Rrëfimi a ambasadorit të Hungarisë: Oferta për stadiumin dhe marrëveshja e pa arritur

0

“Hungaria është e gatshme të ofrojë përvojat e qeverisë në ndërtimin e stadiumit dhe firmat hungareze janë gjithashtu të gatshme të ofrojnë ekspertizën e tyre”, thotë Ambasadori i Hungarisë, László Márkusz, teksa publikisht i bën ofertë Qeverisë së Kosovës për projektin e ndërtimit të Stadiumit Kombëtar.

Një debat për vendin ku pritet të ndërtohet Stadiumi Kombëtar i Kosovës dhe për zhvendosjen e lokacionit nga Prishtina në Drenas, ka lënë nën hije mënyrën se si do të ndërtohet ky stadium.

Oferta e vetme konkrete për projektin dhe financimin e stadiumit, që Qeveria e Kosovës e ka në tavolinë, është ajo e Qeverisë së Hungarisë. Në prill të këtij viti, Qeveria e Hungarisë kishte prezantuar një projekt për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës përmes një kredie të favorshme në Bankën Shtetërore të Hungarisë.

Për këtë arsye, Gazeta Online Insajderi ka zhvilluar një intervistë me Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Márkusz. Diplomati hungarez ka thënë se oferta hungareze për stadiumin qëndron ende, teksa ka rrëfyer për negociatat e zhvilluara mes dy qeverive.

Kur Kosova ishte pranuar në shtëpinë e futbollit evropian UEFA, në maj të vitit 2016, Márkusz-it i kishte lindur ideja për t’i ofruar Kosovës ekspertizat e qeverisë dhe kompanive hungareze për ndërtimin e një Stadiumi Kombëtar.

Ai e shihte të rëndësishme që Kosovës i duhen stadiume që i plotësojnë standardet ndërkombëtare.

“Kosova u bë anëtare e organizatës UEFA në Budapest në maj të vitit 2016 dhe e FIFA-s po ashtu, kështu që Kosovës i duhen stadiume të cilat i plotësojnë standardet ndërkombëtare. Negociatat kanë nisur me iniciativën time në verën e vitit 2016”, thotë Márkusz.

Ambasadori thekson se “në një takim zyrtar unë tërhoqa vëmendjen e Qeverisë së Kosovës tek rezultatet e arritura nga Qeveria e Hungarisë për ndërtimin e stadiumeve në vitet e fundit.”

“Unë po ashtu theksova përvojat e ekspertizave që i kanë bërë kompanitë hungareze”, thotë ai.

Përveç ndërtimit të Stadiumit Kombëtar, László Márkusz bën të ditur se kompanitë hungareze janë të gatshme të ofrojnë ekspertizat e tyre në renovimin e stadiumeve të qyteteve në Mitrovicë dhe Prishtinë.

“Qeveria e Hungarisë ka lansuar programin zhvillimor në vitin 2014 dhe që atëherë, 27 stadiume kanë qenë ose janë duke u modernizuar në vendin tim. Hungaria ofron ekspertizat relevante të kompanive tona private dhe përvojat e qeverisë në në trajtimin e ndërtimit dhe rindërtimit të disa stadiumeve. Firmat hungareze janë gjithashtu të gatshme të ofrojnë ekspertizën e tyre relevante dhe teknologjinë e lartë në punimet rinovuese të stadiumeve të qytetit të Prishtinës dhe Mitrovicës”, deklaron Ambasadori.

Pas nisjes së negociatave ndërmjet dy qeverive në verën e vitit 2016, dy zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës: kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-ministri i Sportit Kujtim Shala kishin zhvilluar vizita zyrtare në Budapest. Atje ata kishin folur edhe për çështjen e Stadiumit Kombëtar.

“Ish-ministri i Sportit Kujtim Shala vizitoi Budapestin për të diskutuar përvojat e qeverisë hungareze në ndërtimin e stadiumeve, në muajin tetor të vitit 2016”, i tha Gazetës Online Insajderi, Ambasadori hungarez në Kosovë.

Madje, kryeparlamentari Veseli kishte vizituar edhe stadiumin “Groupama Arena”, i cili ishte zgjedhur si model për ndërtimin e stadiumit të ri në Kosovë. Mirëpo, László Márkusz, thotë se vizita e Veselit në Hungari nuk kishte pasur kryetemë ndërtimin e Stadiumit Kombëtar.

“Vizita e tij nuk ishte e lidhur drejtpërdrejt me ndërtimin e stadiumit, por kjo temë u përfol gjatë bisedës së tij me Kryetarin e Parlamentit tonë”, tregon ai.

Vizita e kryeparlamentarit kosovar në “Groupama Arena”, megjithatë, kishte lënë të nënkuptohej se qeverisja e kaluar në Kosovë ishte duke e shqyrtuar seriozisht ofertën e Hungarisë, raporton Insajderi.

Por, edhe pse Kadri Veseli vazhdon ta mbajë të njëjtin post sikurse para ardhjes së qeverisë së re, qasja e tij dhe qeverisë Haradinaj në negociatat me Hungarinë ka ndryshuar. Kështu bën të ditur Ambasadori László Márkusz.

“Zgjedhjet parlamentare dhe lokale të këtij viti padyshim e kanë ngadalësuar ritmin e negociatave të tilla”, deklaron Ambasadori hungarez. “Kemi pasur biseda joformale, por jo negociata serioze dhe veçanërisht asnjë marrëveshje në diçka deri më tash”.

Edhe një marrëveshje përfundimtare mes dy qeverive për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar nuk është në faza konkrete, Ambasadori i Hungarisë shprehet se arritja e një marrëveshje do ta krenonte qeverinë e vendit të tij.

László Márkusz  shpreh dëshirën që kompanitë hungareze të ndërtojnë një stadium “në një vend kaq miqësor si Kosova”.

“Nëse kompanitë hungareze marrin pjesë në këto punë ndërtimi/rindërtimi do t’u shërbejnë atyre si një referencë ndërkombëtare dhe mua si dhe qeveria ime do të ishte jashtëzakonisht krenare që ne i treguam aftësitë tona në një vend kaq miqësor si Kosova”, thotë Ambasadori hungarez.

Stadiumi “Gruopama Arena”, i cili është paraqitur si model për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar të Kosovës, ka një kapacitet prej rreth 24 mijë ulësesh.

Në këtë stadium zhvillohen ndeshje të skuadrës së futbollit, Ferencvárosi TC nga Budapesti, dhe të kombëtares së Hungarisë.


Stadiumi Gruopama Arena

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here