15 vjet nga vdekja e veprimtarit, Jashar Salihut

0

Sot bëhen 15 vjet nga vdekja e Jashar Salihut, ish-kryetarit të Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret” dhe përfaqësuesit të parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në Zvicër.

Salihu u lind  në fshatin Batushë më 10 shkurt 1953. Shkollën fillore e kreu në fshatin Molliq, ndërsa atë të mesën në Gjakovë. Fakultetin e mbaroi në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, ku studioi gjuhën angleze. Ka vdekur më 16 dhjetor të vitit 2000, në spitalin kantonal të Aaraut në Zvicër.

Ka qenë  anëtar i Levizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve Shqiptare në Jugosllavi, organizatë kjo e cila kishte shtrirë veprimtarinë në Dukagjin në Drenicë dhe vise të tjera. Jashar Salihu ka vepruar brenda Komitetit për Deçan, në kuadër të lëvizjes së udhëhequr nga ideologu, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla. Në Lëvizje ështe edhe vëllai i tij Hajdari Salihu. Më 1 maj të vitit 1990, me organizim të Jashar Salihut e veprimtarëve të tjerë  është mbajtur tubimi popullor  tek Verrat e Llukës, ku kanë marrë pjesë qindra mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe ku ishin arritur të trajtoheshin  106 pajtime; 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa. Disa muaj më vonë milicët e Milosheviqit e  arrestojnë dhe e torturojnë mizorisht. Nga pamundësa për të përballuar torturat fizike detyrohet të marrë rrugën e mërgimit.

Veprimtaria e tij politike, në kuadër të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës, vetëm se do të shënojë ngritje dhe do të marrë dimensione të reja, të shumanshme. Duke qenë paraprakisht në hierarkinë më të lartë drejtuese të saj, me nismën e tij në vitin 1993, do të formohet Fondi “Vendlindja thërret”, fond i cili fillim e mbarimin ka qenë në funksion të formimit të vetëfinancimit të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga ky vit, pra që nga koha e themelimit, ka qenë kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”.Në sensibilizimin e opinionit perëndimor me të vërtetën për luftën e drejtë të Kosovës kundër forcave kriminale të Millosheviqit, roli i Jasharit është i pazëvendësueshëm, dhe, rrjedhimisht, po dëshmohej se jo rastësisht në kuadër të Drejtorisë Politike të UÇK- së. “Shqiptarët e Kosovës janë evropianë dhe nuk kanë lidhje me vendet islamike. Ata janë të vendosur të luftojnë deri në fund”, i ka deklaruar Jashar Salihu gazetës amerikane “The Christian Science Monitor”, të datës 16 prill 1998, duke mbrojtur kështu dhe përhapur të vërtetën për shqiptarët dhe vlerat civilizuese perëndimore të luftës së UÇK- së, njëkohësisht duke demantuar propagandën antishqiptare të regjimit kriminal të Millosheviqit dhe satelitëve të tij. 

Salihu vdiq më 16 dhjetor të vitit 200 pas një sëmundje.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here