Si u përlot Enver Hoxha kur pa ndërtimin e tuneleve në Kuçovë (FOTO)

0

Nga Dilaver Xhelili

Me rritjen dhe zhvillimin e shpejtë të aviacionit në Shqipëri erdhi duke u rritur edhe kërkesa për plotësimin e detyrave të reja operative. Për këtë u mendua krijimi i një baze ajrore të madhe në jug të vendit dhe si pozicioni më i përshtatshëm nga pozitat gjeografike u caktua vendndodhja në jug në pjesën naftëmbajtëse të Kuçovës (në atë kohë Qyteti Stalin). Italia për interesat e saj ndërtoi një aerodrom me përmasa të vogla, i cili ishte 2 kilometër larg nga qyteti Urë- Vajgurore dhe 5 kilometër nga qyteti Kuçovës.

Si u ndërtua aerodromi nga të burgosurit

Disa metra larg aerodromit të vjetër Italian, specialistët e asaj kohe kryen matjet në fushën e Perondisë për ndërtimin e aerodromit me përmasa të mëdha. Të gjitha punimet thuhet se janë kryer nga të burgosurit, të cilët punuan në shi dhe vapë për tre vite rresht. Sipas ish komisarit të regjimentit piloti Viktor Vangjeli, punimet për ndërtimin e bazës filluan aty nga viti 1952. Pas tre vjetësh dhe më saktë në 15 Maj 1955 u përurua Aerodromi i ri, shtëpia e Regjimentit 23 të Gjuajtësve “Peza”.

Komandanti i parë i Regjimentit ishte Koloneli Niko Hoxha, i cili ra në krye të detyrës disa vjet më vone. Për përurimin e regjimentit, kishte ardhur komandanti përgjithshëm i forcave të armotosura Enver Hoxha. Sipas ish komisarit Viktor Vangjeli mësohet se se Enveri erdhi në aerodrom më 15 maj 1955 për të inaguruar regjimentin e aviacionit më të madh në shkallë vendi. Enveri i dha flamurin e regjimentit luftarak të Kuçovës pas demonstrimit të teknikës së aviacionit.

Enver hoxha është shprehur para regjimentit me seriozitet dhe përkushtim duke iu kërkuar teknikëve që të shtrëngonin mirë vidat se kanë të bëjnë me jetën e njerëzve. Më pas, komandati i parë i emëruar, Niko Hoxha i ka raportuar komandantit të përgjithshëm se ne pilotët do të mbrojmë me jetën tonë kufijtë shqiptarë. Kështu, asokohe, menjëherë pas krijimit Regjimenti filloi plotësimin e detyrave operative, fillimisht me organikën e asaj kohe që përbëhej nga gjuajtësi MiG-15bis dhe versioni stërvitor dyvendësh MiG- 15UTI. Pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS, ashtu si gjithë aviacioni edhe baza ajrore u gjend në vështirësi, si për pjesë këmbimi, ashtu edhe për karburant. Megjithatë, në bashkëpunim me specialistët e laboratorit të naftës në Kuçovë, u ngrit një grup pune për të testuar dhe prodhuar vajgurin special TS-1.

Brenda vitit, me ndihmën e kryeinxhinierit Stefan Kongjini, u prodhua me sukses vajguri TS-1 në vend. Pas krijimit të regjimentit lindi dhe kërkesa për strehimin e avionëve për t’u ruajtur nga sulmet e huaja. Kështu, me vendim të Ministrisë së Mbrojtjes në periferi të aerodromit pikërisht në fshatin Moravë u ngritë reparti xhenier më komandant Ilia Çakuli. Në këtë repart u grumbulluan të gjithë inxhinierët dhe teknikët xhenierë më të mirët në shkallë vendi, ku një pjesë e tyre kishin studiuar jashtë shtetit.

Projekti i ndërtimit ishte midis dy grykave të malit, në një zonë që nuk ishte parashikuar më parë për këtë punë. Për ndërtimin e tuneleve me përmasa të mëdha, qeveria e asaj kohe ndërtoi repartin në periferi, i cili mori përsipër ndërtimin e këtyre tuneleve. Ish komandanti i repartit Ilia Çakuli, në shënimet e tij në bllokun personal kishte shkruar: “Kur mora detyrën; Ishte shumë e vështirë për të ndërtuar tunelet, për strehimin e avionëve. Ne si repart na u ngarkua përgjegjësi e madhe. Na u besua projekt shumë i rëndësishëm. Fillimisht u njohëm me projektin dhe më pas e zbatuam atë”. Një grup specialistësh xhenierësh morën detyrën dhe filluan drejtimin e punimeve.

Tunelet më të mëdhenj në Europë kishin një projekt të detajuar dhe kishte koordinim të përbërjes së materialëve teknikë të ndërtimit. Ish ushtarakët që punuan në këtë repart shprehen se punimet fillimisht nisën me ritme të shpejta. Tunelet do të ndërtoheshin në atë mënyrë që t’u rezistonin bombardimeve të avionëve të huajë në mënyrë që të mos shkatërroheshin Sipas ish komisarit të regjimentit Viktor Vangjeli mësohet se aty është kryer një punë kolosale, e cila dhe vetë ne na ka befasuar”, tregon ai. Tunelet janë bërë me mure betoni me përmasa të mëdha. Ato janë ndërtuar në vende të posaçme që në rast luftimesh avionët të mund të dilnin lehtësisht dhe të kryenin ngritjen në drejtim të Italisë.

