Diktatori postmodern

0

SHKODRAN RAMADANI

Është interesant ai momenti kur sheh disa rugovistë që, teksa përqeshin tërheqjen e Albin Kurtit nga posti i kreut të VV-së dhe flasin për rëndësinë e demokracisë si procedurë, harrojnë krejtësisht faktin që idhullin e tyre, Ibrahim Rugovën, nga kolltuku i kryetarit e ndau veç vdekja. Jo zgjedhjet, jo dorëheqja, por vdekja. U desh qe Doktori të vdiste që të vinin në shprehje personat tjerë të partisë. Waw. Cfarë demokracie. Nëse dikush ka pasur kontroll total mbi partinë e vet në historinë e partive shqiptare në Kosove, ai ka qene Dr. Ibrahim Rugova.

Sa prej jush e dini që Ibrahim Rugova kishte këto pozita:

– Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës;

– Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës;

– Kryetar i Republikës së Kosovës;

– Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Kosovë;

– Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish’Jugosllavi dhe

– Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Ibrahim Rugova, edhe pse me personalitet në dukje goxha të relaksuar e të bute, me një prezencë disi poetike, kishte arritur që të krijonte një aurë mistike e cila do ta ruante atë nga rivalët e tij potencialë politikë brenda dhe jashtë partisë. Ajo çka unë nuk kam arritur ta kuptoj deri vonë është arsyeja se pse përmendorja i ishte ngritur atij vetëm pas vdekjes?! Pse nuk i ishte ngritur sa ishte gjallë? Ndoshta për faktin që adhuruesit e tij kanë menduar se ai ka fuqi mbinatyrore dhe se nuk do të vdiste kurrë?! Atij i ishte qëndisur miti për së gjalli. Disa mund të thonë se ai ishte i mëndafshte, se ishte student i Roland Barthes, se e njihte letersinë, se ishte i qetë për nga natyra, se mbante gurët e çmuar e të bukur të Trepçes, se i priste ngrohtë miqtë ndërkombëtarë, se kishte shije të thuktë prej esteti, se ishte fjalëpak, se ishte lakonik në artikulim, e se ai kurrë nuk ofendoi rivalët e tij politik, por kjo nuk e bën atë më pak totalitar.

Këto veçori të tij që krijojnë përshtypjen që kemi të bëjmë me një lider liberal janë mjegullhedhëse dhe mund të na fusin në një spirale të pafundme interpretative. Ai kontrollonte literalisht çdo gjë. Duke qenë se ishte student i dalluar i postmodernizmit, Rugova mund të lexohet edhe si një diktator postmodern i cili e ka revolucionarizuar konceptin e diktatorit. Nëse diktatorët modernë kontrollonin në plotëni debatet, mediat dhe rivalët e tyre politikë përmes prezencës së tyre brutale a-la Stalin, Rugova injoronte në tërësi këta faktorë. Rugova kishte një omniprezencë të heshtur e cila mbështillte pothuajse gjithë opinionin publik.

Ai i ka bërë një rikonfigurim konceptit modern të diktatorit, por pa ia zbehur fuqinë praktike. Rugova ishte diktatori indiferent që shpërfillte bashkëpartiaket, rivalët dhe mediat. Nënçmonte rivalët, injoronte gazetarët, shmangte intervistat dhe nuk i interesonte se çka mendonte publiku për të. Rrallëherë dilte nga zgafella e rezidences së tij. Fliste veç kur i nxirrnim fjaleë me darë. Jo rastësisht Isa Mustafa ndoqi shembullin e liderit të tij dhe zgjodhi rrugën e fshehjes nga sytë e opinionit publik. Mustafa thoshte se “do ta fitojë Prishtinën me duar në xhepa” dhe u ikte debateve me rivalet e tij në zgjedhje. Me këtë synonte krijimin e pershtypjes që edhe ai, njëjtë si Rugova, ishte lideri mistik, standardi i paarritshëm i çdo politikani. Por fatmirësisht kjo nuk i dhezi.

Në një koncept të postmodernizmit të proklamuar nga profesori i famshem i Rugovës dhe ikona e postmodernizmit, Roland Barthes, të quajtur “Vdekja e autorit”, ku autori mbetet nën hijen e tekstit, Rugova pak a shume do të mund të lexohej edhe si “Vdekja e Diktatorit”, ku figura e tij mbetet nën hijen e diktaturës së tij. Diktaturë pa diktator. Tani kanë kaluar 9 vite nga vdekja e tij, por diktatura e tij pa diktator ende vazhdon. “Fryma rugoviane”, për të cilën unë ende nuk kam hasë një përkufizim që ia vlen të merret seriozisht, ende përdoret si karrem për elektorat. Spektri i tij ende qëndron mbi skenën tonë politike. Kurse adhuruesit e tij akuzojnë të tjeret për mungesë demokracie.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here