Të rinjët e politikës apo mendjemëdhenjët e mbingarkuar

0

Më befason fakti se këta politikanë të sapoformuar po e përdorin gjuhën politike bardhë e zi edhe pse të proklamuar apo vetëklasifikuar si të dalë nga një elitë e shoqërisë civile, ani pse ka kohë që në demokraci elita nuk konsiderohet si e arritur e shoqërisë, por si grupim i mendjemëdhenjëve të mbingarkuar.

Bahri Bivolaku

 

“Mos i bjerë shkelm kosheres që dëshiron t’i marrësh mjaltin.” – thotë një proverb amerikane, të cilën liderët partiak e përdorin në raste të rralla, e që po ta përdornin gjithnjë, sigurisht që efekti politik do të ishte shumë më i madh për ta personalisht, por edhe për partinë të cilës i takojnë. Të kritikosh e akuzosh të tjerët nuk është gjithaq veprim që sjellë dobi, veçanërisht atëherë kur nuk e ke ndonjë arsye të madhe. Liderët duhet të kursehen nga akuzat e atakimet publike pa marrë parasysh etiketën e vënë nga kritikuesi. Janë vartësit e tyre ata që duhet të reagojnë, flasin, kundërshtojnë, etj.

Ishte befasuese për mua se si në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, zoti Abdixhiku edhe pse i ri në moshë por dhe politikë, synon të ndërtojë karrierë politike me metoda të vjetra e të konsumuara. Më befason fakti se këta politikanë të sapoformuar po e përdorin gjuhën politike bardhë e zi edhe pse të proklamuar apo vetëklasifikuar si të dalë nga një elitë e shoqërisë civile, ani pse ka kohë që në demokraci elita nuk konsiderohet si e arritur e shoqërisë, por si grupim i mendjemëdhenjëve të mbingarkuar. Të tillët duhet ta kenë të qartë se pozicionin ku mbaron politika dhe fillon kriminaliteti e vendos Gjykata dhe jo vet politika. Mendoj që roli i politikës e veçanërisht politikës synuese të një brezi të rinjësh, nëse e don ekzistencën është që të nxisë krijimin e alternativave për të mirën e përbashkët dhe ta kapërcejë hendekun midis kritikës dhe veprimit konkret politik.

Edhe ky brez politikanësh, po sikur ai i vjetri, mungesën e alternativës karshi partive që kanë pushtetin po mundohet ta kompozojë nga demonizimi i kundërshtarit, ku polarizimi nuk përdoret më si rezultat i kundërshtive. Ai është kthyer në tendencën për zëvendësim, e cila për qytetarët sjellë konkluzionin: “Ndoshta këta që po qeverisin janë të këqinjë, porse këta që dëshirojnë të vijnë janë edhe më të këqinjë.” Mënyra e tillë e vjetër e të bërit politikë, e që për fat të keq po përcillet nga një brez i ri i politikanëve, me të madhe po kontribuojnë jo në krijim të alternativave, por në humbje të imazhit të jashtëm të Kosovës, gjersa brenda saj me këto qëndrime dhe këtë gjuhë politike e ndihmojmë rritjen e vargut të qytetarëve të zhgënjyer nga politika. Thonë që kritika pa dhënë alternativën e zgjedhjes së problemit të ngritur kthehet atje nga ku është nisur. Abraham Lincoln në një fjalim të tij thotë: “Një pikë mjalti tërheqë më tepër miza sesa një litër uthull.” E dhënia e alternativës për politikën aktuale në vend është vet mjalta dhe këtë gjë duhet ta kuptojë brezi i ri i politikës, në vend se ta imitojnë në veprim brezin e vjetër.

Kosovës, skemës së saj politike, nuk i duhen imituesit e rinjë të politikës së vjetër, i duhen të rinjë që bartin mbi supet e tyre koncepte të reja të mënyrës së të bërit politikë. Politika në Kosovë me synim europian, thelb të programit të saj duhet ta ketë dinjitetin njerëzor si pikënisje, gjersa krijon ambient që kundërshtitë të zhvillohen me dinjitet njerëzor. Qytetarët e Kosovës kanë filluar të ngopen me politikën e vjetër pa marrë parasysh akterët të rinjë në moshë apo të vjetër dhe me të drejtë presin ndryshime e reformime të vet partive politike. Brezi i ri i politikës duhet jo të ecë rrugës së vjetër, por të krijojë mundësinë për të bërë kapërcimin kualitativ politik e qeverisës në Kosovë me promovim të kursit europian të bërjes së politikës, duke i dhënë gjallërinë dhe kreativitetin e saj për t’u zhvilluar nga diskutimet mes përdorimit racional të kapitalit që ka vendi dhe nevojave të qytetarëve. Një debat i tillë i hapur me të gjithë, rigjallëron politikën në Kosovë dhe eliminon personifikimet politike e personalizimet.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here