Ndërtimi i tyre midis dy grykave malesh iu dha mundësinë të ruhen shumë mirë nga reparti kundra ajrit. Megjithatë, është për t’u theksuar se vendi ku janë ndërtuar tunelet, avionët e huaj nuk kanë pasur mundësi të bombardojnë pasi gryka e maleve ishte komplet e mbrojtur. Në tunele punohej me tre turne: me ushtarë, rezervista dhe zborista. Pas përfundimit, aty u strehuan 180 avionë të markave të ndryshme. Një mrekulli e madhe ishin edhe portat e tuneleve, të cilat ishin parashikuar që kur të bombardoheshin nga avionët e huaj të mos shkatërroheshin. Më pas, ato për siguri janë gjuajtur me silur. për nuk kanë pësuar as një shenjë shkatërrimi.

Inagurimi i Tuneleve

Pas përfundimit të tuneleve iu raportua komandantit përgjithshëm të forcave të armatosura. Enver Hoxha. Pas marrjes së sinjalit Enveri ka udhëtuar drejt aerodromit të Kuçovës i shoqëruar nga kuadrat e tjerë të komitetit qendror. Nuk vonon shumë dhe shkon te reparti i regjimentit dhe më pas niset në drejtim të tuneleve .Sipas ish komisarit regjimentit Viktor Vangjeli kur Enveri ka mbërritur tek tunelet dhe ka parë nga afër gjithçka që ishte ndërtuar ka mbetur i befasuar. “Për një çast u përlot. Ka përshëndetur inxhinierët, specialistët dhe komandatët e repartit”, thotë ish Komisari. Në momentin që Enver Hoxha është futur brenda është shprehur: ju lumtë, jeni heronj për këtë mrekulli që keni bërë.

Më pas Enveri ka përgëzuar komandatin e repartit Xhenier Ilia Çakulin. “Alia je i mrekullueshëm së bashku me stafin tënd. Më keni befasuar me këto mrekulli që keni ndërtuar. Këto tunele janë më të mëdhenjtë në Europë”, iu shpreh Hoxha xhenierit. Më pas rrëfimet tregojnë se në atë moment Enveri heq nga dora orën e floririt që mbante përherë me vete dhe në shenjë mirënjohje ia ka falur komandantit të repartit Xhenier Ilia Çakuli: “ta kam falur me gjithë zëmër miku im Ilia”. Më pas Enveri është larguar duke u shprehur: “Ne jemi një vend i vogël, por me njerëz të mëdhenj.

Marrëdhëniet me Jugosllavinë

Në periudhën 1944-48 Shqipëria kishte lidhje të ngushta me Jugosllavinë, që kishte ndihmuar në krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Pas prishjes së Titos me Stalinin, Shqipëria u bë aleat i ngushtë i BRSS. Mosmiratimi nga Shqipëria i procesit të destalinizimit dhe afrimit sovietojugosllav, çoi më 1961 në prishjen mes Tiranës dhe Moskës. Ndikimi i Kinës dhe ndihma e saj zëvendësuan ato sovjetike dhe Shqipëria u bë e vetmja aleate e Kinës në Evropën Lindore Komuniste. Shqipëria u tërhoq nga veprimtaria e Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke (KNER) dhe, pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, më 1968 u tërhoq edhe nga Organizata e Traktatit të Varshavës. Vazhdimi i armiqësisë me sovjetikët dhe izolimi i Shqipërisë e shtynë regjimin e Enver Hoxhës që vitet e para 1970 të bënte një farë hapje ndaj Jugosllavisë fqinje, Greqisë dhe Italisë.

Aleanca me Kinën zgjati deri më 1977, kur Hoxha i prishi lidhjet si protestë ndaj liberalizimit të Kinës dhe afrimit të saj me SHBA. Më 1967, autoritet komuniste kryen një fushatë të dhunshme për të zhdukur veprimtarinë fetare nga Shqipëria, duke pretenduar se feja e kishte ndarë kombin dhe e kishte mbajtur në batakun e prapambetjes. Agjitatorë nxënës dhe studentë krehën zonat fshatare, duke i detyruar shqiptarët të braktisnin praktikimin e fesë. Me gjithë ankimet që nuk munguan as edhe nga anëtarë të Partisë së Punës, nga fundi i vitit, të gjitha kishat, xhamitë manastiret dhe institucionet e tjera fetare u mbyllën dhe u kthyen në magazina, palestra, apo punishte. Fushata kulmoi me një deklaratë se Shqipëria ishte bërë i vetmi vend ateist në botë, që Enver Hoxha përpiqej ta shiste si një akt heroik dhe një nga arritjet e tij më të mëdha.

Represioni ndaj kryetarëve të fiseve, kolektivizimi i bujqësisë, industrializimi, lëvizja e popullsisë nga fshati në qytet dhe shtypja e fesë i thyen lidhjet tradicionale fisnore në Shqipëri që e kishin bazën në familje patriarkale. Regjimi solli një ndryshim dramatik edhe në gjendjes e gruas. Të konsideruara si qytetare të dorës së dytë në shoqërinë tradicionale shqiptare, gratë bënin punët më të shumta në shtëpi dhe në ara. Para Luftës së Dytë Botërore rreth 90 % e grave shqiptare ishin analfabete dhe në shumë zona ato konsideroheshin thjesht plaçkë sipas ligjeve të lashta fisnore. Gjatë revolucionit Ideologjik Kulturor, në përpjekje për të kompensuar mungesën e krahut të punës dhe për të mposhtur konservatorizmin, partia i nxiti gratë të punonin jashtë shtëpisë. Hoxha vetë deklaroi se kushdo që shkelte urdhrat e partisë për të drejtat e gruas “ do të digjej me zjarr e me hekur”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here