38 pyetje, 9 përgjigje

0

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetët kanë ngritur çështje të ndryshme lidhur me zhvillimet aktuale në vend. Duke u ndërlidhur me çështjet që u ngritën nga deputetët, kryeministri Isa Mustafa ka thënë ndër të tjera se programi qeverisës i hartuar nga qeveria që e drejton ai, dhe i cili do të jetë së shpejti në kuvend i ka krijuar kushtet për zhvillim e punësim, ndërsa sa i përket kritikave të deputetëve për bordet e ndërmarrjeve publike, Mustafa ka thënë se do të kërkohen edhe raportet e këtyre ndërmarrjeve publike. “Kuvendi është institucioni që vlerëson performancën e këtyre kompanive publike, dhe nuk është mirë që të politizohen bordet e kompanive publike”, ka thënë Mustafa. Duke folur për njehsorët e energjisë elektrike, kryeministri ka theksuar se hetimet janë duke u zhvilluar nga prokuroria dhe se pas mbylljes së tyre, Kuvendi do të informohet për këtë çështje. Sipas tij Kuvendi do të informohet edhe sa i përket cilësisë së grurit dhe miellit. Mustafa ka folur edhe për formimin e Gjykatës Speciale dhe ka bërë me dije se është duke u punuar në tekstin e ndryshimit të Kushtetutës, i cili do të sillet në Kuvend, si dhe është duke u punuar në tekstin e ligjit mbi Gjykatën Speciale dhe të statusit të saj. Kryeministri Mustafa është zotuar se të gjitha këto dokumente deputetët do t’i kenë në Kuvend për të diskutuar dhe gjatë procesit do të kërkohet edhe qëndrimi i opozitës. Disa prej pyetjeve të deputetëve u janë përgjigjur edhe zv.kryeministri dhe ministri i MKRS-së, Kujtim Shala, si dhe ministrat: Haki Demolli, Ferid Agani , Memli Krasniqi, Mahir Yagcilar dhe Arsim Bajrami. Kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti ka tërhequr vërejtjen që në mungesë të pjesëmarrjes së kabinetit qeveritar, nga 38 pyetje të deputetëve që u shtruan, vetëm 9 sosh kanë marrë përgjegjje.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here