7 muajë burg për tentim marrjeje të 200 eurove rryshfet, për zyrtarin e KEDS-it

0

Gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Gjilan, Afrim Shala, në shqyrtimin fillestar ka shqiptuar dënimin ndaj të akuzuarit H. Q. në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muajve burgim efektiv dhe dënim me gjobë në shumën prej 400 (katërqind) Eurosh. Poashtu është shqiptuar edhe dënimi plotësues “ndalimi i ushtrimit të funksioneve në shërbimin si zyrtar i Kompanisë KEDS”, në kohëzgjatje prej 2 (dy) vjetësh, pas mbajtjes se dënimit me burgim. Gjykata sipas një komunikate nga Zyra e Informimit ka gjetur se i akuzuari H. Q., shqiptar nga Vitia, ka kryer veprën penale, “marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK”). Ai së bashku me dy kolegë të tij F. J. dhe B. B. me datë 31.01.2015 rreth orës 14:00 minuta, në cilësinë zyrtarë – punëtorë të Kompanisë KEDS në Viti, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror me rastin e kontrollit të lokalit – picerisë “Kastri” në Viti, kanë kërkuar nga pronari i lokalit një shumë prej 200 Eurosh, në mënyrë që mos ta gjobisin atë në shumë prej 1000 Eurosh, me pretekst se i njëjti është duke e vjedhur energjinë elektrike. Pasi janë marrë vesh që më vonë të kthehen dhe të i marrin të hollat në shumë prej 200 eurosh i akuzuari H. Q. në momentin e marrjes së të hollave me intervenimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kapet dhe arrestohet. Ndaj dy pandehurve të tjerë F. J. dhe B. B. është vequar procedura penale dhe do të zbatohet ndaras nga i dënuari H. Q.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here