndodhë një rikthim i ndërhyrjes dhe mbikëqyrjes më të ashpër ndërkombëtare mbi Kosovën. Pse? Shteti që nuk mund ta luftojë në mënyrë efektive pjesëmarrjen e qytetarëve të vet në organizatën më famëkeqe terroriste dhe që nuk ka pushtet efikas legjislativ, nuk ka fat tjetër. (Lexojeni librin e Fukujamës, “Ndërtimi i shtetit” dhe e shihni!) Prandaj, 2016 do të jetë një kombinim i viteve 1989, 1999 e 2004.

 

NË SERBI:

  1. Gjatë vizitës në Beograd, sekretari amerikan i shtetit, Xhon Keri, deklaroi se Vuqiqi po e ndërton “Serbinë e re”.
  2. Serbia më 14 dhjetor Serbia hapi kapitujt 32 e 35 me BE-në.
  3. Në Beograd u mbajt gjatë dhjetorit samiti i OSBE-së, që u vlerësua lart për organizim dhe për lidership.
  4. Serbia e menaxhoi me propagandë të suksesshme krizën e refugjatëve, që kaluan nëpër territorin e saj. U imponua si shtet më serioz, bile më serioz se sa Hungaria e Kroacia.
  5. Para disa javësh NATO-ja e hoqi kufizimin e saj për armatën serbe në kufi me Kosovën.

 

Çka më tutje? Gjasat janë që gjatë vitit 2016 të forcohet partneriteti i Serbisë me BE-në dhe të rritet ndërhyrja e Serbisë në Kosovë, veçmas nëse ndodhin trazira ose ndonjë gjendje anarkike. Në atë rast mund të ketë “ndërhyrje preventive” të Serbisë, për të mbrojtur serbët nga “sulmet e mundshme terroriste të shqiptarëve.” Ndërsa, në rast se do të ketë ndonjë sulm mirëfilli terrorist në Kosovë ndaj serbëve, rritet mundësia e prezencës së forcave serbe në bazë të rezolutës 1244! Pra, Serbia do ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare, madje duke luajtur rolin e shtetit stabilizues (dhe xhandarit!) në rajon.

P.S. Komentet, kritikat dhe vërejtjet tuaja janë të mirëseardhura! (15 dhjetor 2015)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here