Rruga qorre për demarkacion: as për të vazhduar, as për rrugë të re

0

Veton Surroi

Jeta vazhdon për tërë botën nëse Kuvendi i Kosovës, gjatë këtij shekulli apo shekujve të ardhshëm, nuk mund të sigurojë votat për ratifikim të Marrëveshjes; vazhdon edhe për ata në Bruksel që e kanë vënë këtë si kushtin e parafundit për liberalizim të vizave

1.

Për ta larguar mjegullën dyvjeçare që është krijuar me temën e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, iu ktheva një burimi të cilit i besoj, analizës së profesorit Marc Weller, një mendjeje të çiltër juridike dhe një dashamiri të Kosovës, kurdo që ka pasur nevojë për këshillë të tij, prej Konferencës së Rambouillet e tutje.

Pra, ky është leximi im, me ndihmën e analizës së tij, për gjendjen nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare si vijon.

Kosova tashmë ka kufi të njohur ndërkombëtarisht me Malin e Zi. Këtë kufi e kanë shndërruar në pjesë të së drejtës ndërkombëtare nënshkruesit në emër të Kosovës dhe Malit të Zi. Mali i Zi këtë nënshkrim e ka ratifikuar në Kuvend dhe ky ratifikim tashmë e bën këtë kufi të mbrojtshëm juridikisht nga e drejta ndërkombëtare dhe, ç’është po aq me rëndësi e po qe nevoja, të mbrojtshëm fizikisht edhe nga Artikulli V i Traktatit të NATO-s (natyrisht, nëse invokohet), me të cilin sulmi ndaj njërit anëtar të NATO-s konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

Kosova nuk ka në duar instrumente të së drejtës ndërkombëtare me të cilat do ta kontestonte këtë kufi. Në momentin kur Marrëveshja e demarkacionit ka marrë nënshkrimin e përfaqësuesve të pushtetit të Kosovës, Kuvendi i Kosovës mund ta ratifikojë apo jo, por kjo gjë nuk e ndryshon Marrëveshjen. Për më tepër, Kuvendi mund të mos e vërë fare Marrëveshjen në votë për ratifikim; kjo gjë nuk e ndryshon Marrëveshjen apo zbatimin e saj nga ana e Malit të Zi. Jeta vazhdon për tërë botën nëse Kuvendi i Kosovës, gjatë këtij shekulli apo shekujve të ardhshëm, nuk mund të sigurojë votat për ratifikim të Marrëveshjes; vazhdon edhe për ata në Bruksel që e kanë vënë këtë si kushtin e parafundit për liberalizim të vizave.

2.

Mali i Zi është sjellë me dinjitet dhe kulturë të theksuar të fqinjësisë së mirë. Në asnjë moment nuk e ka politizuar këtë çështje apo shndërruar në kauzë për të ndryshuar natyrën e marrëdhënieve me Kosovën. Dhe, pos pjekurisë shtetërore, ekziston edhe një arsye e thjeshtë për këtë sjellje: për të, siç deklarojnë zyrtarët e saj, çështja e demarkacionit ka përfunduar, rrjedhimisht kjo është çështje e brendshme e Kosovës.

Një deklarim i këtillë ka peshë të veçantë, sepse heq nga dora e Kosovës edhe dy instrumente të cilat supozohej se i kishte. Njëri është marrëveshja apo rimarrëveshja për kufi dhe tjetri është dërgimi i çështjes në arbitrazh. Për që të dyja nevojitet pëlqimi i Malit të Zi, pëlqim të cilin ky vend ka deklaruar se nuk e jep. Edhe po të kishte vullnet minimal në Qeveri për të dhënë një pëlqim të këtillë, juridikisht kjo do të nënkuptonte që Mali i Zi të prishte ratifikimin e bërë në Parlament dhe t’i hapte rrugë një procesi të ri negociator (apo arbitrazhi). Ky do të ishte një hap i rrezikshëm për integritetin e Malit të Zi, sepse nëse Kuvendi mund të prishë ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare siç është ajo e kufirit me Kosovën, atëherë kështu bëhet precedenti për prishjen e ratifikimit të marrëveshjeve të tjera. Atëbotë nuk do të ishte larg ideja e orkestrimit të një presioni të ri prorus në Mal të Zi për të prishur, për shembull, ratifikimin e Marrëveshjes së Malit të Zi për anëtarësim në NATO. Mali i Zi nuk ka pse të luajë bixhoz me veten, siç është mësuar ta bëjë Kosova.

Atëherë, kur të hiqen të gjitha këto instrumente të së drejtës, i vetmi instrument i mbetur është politik. Pra, Kosova ka në duar mundësinë që t’i bindë SHBA-në dhe BE-në se duhet një marrëveshje e re (apo arbitrazh). Gjasat për një gjë të tillë nuk duken fare, ngase SHBA-ja qëndron tashmë zyrtarisht prapa Marrëveshjes së tanishme dhe një gjë të tillë e kanë deklaruar edhe zyrtarët e BE-së.

