100 ditëshi i Qeverisë, nga këndvështrimi i kryeministrit Mustafa

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur sot një konferencë për gazetarë, ku ka prezantuar raportin e punës 100 ditëshe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni të plotë fjalën e kryeministrit Mustafa në konferencë.

“Të nderuar përfaqësues të mediave,

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi trajtuar punën tonë njëqind ditëshe dhe kemi aprovuar raportin e kësaj pune.

Më lejoni t’ju them se synimi ynë themelor ka qenë ndërtimi i një qeverisje të mirë, efektive dhe të përgjegjshme dhe besojmë se me një qasje të tillë kemi arritur të forcojmë besimin e qytetarëve dhe të partnerëve tanë, se Kosova është një shtet i cili ka vitalitetin e vet dhe mund të ndërtohet si shtet i ri dhe i pavarur.

Pra, qëllimi është që përmes realizimit të programit të ndërtojmë një Kosovë demokratike, një Kosovë në të cilën sundon ligji, ku respektohen të drejtat e çdo njeriu pa dallim, dhe një qeverisje e cila promovon zhvillimin ekonomik, e cila promovon mirëqenien sociale dhe ekonominë e tregut.

Mirëpo, poashtu duhet të nënvizojmë se ne kemi filluar mandatin në një gjendje mjaft të rëndë e cila është karakterizuar kryesisht me hendekun e moskonstituimit të institucioneve për gjashtë muaj, me fillimin e grevave të punonjësve të arsimit, të shëndetësisë dhe të gjyqtarëve. Me problemin e buxhetit i cili nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe nevojat dhe është dashur që të bëjmë rrudhje të caktuara të financimit të shumë fushave. Me protestat e organizuara nga opozita në disa qytete të Kosovës edhe në Prishtinë, e cila ka eskaluar në protesta të dhunshme, me ballafaqimin me mundësinë e shkuarjes të kombinatit “Trepça” në likuidim dhe me grevat e minatorëve, si dhe me fluksin e migrimit në dy muajt e parë të këtij viti, i cili ka mbetur ende i pashpjegueshëm në pikëpamje të faktorëve që e kanë shkaktuar por poashtu, i cili është sponsorizuar dhe përkrahur nga krimi i organizuar, nga mashtrues dhe nga profiterë, që u pa sepse tani filloj arrestimi i rreth 80 prej tyre që kanë qenë të lidhur me këtë organizim të migrimit të qytetarëve tanë.

Ne fillimisht jemi angazhuar për stabilitet buxhetor, si parakusht për stabilitetin ekonomik të vendit tonë, kemi arritur që të hasim në mirëkuptim edhe me përfaqësuesit e sindikatave në mënyrë që kërkesat e tyre t’i trajtojmë atëherë kur të krijohet potenciali buxhetor. Por, poashtu konsiderojmë se nuk ka ndonjë shembull që ne e dimë në rajon dhe në vendet demokratike që një qeverie të mos i jepet asnjë ditë mundësi që të konsolidohet që të filloj punën ashtu siç nuk na është dhënë neve nga fillimi i punës, mirëpo mund të them që ne kemi arritur që ta përballojmë këtë, kemi arritur që ta stabilizojmë hapësirën në të cilën ne kemi punuar dhe që të ballafaqohemi me shumë kërkesa dhe me shumë probleme me të cilat nuk janë ballafaquar qeveritë tjera para nesh.

Duhet të theksoj se protestat e dhunshme të cilat kanë ndodhë në Kosovë kanë qenë mjaft të dëmshme edhe për qytetarët e Kosovës, por kanë qenë mjaft të dëmshme edhe sa i përket emrit dhe autoritetit të Kosovës jashtë, dhe se ne në asnjë rast nuk duhet të lejojmë që policët tanë, që njerëzit tanë të sulmohen me gurë dhe që gurët të shërbejnë si instrumente për zgjidhjen e papajtueshmërive politike dhe për ardhjen në pushtet.

Por, me të gjitha këto ne konsiderojmë se ja kemi dal. Ja kemi dalë të promovojmë një vizion për Kosovën si shtet të pavarur, si shtet demokratik dhe shtet i cili duhet të integrohet në strukturat euroatlantike dhe të mbajmë miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe poashtu si shtet në të cilin duhet të sigurohet pavarësia e plotë e legjislativit, e gjyqësorit dhe e ekzekutivit në mënyrë që këto tri shtylla të pushteti ta bëjnë punën e vet ashtu si duhet.

