Prishtina Dog Shelter, është njëra nga strehimoret e qenve, që saktësisht ndodhet në Graçanicë, disa kilometra larg Prishtinës. Rreth 40 qen të marrë nga rruga tash për tash janë të strehuar aty.

Mentor Gashi, themelues i OJQ-së me po këtë emër, për Gazetën Observer tregon se kapacitetet e kësaj strehimoreje nuk lejojnë që në të njëjtën kohë të mbledhin më shumë qen, pasi parashihet që të jenë në dispozicion rreth 10 metra katror për një qen.

Pasi mblidhen nga rruga, qenve u ofrohet vakcinimi, sterilizimi, dhe përgatitja për adoptim. Mirëpo, sipas Gashit kushtet për adoptim nëse dikush dëshiron të marr një qen nga strehimorja janë strike dhe nuk ka toleranca.

Të interesuarit për adoptim duhet të nënshkruajnë kontratë adoptimi dhe duhet ta trajtojnë në mënyrë humane e të mbajnë përgjegjësi për trajtim të dinjitetshëm, human dhe mirëqenie të qenve.

Në kontratën e nënshkruar mes palëve theksohet qartë se qeni duhet të trajtohet si anëtar i familjes me kujdes e dashuri, duhet garantuar siguria psiko-fizike e tij, duhet të ushqehet së paku dy herë në ditë. Duhet të ketë qasje në ujë të pijshëm nonstop. Po ashtu qeni duhet të jetojë brenda në shtëpi/apartament ose t’i sigurohet kolibë e përshtatshme e mbrotjur nga uji dhe jo e izoluar nga pronari. Lëkura dhe gëzofi i qenit duhet të mirëmbahet në mënyrë adekuate, ndërsa rekomandohet trajtim një mujor kundër parazitëve, pastrim me shampon të veçantë dhe tharje e tërësishme para se të dalë nga shtëpia. Qeni i shoqëruar preferohet që të nxirret në shëtitje, i lidhur, për 30 minuta deri në 2 orë për aktivitet ditor, dhe vetëm gjatë këtij aktiviteti të mbahet i lidhur. Ndërsa në mënyrë rigoroze në kontratën e adoptimit theksohet se ndalohet çdo lloj abuzimi, përfshirje në luftëra qenësh, apo keqtrajtim tjetër ndaj tij.

Gashi tregon se janë këto arsyet se më shumë preferojnë adoptues ndërkombëtar, pasi nuk kanë qenë të rralla rastet kur qentë që janë adoptuar në Kosovë nuk janë trajtuar mirë.

“Te ne ende nuk ka kulturë të mbajtjes së qenve. Kemi pasë raste kur qentë e adoptuar i kemi rikthyer në strehimore edhe të lënduar”, thekson Gashi.

Qentë të cilët nuk gjejnë një adoptues rikthehen në habitatin e tyre, prej nga edhe janë marrë, por kuptohet të sterilizuar dhe kastruar, pasi kjo është mënyra më humane e mbajtjes në kontrollë të shumimit të tyre dhe zvogëlimit të numrit të qenve endacak.

Strehimorja, varet nga donacionet të cilat nuk janë të qëndrueshme, prandaj ndihmat janë të mirëseardhura aty. / Gazeta Observer/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here