VJOLLCA HAJDARI

Homazh për Valbona dhe Kiara Markun – 9 vjeçare – si dhe për të gjitha gratë e vrara nga burrat shqiptare, në shenjë solidarizimi me protestën kundër dhunës në familje.

Kur vritet një grua, vdes shpirti i një shoqërie, por kur vritet një femijë, vdes shpirti i njerëzimit. Një shoqëri që duron vrasjet e grave dhe vajzave, bëhet vet pjesëmarrëse e krimit. Vrasjet e grave dhe heshtja e shoqërisë shqiptare, është simptomatikë e një qëndrimi mizogjin që ka ajo ndaj gjysmës tjetër të saj.

Shoqëria shqiptare kuntribuon cdo ditë në “vdekjen” e gruas. Ajo e vret moralisht që në momentin kur ajo vie në jetë. Shqiptarët heshtin kur lind vajza, por gjuajnë me armë kur lind djali. Që në fëmijëri vajzës i përcaktohet vlera dhe pozita diskriminuese në familje e shoqëri dhe që në fillim i bëhet me dije se supremacinë në hierarkinë familjare dhe shoqërore e mban mashkulli. Bijat në shumë familje edukohen të jenë inferiore, të mbyllin gojën, të heshtin, të durojnë babain e vëllain dhe ta ruajnë nderin e familjes.

“Vajza lind në shtëpinë e huaj“, ekziston kjo thënie te shqiptarët, të cilët i sinjalizojnë të bijës se ajo s‘ ka çfarë të kërkojë në “strehimoren”e përkohshme, duke i cunguar të drejtën për trashëgimi prone. Në “shtëpinë e huaj”, shqiptarët ia bëjnë të qartë çdo ditë fëmiut të tyre se ajo vetëm “durohet” për një kohë të caktuar deri sa “ta heqin qafesh” në shtëpinë e “vërtetë“.

E martuar në një familje autoritare, zinxhiri i sundimit vazhdon të peshojë mbi kurrizin e nuses. Pason dhuna e vjetër me sunduesin e ri. Nusja e re, e cila ndodh të trajtohet më shumë si rob i familjes, i rinënshtrohet urdhërave te burrit, vjehrrit e kunatit dhe si kurorëzim final – ndonjë vjehrre autoritare.

RUANA ZOT NGA GRATË PATRIARKALE

Dhuna e legjitimuar në emër të nderit, të frymës patriarkale dhe edukimi tradicional nuk i liron fatkeqësisht nga kthetrat edhe një pjesë të grave dhe vajzave, të cilat me- ose pa vetëdije bëhen pjesë e shtypjes dhe kontrollit social ndaj gjinisë së njëjtë. “Sikur t’isha unë burri yt, do të t’rrihja cdo dite” i thotë një nënë bijës së sapomartuar. “Mirë ia bëri asaj lavirje që e rrahu, sepse ajo tërë ditën bredhi jashtë”, thotë një vajzë e re për një bashkëmoshatare të saj. Lavire quhet vajza që dashuron dhe që nuk jeton konform konventave dhe mureve sociale, por hero shpallen djemtë dhe burrat që tradhëtinë dhe sjelljen maçoiste e kanë moto të jetës. “Eshtë burrë, ndaj burrit i ka hije” është maksima shqiptare, shpesh e mbështetur edhe nga gratë.

Absurdi merr ngjyrë edhe me të errët, kur vet ca gra dhe vajza, të infiltruara nga brumi patriarkal, fuqizojnë dhunën me fjalë të tilla si: “dua një burrë, qe t’ja kem frigën, kur ai hyn në dhomë” apo ngjashëm shprehet edhe një këngëtare gjatë një emisioni në TV-të shqiptare, se do një burrë që ta “rrahë tri herë në ditë”.

Ka në këtë shekull gra (dhe burra), të cilat respektin e ndërsjellë e ngatërrojne me frigën dhe dominimin ndaj tjetrit. Por kur personat publikë dhe mediat e stilizojnë dhunën, atëherë është koha që të bien këmbanat ndaj këtij fatalizmi.

