18 mijë francezë do të mbathin këpucë të Suharekës

0

Fabrika për prodhimin e këpucëve “Solid” nga Suhareka ka nisur sot kontigjentin prej 18 mijë palë këpucësh ‘Made in Kosova’ për në Francë, të cilat kapin vlerën prej mbi 300 mijë euro. Prodhimet e Kosovës, jo vetëm që po joshen, por edhe po kërkohen edhe nga kompanitë prestigjioze evropiane e më gjerë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), tha se janë këtu për të shënuar këtë sukses të fabrikës prodhuese Solid dhe i cili i gëzon të gjithë. Ai tregoi se ky prodhues pos që mbulon me prodhime tregun vendës, eksporton edhe në disa shtete evropiane dhe më gjerë.

“Kjo fabrikë dita-ditës po rritet dhe e cila ka rritur eksportin mbi 30% dhe e cila në Kosovë po sjell para të gatshme. Nga këto eksporte pos që përfiton kompania dhe të punësuarit aty, përfiton edhe shteti edhe ekonomia e Kosovës”, tha Shahini.

Edhe prodhuesit e tjerë duhet të ndjekin shembullin e tillë dhe të ngritin eksportet nga të cilat do jenë përfitues të gjithë.

Shahini theksoi se prodhimet e Solidit janë të cilësisë së lartë, gjë të cilën po e dëshmojnë edhe kërkesat e shumta për eksport.

“AKB-ja do të bë të pamundurën që t’i krijohet hapësirë më e madhe prodhuesve vendës dhe që të krijohen politika më konkurruese që i shpijnë ato drejt rritjes, zhvillimit, uljes së papunësisë”, tha Agim Shahini.

Ai shtoi se janë pak prodhues vendës që eksportojnë dhe problem nuk është cilësia, por politikat jo të mira fiskale dhe tejet diskriminuese që të marrin tregje në Bashkimin Evropian e më gjerë. Ai premtoi mbështetje për prodhuesit vendës, duke qenë zë i fuqishëm në të gjitha institucionet, agjencitë dhe këshillat dhe eliminimin e barrierave që kanë prodhuesit.

Ahmet Kuçi, pronar i fabrikës së këpucëve “Solid”, tha se në këtë kontingjent të eksportit janë disa lloje modele këpucësh dhe besojnë se prodhimet e tyre do të priten mirë nga konsumatorët atje. Ai tregoi se eksportojnë edhe në vende të tjera, ku këto prodhime janë shumë të kërkuara dhe të cilësisë së lartë.

“Interesimi jo vetëm i francezëve, italianëve, gjermanëve, zviceranëve, malazezëve, kroatëve, serbëve e vendeve tjera është i madh. Modeli ‘Eram’ u nisë sot për Francë”, tha Kuçi.

Ai tregoi se fabrika prodhon edhe për kompaninë prestigjioze të vendeve të lartë cekura, ku edhe eksporton sasi të mëdha pa ndërprerë dhe shpresojnë se në të ardhmen do të lodhin kontrata dhe eksportojnë në vende tjera. /KosovaLive/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here