Ne gjatë këtyre tre muajve, njëqind ditëve, kemi aprovuar dokumente shumë të rëndësishme siç janë Programi Qeveritar për katër vitet e ardhshme dhe Plani i Implementimit të Programit Qeveritar, kemi aprovuar Planin e Punës të Qeverisë dhe kemi aprovuar poashtu Programin Kombëtar për Reformat Ekonomike si program i cili është bërë edhe në suaza të nevojave të brendshme por edhe të reformave të cilat ne duhet t’i bëjmë si reforma strukturore karshi kërkesave të Bashkimit Evropian.

Në fushën e ekonomisë kemi bërë ndryshime substanciale të sistemit tatimor dhe mendojmë se këto ndryshime do të japin rezultate në zhvillimin ekonomik, kemi ndryshuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, kemi ndryshuar Tatimin në Fitim, Tatimin në të Ardhura të Korporatave si dhe Tatimin për të Ardhurat Personale. Kemi bërë lirimin nga tatimi për import të makinerisë e cila shërben për prodhimtari dhe për investime në fushën e prodhimit. Kemi bërë poashtu edhe ndryshimet në udhëzimet administrative për pajisjet elektronike fiskale, dhe me këtë do të mundësojmë aplikimin e arkave fiskale që stimulon bizneset për pajisje më arka fiskale dhe poashtu konsumatorëve iu mundëson kthimin e një pjese të TVSH-së, të cilën ata e paguajnë. Jemi marrë vesh poashtu dhe kemi themeluar grupin i cili do të përgatisë ligjin për faljen e borxheve deri më 31 dhjetor të vitit 2008, me çfarë ne do të kontribuojmë që të pastrohen krejtësisht llogaritë dhe poashtu të lirohen qytetarët dhe bizneset për detyrimet të cilat ata nuk kanë mundur t’i bëjnë, dhe kemi arritur që ta mbyllim vitin fiskal 2014 në mënyrë të rregullt dhe poashtu ta aprovojmë buxhetin në afatin e caktuar ligjor.

Jemi duke punuar në menaxhimin efektiv dhe transparent të financave publike. Kemi organizuar bartjen e divizioneve të pagave nga Ministria e Administratës Publike në Ministrinë e Financave, në mënyrë që të bëhet një koncentrim dhe menaxhim më i mirë i kësaj dhe, poashtu me aprovimin e programit kombëtar për reforma ekonomike, kemi përmbledhur të gjitha reformat strukturore të Qeverisë, duke u bazuar në kornizën e qëndrueshme makroekonomike dhe ky është një dokument, që po e koordinojmë me Bashkimin Evropian.

Poashtu e kemi aprovuar edhe programin e borxhit shtetëror, me të cilin jemi përcaktuar për kornizat e këtij borxhi dhe ne po bashkëpunojmë me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për këtë, si dhe kemi marrë vendim në Qeveri për dy huamarrje të rëndësishme nga Banka Botërore, njëra për financimin e reformës shëndetësore dhe tjetra për efiçiencë të energjisë.

Kemi ndryshuar dhe aprovuar udhëzimin administrativ për implementimin e procedurave qendrore të prokurimit. Tani po punojmë në prokurimin elektronik, të cilin do ta zbatojmë gjatë këtij viti dhe poashtu po punojmë për përqendrimin e sistemit të prokurimit në një agjencion, në mënyrë që të mos merren të gjitha ministritë dhe të gjitha organet qeveritare me prokurimin.

Kemi organizuar debate me bizneset, në mënyrë që politikat ekonomike të gjenerojnë nga kërkesat e bizneseve dhe poashtu kemi organizuar dhe themeluar një grup në Qeveri, i cili do të japë konceptin themelor të formimit të fondit zhvillimor, përmes të cilit ne do të përkrahim bizneset e vogla dhe të mesme, e sidomos bizneset e të rinjve dhe të grave dhe poashtu do të përcaktojmë statusin dhe fushëveprimin e këtij fondi.

Kemi mbajtur një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, në të cilën kemi nënshkruar 11 marrëveshje dhe kemi dhënë një deklaratë lidhur me bashkëpunimin ndërkufitar të dy qeverive dhe po përgatisim dhe jemi gati ta mbajmë një takim të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë, në të cilën poashtu do të nënshkruajmë për lehtësimin e bashkëpunimit të këtyre qeverive në shumë fusha.

Kemi arritur marrëveshjen për drejtësi në Bruksel dhe po fillojmë implementimin e shtrimit të pushtetit përkatësisht të ligjeve të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj.