HIMNIZIMI I DHUNËS

Regjistrin e dhimbshëm që himnizon dhunën ndaj gruas, e mbush fatkeqësisht edhe populli shqiptar. Sadizmi kulmon në këngët shqipe, ku gruaja kërcënohet hapur se “me ma idhnu nanën, guhën ta shkurtoj” apo me “himnin” tjetër: “mbylle gojën moj hyjneshë, se e hangre flakaresh (…) ia ke nisë moj me u lazdru, besa besë dhe me u tranu (…) n` kofsha djal, n` kofsha burrë, s ka me t ‘shku kungulli mbi ujë”.

Ndëshkimet që i bëhën gruas, demonizimi dhe linçimi i saj moral,
pasqyrohet edhe në tekstin e një kënge tjetër, ku familja thirret për t ‘ia ndaluar asaj hyrjen në shtëpi, por „ fëmijtë mos ia ndalni”, thuhet në refren. Skenat që paraqet kjo këngë, pasqyrojnë realitetin e dhimbshëm shqiptar, ku një nënë që është përzënë nga shtëpia e burrit, lufton për të parë fëmijtë e saj.

Sa e sa nëna e ndajnë këtë fatkeqësi, duke mos guxuar të përmendin fëmijtë e lënë te burri? Sa e sa fëmijë të ndarë nga nënat, vuajnë për t’i parë apo për t’i kontaktuar ato? Këto tragjedi ngrysin realitetin shqiptar, kur dihet se gishti drejtohet vetëm kundër gruas. Ajo gjykohet në çdo sferë të jetës. Përballet me dënime e sanksione, me diskriminim e seksizëm, me shantazhe publike dhe ngacmime seksuale. Por shoqëria jonë hesht. Ajo hesht edhe kur studentet shqiptare kushtëzohen të flenë me profesorët, vetëm për të kaluar provimet apo edhe për të zënë një vend pune. Ajo hesht edhe kur vajzat e reja trajtohen si kafshët në kafaz, duke u lakuriquar nëpër studiot e TV-ve shqiptare. Por: vetëdijësimi nuk fillon në lakuriqësi e as në shami. Ai fillon në kokë.

Jo vetëdijësimi, por heshtja dhe nënshtrimi mbetet akoma sinonim i gruas shqiptare edhe ne atë kohë kur burri i predikon moral e nder, ndërkaq që krekoset pa fije turpi për gjahun që ka kapur. “Nëse s’ki femër, hajde, i kam dy”, këndon një këngëtar tjetër shqiptar. Eshtë burrë, ndaj e ka licencën nga shoqëria për të bërë jetë Don Zhuani, për të sunduar, për të terrorizuar psiqikisht dhe fizikisht dhe për të vrarë, çdo ditë nga pak.

Ai e bën këtë, sepse e di që gruaja nuk gëzon të drejta ligjore, sepse drejtësia dhe ekzekutivi janë mu ai produkt i kësaj shoqërie, që rri duarkryq. Sepse gruaja shqiptare nuk ka pavarësi ekonomike dhe ç’është me rëndësi, nuk gëzon mbështetjen nga familja e shoqëria.

Përderisa nga kjo shoqëri burrat dhunues do të amnistohen e arsyetohen për vrasjet e tyre makabre, përderisa ata nuk do japin përgjegjësi për tiraninë në familje, perdja e zezë do të mbulojë çdo ditë e më shumë shoqërinë shqiptare.

Burrat që vrasin gra, lënë fëmijtë pa nëna, prindërit pa bija, motrat e vëllezërit pa motra. Prandaj këtu janë të thirrur të gjithë: gra e burra, vellezër e motra, nëna e baballarë, të mëdhenjë e të vegjël dhe e gjithë shoqëria: t’i denojë dhe denoncojë dhunuesit! T’i thotë një herë e përgjithmonë NDAL vrasjes! Vetëm atëherë kur shoqëria shqiptare do të ngrisë zërin kundër këtyre tiranëve, ajo nuk do të bartë mbi supe fajin e shoqërisë që vret.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here