Viti kur babadimri nga Brukseli nuk solli asgjë për Kosovën

0

FADIL LEPAJA

U pa puna, babadimri sivjet për kosovarët nuk sjell asgjë. Sidomos ai nga Brukseli. Madje ka fjalë se edhe me 2019, strajca e babadimrit evropian, ka me qenë po kaq e zbrazët për ne. Por kush do të marrë rolin e babadimrit i cili nuk sjell asgjë? A do të vishet Mogherini si babadimër, që të shpërndajë dhurata nëpër Ballkan e për Kosovën të shpërndajë fjalë e direktiva? Edhe mundet. Ja ka marrë dorën.

Por, nuk mundet Evropa veç për Kosovën me pas një babadimër special. Në mes të dilemës, se a duhet zgjedhur dikush të cilin e duan të gjithë apo dikë të cilin/cilën nuk e do askush, në Kosovë dhe në rajon, shumë më e lehtë është të zgjidhet një personalitet nga kjo kategoria e dytë.

Duhet të jetë dikush të cilit/cilës Daçiçi do të i këndoj serenatë, dhe do e bëjë vetën palaqo politik, për të argëtuar babadimrin, ashtu si e argëtoi Edi Ramën dikur duke i kënduar rrëzë veshit atë këngën e famshme të dashnorëve politik “O sole mio”, apo si e argëtoi, presidentin Erdogan , me këngën e famshme të Osman Pashës për të cilin kënga thotë se e kishte vajzën shumë të bukur. Apo si e argëtoi Hashim pashën, të cilin edhe pse nuk e dimë se cilën këngë, si apo kur, me siguri do ta ketë argëtuar, duke marrë parasysh prirjet e tij për të qenë …argëtues. Ai secilit i këndon këngën që do të dëgjojë, ndërkaq kështu fiton kredi për të bërë lëvizjen e radhës dhe për të ndjellë buzëqeshje edhe kur bënë ndonjë të pabërë. Epo Daçiç, ma, thonë vetë me vete…krejt!

Ai me një rast, pa i bërë syri tërr, betohet se kushdo që e njeh, e di se ai asnjëherë askush nuk e ka parë të dehur në publik, edhe pse në youtube ka plot video, ku ai “ e vozitë anijen nëpër asfalt” apo thënë ndryshe e ka zënë deti në tah të rrafshit. Politikë, sipas qytetarëve, dmth me rrejt hijshëm.

Nejse, argëtuese për dikë, sidomos në Serbi, dukej ai rasti kur me urdhër të tij i patën kidnapuar policët kosovarë këndej kufirit, dhe pastaj i patën lidhë, i patën shtrirë përmbys mbi dushkun e pyllit, dhe i patën ekspozuar para medias . Këtë shaka, natyrisht, policët kosovarë duket se nuk ja kanë harruar as falur asnjëherë, sa që ja kthyen, jo atij por, kolegut të tij Gjuriç, disa vite më vonë.

Pra këtu po i përmendim vetëm ato raste dhe mundësi, që përkojnë me atmosferën festive, dhe po merremi me të gjithë të cilët mund të marrin rolin e babadimrit, apo vetëm të bartin strajcën e tij me dhurata, nëpër media. Për Kosovë, dihet kush ja bartë strajcën Mogherinit, strajcën e zbrazët për Kosovën.

Është e kuptueshme se kreu i BE, për dallim prej kreut të disa vendeve mike dhe armike të BE, si duket është në dilemë, kë me e veshë si babadimër , për Ballkanin perëndimor dhe Evro-Azinë. Diqysh po na shohin bashkë dhe në këtë kontekst, personi i parë që të vjen ndër mend është e dashura jonë, e krejt kosovarëve, Mogherini. Ajo diqysh thua se po i dëgjon urimet e kosovarëve në diasporë, të cilët pa zë shpesh i luten zotit mos me u liberalizua vizat, se pastaj qysh jemi ne të pa parashikueshëm, për një gjygym qaj, nisemi krejt familja për në Bruksel, e kthehemi me sabah në shpi.

Do të thoni, skeptikët, se nuk ka ndonjë dashuri reciproke në mes të saj dhe kosovarëve dhe mbase keni të drejtë, por ajo na do, na do sikur fëmijët e llastuar , të cilët nëna e madhe Evropë i dënon me qëndrim në qysh, qëndrim në njërën këmbë, me qëndrim me gjunjë mbi kokrra misri, pasuli apo çfarëdo bereqeti tjetër, se Evropa për ne është bereqet.

Apo, me çfarëdo dënimi tjetër që mund të mendojë një njerkë e zemëruar ndaj fëmijëve që nuk i ka lindur vet. Nejse, kjo puna e fëmijëve dhe Evropës është dilemë po aq e vjetër sa edhe ajoi mes pulës dhe vesë, por se kjo maskohet dhe mjegullohet me deklarata dashurie nga të dyja anët. Tash së paku dënimet ma nuk do të jenë të formës: “Serbia mund të pastrojë territorin e vet”.

Shqiptarët në këtë shekull, sapo e hoqën sharkinë dhe çiftelinë nga televizionet kabllore apo interneti, filluan të i këndojnë serenata Evropës, por kori evropian për ne këndoi këngë me tekst dhe tone të përziera. Për të qenë pjesë e Evropës duhet të akuluturohesh, të mos dallohesh nga të tjerët, prandaj na vunë kritere të cilat përpos Hashim pashës vështirë se i plotëson ndokush.

Për shembull, Ramush begu nuk del me asnjë kusht në paradë, edhe pse është krenar deri në skejt, ku nuk shkon ma andej, por pasha i Burojës, del, edhe pse nuk njihet si natyrë krenare, por në fund të fundit pse mos me dalë. Krejt po dalin. Krejt kolegët e tij. Kohëve të fundit ai kolegë po i konsideron vetëm presidentët dhe mbretërit. Aq shumë është familjarizuar me këtë kategori sa edhe Kosovën po e sheh si republikë presidenciale, apo mbase edhe si Zogu, si mbretëri. Lartëmadhëria e tij!

Pra, dilema, a me veshë Mogherinin, presidentin Han apo kancelarin Merkel, apo Makronin, nuk është dilemë e pa qenë. Kush e sjell mesazhin për ne, si do të thoshte kumbara, është në marrëveshje me … po e dini! Në marrëveshje përfundimtare, gjithë përfshirëse…

Këshilla e mikut, për kreun evropian: pasi ska dhurata, për ne mos e mundoni hiç as babadimrin…!

E për juve urime, urime, urime! Ne edhe ashtu, natën e parë e kalojmë me familje, të dytën me Afrimin ja Nysretin, e të tretën, nëse kem pi veç çaj …nuk dihet ku! Gëzuar!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here