Kemi arritur ta shpëtojmë “Trepçën” nga falimentimi në sajë të ofertës që ka bërë Qeveria e Republikës së Kosovës në Kuvend me një zgjidhje ligjore dhe në bazë të vullnetit që kanë treguar shumica e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

I kemi bërë të gjitha përgatitjet që të nënshkruhet Marrëveshja për Stabilizim-Asociim dhe mendojmë se do të nënshkruhet në mesin e këtij viti dhe poashtu kemi kryer shumë prej përgatitjeve lidhur me përmbushjen e kritereve teknike për liberalizimin e vizave dhe neve na është dhënë premtimi edhe nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian znj. Mogherini, se ne do ta kemi vullnetin politik të tyre në momentin kur t’i plotësojmë të gjitha kushtet teknike.

Kemi përgatitur Ligjin për nivelizimin e pagave, përmes të cilit ne do të krijojmë kushte që çdonjëri të paguhet në bazë të punës që e bën në institucionet e Republikës së Kosovës dhe ky do të jetë një hap shumë i rëndësishëm edhe në reformën e administratës publike.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë përgatitjet e programit për mbështetjen e fermerëve përkatësisht bujqve.

Është zhvilluar hartimi i strategjisë parandaluese kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe kemi arritur që t’ia propozojmë Kuvendit Ligjin për parandalimin e shkuarjes dhe bashkimit të njerëzve në konfliktet e jashtme, të cilin gjatë kësaj periudhe e ka aprovuar Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Në fushën e drejtësisë janë bërë të gjitha përgatitjet për hartimin e Kodit Civil, që është një prej dokumenteve shumë të rëndësishme. Kemi aktivizuar pallatin e drejtësisë.

Në fushën e menaxhimit të bizneseve është bërë rishikimi i infrastrukturës ekzistuese për mbikëqyrjen e tregut të naftës dhe kontrollit të cilësisë së saj dhe mendojmë se në të ardhmen do ta kemi gjendjen më të mirë.

Janë duke u zhvilluar përgatitjet gjatë gjithë kësaj periudhe për procesin e koncesionimit të qendrës së skijimit në Brezovicë dhe poashtu për projektin e Termocentralit Kosova e Re.

Kemi bërë një marrëveshje mes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për punësimin sezonal të 985 punëtorëve në agjencinë e pyjeve dhe poashtu kemi zhvilluar aktivitete lidhur me ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe me projekte të reja të kësaj infrastrukture.

Kemi përgatitur Ligjin për Forcat e Armatosura të Kosovës dhe ky ligj është në pritje të ndryshimeve, të cilat duhet t’i bëjmë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës në të ardhmen.

Është bërë një bashkërenditje shumë e mirë me vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket investimeve në energjetikë dhe investimeve në infrastrukturë. Është bërë takimi me 25 mars në Prishtinë për t’i konkretizuar këto projekte dhe ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet tona që të marrim pjesë aktive në Vjenë, që do të mbahet në mesin e këtij viti, për realizimin e përbashkët të këtyre projekteve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Janë bërë kontakte mjaft të rëndësishme me bashkatdhetarët tanë që janë në vendet perëndimore, që kanë të bëjnë me tërheqjen e investimeve të tyre këtu dhe poashtu që kanë të bëjnë me integrimin e qytetarëve tanë në vendet ku ata jetojnë.

Është përgatitur poashtu strategjia e shëndetësisë, e cila së shpejti do të vjen në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe 100 ditore, ne kemi mbajtur 20 mbledhje të Qeverisë dhe janë nxjerr 136 vendime. Kemi përgatitur 28 projektligje, të cilat janë shqyrtuar në Qeveri dhe i janë dërguar Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe aprovim dhe poashtu i kemi dërguar edhe dhjetë vendime të Qeverisë. Kemi hartuar poashtu edhe tetë koncept dokumente, që kanë të bëjnë kryesisht me përgatitjen e ligjeve të reja dhe dokumenteve të reja, të cilat do të zgjidhin shumë nga problemet me të cilat ne aktualisht po ballafaqohemi.

Ne vlerësojmë se kemi pasur një sinergji të rëndësishme të punës ndërmjet ministrive dhe ndërmjet anëtarëve të kabinetit qeveritar, e cila ka qenë më e lehtë, meqenëse kemi pasur një program qeveritar dhe rrugë të përcaktuar se cilat do të jenë objektivat tona themelore. Këto objektiva kanë qenë që në vend të parë ta shtrojmë çështjen e zhvillimit ekonomik dhe karshi kësaj edhe çështjen e forcimit të shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por gjithsesi dhe gjithmonë duke i krijuar hapësirë të pavarur që këtë ta bëjnë organet e drejtësisë dhe Qeveria të mos interferohet në këto procese.

Ju faleminderit!”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here