28 nëndegë të LDK-së së Gjakovës kërkojnë nga kryesia qendrore të ndërhyjë në procesin zgjedhor

0

Pjesa e paknënaqur me lidershipin lokal të LDK-së së Gjakovës ua kanë drejtuar një kërkesë organeve qendrore të LDK-së që “të ndërhyjnë urgjentisht në procesin zgjedhor partiak në Gjakovë”.
“Z.Luan Gola, e ka degraduar tërësisht këtë proces prandaj, mbi 300 anëtarë e delegatë kanë dërguar këtë kërkesë në drejtim të strukturave të larta të LDK-së, duke bashkangjitur edhe listat e delegatëve dhe formularët e anëtarësisë së 28 nëndegëve të LDK-së në Gjakovë”, thuhet në një njoftim adrsesuar mediave nga grupi që konsiderohet si “krah” i ish liderit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, por që këto ditë publikisht kanë deklaruar se e njohin për kryetar të LDK-së Isa Mustafën.
“Arsyeja që po ju shkruajmë mediave është fakti se kjo kërkesë është dorëzuar në zyrat qendrore të LDK-së në Prishtinë më 05 prill 2015, dhe ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ne jemi të interesuar që LDK e Gjakovës të rritet e të forcohet kaq më tepër kur të gjithë janë bërë bashkë për të mirën e përgjithshme por po pengohen në qëllimet e demokratizimit dhe rritës së LDK-së në Gjakovë pikërisht nga z.Gola”, është theksuar në njoftim.
Më poshtë mund të lexoni kërkesën e 28 nëndegëve të LDK-së drejtuar kryesisë qendrore të LDK-së dhe kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa:

 

Nga: Anëtarë dhe aktivistë të LDK-së, Dega në Gjakovë
Për: Kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa
Kryesinë e LDK-së
Komisionin statutar të LDK-së

Datë: 05. 04. 2015

LËNDA : KËRKESË PËR NDËRMARRJEN E MASAVE PËR SIGURIMIN E PROCESIT ZGJEDHOR TË RREGULLT NË DEGËN E LDK-SË NË GJAKOVË

Zoti kryetar Isa Mustafa,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së LDK-së,

