Sot nuk të vlerësojnë për peshën e mendjes, por për peshën e kuletës

0

Fatjon Xhafaj

E keni vënë re ndonjë që mund të jetë veshur keq në një lokal? Po ndonjë që nuk është rregulluar shumë dhe ngjan sikur e ka lënë veten pas dore? Me siguri, jo. Me siguri, sytë ia keni hedhur për pak çaste, keni mbledhur fytyrën në shenjë përbuzjeje, dhe pastaj keni parë përreth nga ata që ju frymëzojnë për veshjen dhe sjelljen e tyre prej rebeli.

Edhe pse mund të duket paksa e ekzagjeruar, unë mendoj se ky është thjesht realiteti. Kam qenë prezent në situata të shumta, ku personaliteti dhe njohuritë janë nënvlerësuar përpara pasurisë. Kjo gjë nuk ka lidhje vetëm me korrupsionin, pasi dihet që vendi ynë shquhet për këtë fenomen. Më tepër, unë mendoj se kjo ka lidhje me vetë ne dhe natyrën tonë gjykuese. Neve nuk na hyn në sy dikush që është veshur keq, që nuk e mban shumë veten, që rri gjithë ditën mbi libra. Për ne, interesant duket dikush që rri ulur gjithë ditës në kafene me celularin e shtrenjtë në duar, që ka makinë të shtrenjtë, që është veshur mirë etj. Ne mendojmë se ai person është interesant, sepse pasuria e bën të tillë.

Por ta them unë se çfarë ndodh. Normalisht nuk është faji i asnjë të riu që të ketë lindur në një familje të pasur. Çdokush nga ne do ta shfrytëzonte pasurinë e prindërve të tij, por ai i ri që nuk e njeh vështirësinë e punës, që nuk e njeh kënaqësinë e rrogës së parë dhe nuk i njeh as netët pa gjumë për shkak të stresit, ai kurrë nuk do të rritet. Mosha është thjesht një numër. Ajo që e tregon të rritur një person, është mendja e tij. Bëj njëherë muhabet me një “tullac me x6” (si ato që ju i quani “legjenda urbane”, por që ekzistojnë vërtet si raste) dhe me një person jo të pasur nga kuleta, por të pasur nga mendja. Do ta kuptosh direkt ndryshimin.

Për fat të keq, sot paragjykimet vazhdojnë, pasi ne jemi njerëz shumë të cekët dhe sipërfaqësorë në gjykim. Për ne njohuritë dhe dija kalojnë në plan të dytë krahasuar me pasurinë, kur nuk duhet të ishte kështu. Një i pasur mund ta humbë pasurinë, ose ta ketë pasurinë si gjënë e vetme që ka. Ndërkohë dija nuk humbet kurrë.

Të gjithë ne do të kemi të njëjtin fund, pavarësisht pasurisë materiale. Ajo që neve na diferencon, është dija dhe mënyra se si ne sjellim ndryshim në botë me njohuritë tona. Mjaft kërkuam lekun, sepse ai është i përkohshëm. Ai plotëson nevojat materiale, por jo ato shpirtërore. Si thoni sikur të ndryshojmë disi dhe të shohim përtej peshës së kuletës së dikujt? Si thoni sikur të biem në dashuri me mendjen, përpara se të mendojmë për kuletën?

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here