UDHËZIME PËR TË MOS E PËRSËRITUR HISTORINË

0

Për librin e Haki Morinës, “Jetë në rrugëtim”

URAN KRASNIQI

Librin “Jetë në rrugëtim” të autorit Haki Morina ia nisa që ta shfletoj me idenë që të shoh në fillim përmbajtjen dhe pastaj në një moment tjëtër t’i përvjeli mëngët për ta lexuar. Mirëpo kështu nuk “kishte menduar” edhe libri, i cili nuk u pajtua me këtë “paralojë” timen. Ajo që më ndodhi ishte tamam si ai rrëfimi popullor: “O babë e kam nxa hajnin!”. “Ani lëshoje!”. “E kisha lëshu po s’po më lëshon ky”. Pra nuk më lëshoi libri i Hakiut.
Ne të gjithë e dimë se shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë kërkuar më shumë të drejta dhe janë burgosur, por në shumë raste me aq jemi ndalur. Libri i Hakiut shkon më përtej, duke sjell përvojën e autorit në vitet e 80-ta ai sjell kontekstin e jetës së asaj kohe në Kosovë, si dhe detajet më të imëta se si ishte që të angazhoheshe për më shumë të drejta të shqiptarëve. Shumë ish-të burgosur nuk kanë shkruar për atë kohë, duke bërë që historia jonë të jetë më e varfër. Libri i Hakiut është përpjekje për ta mbushur atë boshëllëk, që mjaftohet me fjalë “në ish-Jugosllavi shqiptarët kanë kërkuar më shumë të drejta” dhe “janë burgosur”. 
Gjatë leximit shpeshherë më kanë dalë lotët, sidomos në pjesët ku Hakiu tregonte për torturat e përjetuara gjatë procesit hetimor po edhe vuajtjen e nënës së tij e mallkimet që ajo iu bënte mashave shqiptare të pushtetit të atëhershëm jugosllav, duke qenë e pafuqishme përballë trajtimit brutal të djalit të saj.
Hakiu në libër thotë se shumica e torturuesve të tij ishin shqiptarë. Tregon se si kur nuk e lanë që të merrte pjesë në varrimin e nënës, vëllau i tij i kishte treguar se si gjatë tërë kohës nuk dinte të thoshte fjalë tjetër, pos “o shqiptarët e zi, o shqiptarët e zi”.

Thonë se “historia që harrohet përsëritet” dhe se “historia është mësuesja më e mirë e jetës”. Libri i Hakiut është kontribut për kuptimësimin e të dyja këtyre thënieve. Shqiptarët duhet të mësojnë nga historia që historia të mos iu përsëritet. Libri i Hakiut mund të quhet edhe si një material i mirë për ta lexuar shqiptarët që për të mos dalë kundër vetvetes.

Për sa u takon zyrtarëve shqiptarë të komunizmit në ish-Jugosllavi, ai shkruan me nota zhgënjimi se si plot nga ta sot vazhdojnë të kenë funksione edhe në institucionet e Republikës së Kosovës, shtetit për të cilin torturuan Hakiun dhe shumë shqiptarë të tjerë apo edhe do të shfaqen nëpër studio televizive “duke bërë analiza”.   


Hakiu në libër tregon se si ishte gëzuar kur kishte kuptuar që do të shkonte në Zenicë, ku do të takonte të burgosur të tjerë politikë shqiptarë, por ai nuk e kishte ditur që pikërisht aty do të gjente zhgënjimin më të madh. Aty Hakiu do “t’u prishte punë” atyre që e kishin projektuar veten si “liderë” të të burgosurve të tjerë politikë dhe Hakiu do të izolohet si mos më keq.

Hakiu në libër sjellë momente interesante me protagonistë që në atë kohë kanë qenë të panjohur për publikun, por që sot njihen nga të gjithë. Azem Syla, Sami Lushtaku, Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sokol Bashota janë vetëm disa nga ata qëndrimet e të cilëve lexuesi do t’i gjejë në librin e Hakiut.  

Hakiu në rininë e tij ishte një nga ata që e idealizonte Shqipërinë. Në libër ai rrëfen edhe për shkuarjen e tij ilegale në Shqipëri për herë të parë. Për udhëtimin e vështirë për deri në territorin shqiptar, çka gjykuar për realitetin e sotëm dhe mundësitë e sotme, një largësi aq e madhe e Shqipërisë nga Kosova tingëllon si diçka absurde.

Hakiu përshkruan edhe takimin me ish-të burgosurin që tashmë është i zhdukur, Ukshin Hotin, dhe porosinë që atij i kishte dërguar ish-lideri socialist e ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano.

Haki Morina paslufte është një person që nuk ka shumë kapital material, por libri “Jetë në rrugëtim” është një kapital për historinë e re të shqiptarëve të Kosovës. 

(Autori është redaktor në Radiotelevizionin e Kosovës)  

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here