Ju njoftojmë se zgjedhjet e brendshme të filluara para një muaji nëpër nëndegë të Degës së LDK-së në Gjakovë nuk po zhvillohen në bazë të Statutit të LDK-së dhe Rregullores së Zgjedhjeve. Gjatë këtij procesi zgjedhor në vazhdimësi po bëhen shkelje të rënda jo vetëm procedurale dhe për pasojë procesi i brendshëm zgjedhor në degën e LDK-së në Gjakovë ka marrë drejtimin e degjenerimit dhe degradimit të plotë. Më poshtë po japim disa fakte të evidentuara të shkeljeve të deritashme në procesin zgjedhor në degën e LDK-së në Gjakovë:
1. Përcaktimi i numrit të delegatëve të nëndegëve për Kuvendin e degës në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga Kryesia qendrore. Në ndarjen e numrit të delegatëve për Kuvend të degës nuk është respektuar as kriteri i votave për LDK-në e as numri i votuesve në zonën që mbulon nëndega. Në kundërshtim me kriteret e vendosura nga Kryesia qendrore, nga ana e kryetarit dhe kryesisë së degës në Gjakovë, u janë hequr delegatë nëndegëve: I, V, VII, Kralan, Dol, Dujakë, Ponoshec, Molliq, Sheremetaj, Gërgoc, ndërsa u janë shtuar nëndegëve: III, VI, VIII, Rogovë-Pnish, Lipovec.
2. Përjashtimi, pengimi dhe pamundësimi i pjesëmarrjes së anëtarësisë në procesin zgjedhor. Qindra anëtarë të LDK-së nëpër nëndegë po pengohen, po përjashtohen dhe po u pamundësohet pjesëmarrja në procesin zgjedhor edhe pse janë lajmëruar me kohë tek strukturat e nëndegëve dhe të degës për pjesëmarrje në zgjedhje. Janë përjashtuar nga procesi zgjedhor i deritashëm dhe po tentohet të ju pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje pjesës dërmuese të anëtarësisë së LDK-së nëpër nëndegë si në vijim: në nëndegën I, në nëndegën II, në nëndegën III, në nëndegën V, në nëndegën VI, në nëndegën VIII, në nëndegën Ponoshec, në nëndegën Cermjan, në nëndegën Doblibare, në nëndegën Korenicë,në nëndegën Dol, në nëndegën Gërqin, në nëndegën Lipovec, Jabllanic etj.
3. Mostransparenca e plotë e procesit zgjedhor. Kryesia e degës së LDK-së në Gjakovë nuk ka miratuar itinerarin e zgjedhjeve nëpër nëndegë dhe nuk ka publikuar paraprakisht asnjë termin të mbajtjes së kuvendeve të nëndegëve. Kuvendet e improvizuara të nëndegëve mbahen fshehtë dhe pa paralajmërim as njoftim të anëtarësisë së nëndegëve. Shembuj të tillë janë mbajtja pa njoftim paraprak të anëtarësisë e kuvendeve të improvizura të Nëndegës II, Nëndegës së Cermjanit, Nëndegës VI, Nëndegës III, Nëndegës Ponoshec etj.
4. Nxitja e konflikteve dhe tallja me anëtarësinë dhe veprimtarët e LDK-së. Kryetari i degës dhe disa individë të kryesisë dhe nëndegëve, ju thonë anëtarëve të nëndegëve se juve nuk ju lejohet pjesëmarrja në zgjedhje, sepse formularët e anëtarësimit tuaj janë në verifikim në Kryesinë Qendrore në Prishtinë apo se kemi urdhër nga Kryesia Qendrore në Prishtinë që të mos ju lejojmë të merrni pjesë dhe të zgjidheni në struktura të LDK-së, etj, etj.
5. Mungesa e kuorumit- improvizimi i Kuvendeve. Disa kuvende të nëndegëve janë improvizuar dhe mbajtur pa kuorum, duke shkelur Statutin dhe Rregulloret e zgjedhjeve, siç është rasti me nëndegët e Pnishit, Lipovecit, Doblibares, Nëndegës II, etj.
6. Procesverbalet fiktive. Në një numër rastesh janë shkruar emrat e njerëzve si pjesëmarrës pa qenë fare prezent në Kuvend.
7. Pjesëmarrja dhe interferimi (me ftesë) i anëtarëve të partive të tjera në zgjedhje. Janë vërejtur persona të njohur publikisht si anëtarë të partive të tjera që marrin pjesë në kuvendet e nëndegëve të ftuar nga individë të caktuar në përpjekje dhe me qëllim të improvizimit të kuvendeve në dukje me më shumë pjesëmarrës, ndërkohë që nuk janë ftuar apo janë penguar të marrin pjesë anëtarësia dhe votuesit e rregullt të LDK-së.
8. Moslejimi i konkurrencës dhe garës demokratike zgjedhore. Deri më tash në asnjë nëndegë nuk është lejuar zgjedhja me vota të fshehta e as me më shumë kandidatë as e kryesive të nëndegëve dhe as e delegatëve, ashtu siç e parashohin Statuti dhe Rregulloret për zgjedhje. Në kuvendet e nëndegëve të improvizuara deri më tash vetëm po lexohen emrat e përcaktuar nga Luan Gola dhe disa individë të kryesisë dhe pastaj po kërkohet nga të pranishmit që të miratohen shpejt e shpejt propozimet, me aklamacion dhe pa diskutim.
9. Mospërgjigjja në ankesa dhe kërkesa lidhur me procesin zgjedhor. Deri më tash Kryesia e degës së LDK-së në Gjakovë nuk është përgjigjur në asnjë shkresë të dërguar nga anëtarësia dhe strukturat e nëndegëve në lidhje me procesin zgjedhor. Për më tepër, mësohet se kjo kryesi as që ka vullnetin që të emrojë Komisionin për Ankesa, duke mohuar kështu edhe të gjitha të drejtat njerzore, siq është e drejta për ankesë!
Bazuar në të dhënat dhe faktet e lartcekura, si rezultat i manipulimeve të deritashme të Luan Goles dhe kryesisë së degës, konstatojmë se procesi i brendshëm zgjedhor në degën e LDK-së në Gjakovë, ka marrë drejtimin e degjenerimit dhe degradimit të plotë. Andaj, kërkojmë nga ju z. Kryetar dhe Kryesia Qendrore që duke zbatuar përgjegjësitë dhe kompetencat statutare e ligjore, për të siguruar zgjedhje të rregullta, të ndërmerrni masat urgjente për:
I. Ndërprerjen e menjëhershme të procesit zgjedhor të manipuluar e degraduar në degën e LDK-së Gjakovë;
II. Sigurimin e transparencës së plotë të procesit zgjedhor, përkatësisht publikimin e itinerarit të zgjedhjeve për të gjitha nëndegët, njoftimin publik të anëtarësisë dhe mbajtjen e kuvendeve me transparencë të plotë, në përputhje me Statutin dhe Rregulloret e zgjedhjeve;
III. Rishqyrtimin dhe ripërsëritjen/mbajtjen e kuvendeve të nëndegëve që janë improvizuar dhe deklaruar nga kryesia e degës si të mbajtura deri më tash dhe mbajtjen e tyre në përputhje me Statutin dhe Rregulloret e zgjedhjeve;
IV. Lejimin/sigurimin e pjesëmarrjes së lirë në zgjedhje të të gjithë anëtarëve të LDK-së nëpër nëndegë;
V. Lejimin/sigurimin e konkurencës së lirë duke mundësuar zgjedhjet me më shumë kandidatë dhe me votim të fshehtë, ashtu sic është e garantuar me Statut dhe me Rregulloret e zgjedhjeve;
VI. Mbikqyrjen e zgjedhjeve nga Kryesia Qendrore dhe Këshilli i Përgjithshëm për të siguruar mbajtjen e rregullt të tyre në përputhje me Statutin dhe Rregulloret e zgjedhjeve.

Në përmbyllje të kësaj kërkese theksojmë se në rast se nuk do të ndërmerrni masa të menjëhershme për zbatimin e përgjegjësive dhe kompetencave statutare e ligjore, për të siguruar zgjedhje të rregullta, ne do të jemi të detyruar të ndërmarrim veprime të tjera në kërkim të realizimit të të drejtave tona si anëtarë të LDK-së, përkatësisht të drejtohemi tek instanca të tjera, përfshirë institucionet mbështetëse ndërkombëtare, në vecanti tek Partia Popullore Europiane- European People’s Party (EPP) në të cilën organizatë LDK-ja është anëtare dhe para së cilës ka obligim të respektojë rregullat demokratike dhe lirinë e zgjedhjeve.

Anëtarët dhe aktivistët e LDK-së, Dega në Gjakovë
Bashkangjitur nënshkrimet:

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here