Finalja e nëntë e Europa League-s përfaqëson një ndër finalet më të veçanta në histori, teksa vë përballë në Lyon Atletiko Madridin, skuadrën që në vitin 2010 ka fituar edicionin hapës të këtij kompeticioni dhe Olimpikun e Marsejës, klubin që në vitin 1993 triumfoi në sezonin inaugurues në Champions League.

Që të dy këto ekipe përfaqësojnë dy klube me shumë emër në historinë e Kupave të Evropës, sidoqoftë rruga e tyre ka qenë krejtësisht e ndryshme. “Los colchoneros” u pozicionuan në vendin e tretë në fazën e grupeve në Champions, ndërsa klubi francez e filloi aventurën në mesin e muajit korrik, kur kaloi në turin e tretë eliminator skuadrën e Oostendes.

Natyrisht, duke parë ecurinë e deritanishme, “bardhekuqtë” konsiderohen favoritët e mëdhenj të këtij aktiviteti, por sigurisht kjo është e kuptueshme, duke marrë në konsideratë faktin që emra të tillë si Filipe Luis, Gabi, Diego Godin, Juanfran, Koke apo dhe Saul kanë qenë pjesë e skuadrës që në sezonin 2011-12 ia doli mbanë për ta ngritur këtë trofe, pa harruar që dyshja Vitolo – Kevin Gameiro e ka fituar këtë kupë tri herë radhazi me ekipin e Seviljes.

Atletiko Madridi përfaqëson një ndër skuadrat me më shumë eksperiencë në Kupat e Evropës në dekadën e fundit. 2 finale të humbura në Champions me Realin në pesë vitet e fundit tregojnë vërtet shumë në këtë aspekt, madje, si për të konfirmuar diferencat, klubi madrilen kërkon trofeun e tretë në Europa League në harkun e nëntë viteve të fundit, pas suksesit të vitit 2010 në Hamburg, ku “bardhekuqtë” të drejtuar nga Quique Sanchez Flores, falë një goli të realizuar 4′ para ekzekutimit të 11-metërshave nga sulmuesi i famshëm uruguajan Diego Forlan, mundën 2-1 Fulham-in e trajnerit Roy Hodgson, ndërsa në vitin 2012 “los colchoneros” shkatërruan në finalen e Bukureshtit 3-0 Athletic Bilbaon falë një 2-golëshi të Radamel Falcao-s, për më tepër me trajnerin Diego Simeone në timon.

Trajneri argjentinas e mori drejtimin e skuadrës në fundin e vitit 2011, për ta shndërruar shumë shpejt në një ekip tepër solid, që shquhet për forcën fizike dhe mbrojtjen hermetike, duke thyer vetëm pak vite më vonë hegjemoninë e gjigantëve Real – Barça në Primera Division. “Bardhekuqtë” priteshin në një finale të tillë që nga momenti i eliminimit nga Championsi, megjithatë duhet të kenë qenë fare të pakët ata që kanë parashikuar Marsejën në takimin përmbyllës të këtij kompeticioni.

Ekipi nga Provansa e kaloi fazën e grupeve me vetëm katër gola të shënuar dhe për të mbërritur deri në finalen e Lionit l’OM ka zhvilluar plot 18 ndeshje në këtë aktivitet, sidoqoftë merita kryesore i takon arkitektit Rudi Garcia, që riktheu besimin në skuadër, duke siguruar në këtë mënyrë finalen e pestë në historinë e klubit në Kupat e Evropës.  gjithsesi ky kompeticion është shndërruar gati-gati në mallkim, sepse asnjë klub francez nuk ka arritur për të fituar Europa League-n, apo qoftë edhe Kupën UEFA në histori.

Katër dekada më parë Bastia u mund në dy ndeshje nga PSV Eindhoveni, ndërsa në vitin 1996 Bordeaux u mposht me rezultatin e përgjithshëm 5-1 nga Bajerni i Mynihut. Pasi u thye fillimisht në Bari me 11-metërsha nga Crvena Zvezda, çerek shekulli më pare, ekipi marsejez mundi Milanin në “Olympiastadion” të Mynihyt në edicionin e parë në Champions, por që nga ajo kohë klubi nga Provansa ka dështuar në dy finale në Kupën UEFA, në vitin 1999 në Moskë, kur ishte Parma që fitoi 3-0, si dhe në finalen e vitit 2004 në Gothenborg, kur triumfoi Valencia me rezultatin 2-0. Ky ishte edhe takimi që i hapi rrugë dominimit spanjoll në këtë aktivitet, pasi klubet e këtij vendi në vazhdim numërojnë plot 8 trofe në 14 edicionet e fundit.

Kurioz është fakti që Diego Simeone është i vetmi trajner joevropian që ka triumfuar në Europa League, kompeticion që në tetë edicionet e mëparshme është fituar vetëm nga trajnerë spanjollë apo portugezë, gjithsesi është e kuptueshme që kjo finale përbën mundësinë e vetme për të siguruar një trofe për këto dy klube në këtë sezon.

Falë vendit të dytë në Primera Division skuadra e argjentinasit nuk ka kurrfarë presioni, në një kohë kur Marseja pozicionohet në vendin e katërt në Le Championnat dhe jashtë Zonës Champions. Rrugës për në finale Marseja ka eliminuar një klub spanjoll, Athletic Bilbaon, duke i fituar që të dy takimet e fazës së 1/8, ndërkaq l’OM kaloi me shumë vështirësi dhe vetëm pas kohës shtesë Salzburgun, falë një goli të Rolandos 4′ para goditjes së 11-metërshave, ndërsa Atletiko e Madridit eliminoi Arsenalin me rezultatin e përgjithshëm 2-1, përballje tepër e ashpër që i kushtoi trajnerit Simeone një pezullim prej katër ndeshjesh nga UEFA.

Tek Atletico spikat pikërisht një francez si Antoine Griezmann me 4 gola në Europa League dhe 19 në kampionat, ndërsa te skuadra e Rudi Garsisë bie në sy Florian Thauvin me 3 gola në Evropë dhe 22 në Ligue 1. Kjo është finalja e dytë për “los colchoneros” në Lion, që në vitin 1986 në finalen e Kupës së Kupave në Stade de Gerland u mundën 3-0 nga Dinamo e Kievit, ndërkaq dy skuadrat janë përballur vetëm dy herë ndërmjet tyre, një dekadë më parë në fazën e grupeve në Champions League, me Atletikon që barazoi 0-0 në Velodrome dhe fitoi 2-1 në Vincente Calderon, gjithsesi, interesant është fakti që “bardhekuqtë” nuk fitojnë në Francë në Kupat e Evropës ndaj një klubi transalpin që nga viti i largët 1961. Finalja do të luhet në orën 20:45, në Stadiumin e ri “Parc Olympique Lyonnais” dhe do të drejtohet nga 45-vjeçari holandez Bjorn Kuipers. /SS/

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here