Ah, po, nëse do sqarim plotësues për raportet politike dhe kapacitetit të Kosovës për ta bindur ndokënd: Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe shtet kandidat për t’u anëtarësuar në BE (ndoshta më 2025) e Kosova është shtet i kontestuar prej pesë anëtarëve të BE-së dhe katër shteteve anëtare të NATO-s (me gjasa për anëtarësim krejtësisht të padefinuara)

3.

Në situatën e tanishme Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend Ligjin për Ratifikimin e Demarkacionit dhe Raportin e Komisionit të formuar për të gjetur gabimet e Komisionit të kaluar. Meqë Raporti i Komisionit nuk ka karakter ligjor, është thjesht informativ, Kuvendi i Kosovës duhet të deklarohet për Projektligjin.

Pra, Kuvendi nuk do të ketë propozim të ri. Deklarimi i tij kërkohet për Marrëveshjen e Vjenës, ashtu si më 2015. Prej vitit 2015 dy gjëra nuk kanë ndryshuar. Lista Serbe nuk do të votojë për ratifikim të Marrëveshjes, meqë me këtë do ta njihte Kosovën si shtet të pavarur, i cili po i rregullon kufijtë me shtetet fqinje. AAK-ja, partia e kryeministrit të vendit, ka paralajmëruar se nuk do të votojë për shkak të bindjeve se Marrëveshja e Vjenës është në dëm të Kosovës.

Me këtë raport forcash, nëse del për votim në Kuvend, Ligji për Ratifikim të Demarkacionit nuk do të marrë dy të tretat e votave të nevojshme për të kaluar. Rrëzimi i ligjit në legjislacionin kosovar mund të nënkuptojë hapjen e rrugës për një ligj tjetër, por jo edhe në të drejtën ndërkombëtare. Rrëzimi i Ligjit për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, për Malin e Zi nuk ka kurrfarë pasojash juridike. Nuk ka as për SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. Rrjedhimisht, nuk hapet rruga për një marrëveshje të re. Për më tepër, çfarëdo propozimi unilateral i Kosovës për kufi të ri mund të interpretohet negativisht, prej shpërfilljes së marrëveshjeve ndërkombëtare e deri tek intenca për rrezikim të fqinjësisë së mirë.

Atëherë, tri gjëra nuk po ndodhin. Kosova nuk ka propozim të ri për kufi me Malin e Zi. Kosova nuk ka forcë politike për ta ratifikuar Marrëveshjen e tillë siç është. Kosova nuk ka forcë politike (e as argumente të reja) me të cilat do t’i bindë Malin e Zi, SHBA-në dhe BE-në se duhet një marrëveshje e re apo arbitrazh.

4.

Kjo udhë qorre është aq qorre saqë edhe në një situatë hipotetike që Komisioni qeveritar të gjente me të vërtetë 8 mijë hektarët e humbur, dhe që të gjithë në Kosovë të ishin të bindur për këtë, nuk ka veshë ndërkombëtarë, juridikë e politikë për të dëgjuar.

Nuk është hera e parë që ndodh kështu. Prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e këtej – pra, u bënë dhjetë vjet – vendi ka kaluar prej një sfide diplomatike në tjetrën, prej gjashtë pikave të Ban Ki-moonit , Marrëveshjes së Brukselit, themelimit të Gjykatës Speciale e deri te Marrëveshja për demarkacion. Në të gjitha ndodh e njëjta rrjedhë: krijohet një propozim jashtë vendit, u jepet një a dy njerëzve përgjegjës në vend, ata një a dy njerëz marrin vendim duke thënë se është në të mirë të Kosovës (dhe se nuk kanë pasur çare), pastaj kërkojnë përkrahje dhe në fund fajësojnë të tjerët për pasojat. Dikush nga jashtë gjithnjë ka faj: Ban Ki-mooni pse i harton gjashtë pikat, Serbia për çdo gjë, BE-ja për dialogun e Brukselit, gjithkush tjetër për kufirin me Malin e Zi, Lista Serbe për Ushtrinë e ratifikimin dhe çdo gjë tjetër që nuk shkon.

Por, për dhjetë vjet rresht, partitë politike të shumicës, partitë politike të shqiptarëve në asnjë moment të vetëm nuk kanë krijuar marrëveshje konsensusi, prej gjashtë pikave e deri te demarkacioni. Gjithnjë ka ekzistuar një subjekt apo një njeri, i cili ka interpretuar vullnetin e shumicës. Dhe, kështu kemi arritur, me demarkacion, te simbolizimi i rrugës qorre: as jemi për të vazhduar e as jemi për ndonjë rrugë të re.

Para se të përpiqeshin t’i bindnin Malin e Zi, SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, partitë shqiptare bënin mirë ta bindnin njëra-tjetrën. Ndoshta do të gjenin rrugë për të dalë nga kjo gjendje. Me fjalët e tyre, ndoshta do të ishin në gjendje të “merrnin vendime të mëdha”. Apo, ndoshta, prapë me fjalët e tyre, duan të presin që ndonjërit prej tyre “t’u hapet rruga për vendime të mëdha”.

Sidoqoftë, nëse nuk ulen të bisedojnë, nuk do të mundë të gjejnë dalje nga rruga qorre. E, ajo ekziston.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here