Shefi i NATO-së, telefon Haradinajt: Transformimi i FSK-së në Ushtri i paarsyeshëm

0

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot ka telefonuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, për t’i njoftuar me rezultatin e takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku është diskutuar edhe për nismën për krijimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës.

“Unë nënvizova se si Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë qetësi dhe përmbajtje, dhe të shmangin çfarëdo deklarate dhe veprim që mund të jetë provokuese”, ka thënë Stoltenberg.

Stoltenberg ka thënë se ia ka përsëritur edhe një herë kryeministrit Ramush Haradinaj se nisma për transformimin e FSK-së në ushtri është një veprim i paarsyeshëm dhe është kundër rekomandimeve të shumë aleatëve të NATO-s.

“Me Haradinajn diskutuam edhe për planin që të ecet përpara me transformimin e FSK-së në ushtri. Unë e theksova se një veprim i tillë është i paarsyeshëm dhe është kundër rekomandimeve të shumë aleatëve të NATO-s, dhe mund të ketë pasojë negative për perspektivën e Kosovës për integrim euroatlantik”, ka thënë sekretari gjeneral i NATO-së në një shkresë zyrtare të publikuar në faqen e NATO-s, raporton Gazeta Express.

Stoltenberg ka thënë se me Haradinajn kanë folur edhe për faktin se si NATO-ja duhet shqyrtojë nivelin e angazhimit në Kosovë, në rast se ndryshohet mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai ka treguar edhe për bisedën që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilit i ka kujtuar nevojën për zbutjen e tensioneve.

“U kujtova të dyja palëve se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, mes Prishtinës dhe Beogradit, është e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. NATO-ja mbetet e angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës përmes misionit paqeruajtës të KFOR-it, i mandatuar nga OKB-ja”, ka përfunduar Stoltenberg.

Të njëjtat deklarata për ushtrinë, Stoltenberg i ka bërë dje pas përfundimit të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Z. Haradinaj e ka konfirmuar telefonatën me shefin e NATO-së, ku është diskutuar për nismën për krijimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës.

“Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova sekretarin e përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore”, ka shkruar në profilin zyrtar në Facebook Haradinaj.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here